Kulturë

Përkrahje nga shteti për 48 filma, buxheti prek dymilionëshin

Kategoria e filmit të gjatë artistik merr hisen më të madhe të buxhetit në tërësi – 813 mijë euro

Kategoria e filmit të gjatë artistik merr hisenë më të madhe të buxhetit në tërësi – 813 mijë euro

Janë fiks 48 projekte filmike që do të realizohen me buxhet prej 1.9 milionë eurosh të shtetit, të përzgjedhur nga 126 aplikime, që i bie gati çdo i dyti që ia ka mësyrë buxhetit të shtetit, ka marrë përgjigje pozitive. Shpalljen e rezultateve dy muaj para përfundimit të vitit, Qendra Kinematografike e Kosovës s’e konsideron vonesë, për film të metrazhit të gjatë rezultatet mund të priten deri në pesë vjet, e në mesin e projekteve vazhdon të kryesojë tema e luftës

Me vonesa e shtyrje afatesh, dy muaj para përfundimit të vitit, Qendra Kinematografike e Kosovës ka përmbyllur odisenë e përkrahjes së projekteve filmike. Janë hiç më pak se 48 projekte që do të marrin përkrahje nga shteti, përzgjedhja është bërë nga 126 aplikime, që i bie se gati çdo i dyti që ia ka mësyrë buxhetit të shtetit, ka marrë përgjigje pozitive. Të mërkurën vonë, QKK-ja ka publikuar listën e fituesve. Buxheti në total tashmë ka prekur dy milionë euro. Janë fiks një milionë e 900 mijë euro të ndara për filma artistikë, eksperimentalë, të animuar e dokumentarë. Sipas QKK-së, projektet janë gati për të nisur xhirimet, derisa nga komisioni vlerësues kanë bërë me dije se ato kryesisht vazhdojnë të prekin temën e luftës.

Tre filma të metrazhit të gjatë artistikë janë subvencionuar nga institucioni më i lartë i filmit në vend. Në krye të listës janë filmat: “Lost frames” me regjisor e skenarist Samir Karahodën, “Adet” me regjisor Mentor Shalën e skenariste Lyra Xhocin, si dhe filmi “Lumi” me regjisor e skenarist Edon Rizvanollin. I pari ka marrë buxhet prej 303 mijë eurosh, pasuar prej “Adetit” me 280 mijë dhe “Lumit” me 230 mijë. Kategoria e filmit të gjatë artistik merr hisenë më të madhe të buxhetit në tërësi – 813 mijë euro.

Për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë janë gjithsej 14 filma, që janë përfitues të nga katër mijë eurove për secilin, ndërsa te kategoria e filmave të metrazhit të shkurtër artistik janë tetë projekte filmike. “Pranverë ‘81” me regjisor Endrit Qarollin është përfitues i 35 mijë eurove e pas tij projekti me titull “214772” me regjisor Enis Saraçin është vlerësuar me 32 mijë euro, aq sa edhe projekti filmik “Gracka” me regjisore Ilire Vincën.

Tri projekte janë përfituese te kategoria e filmit të metrazhit të shkurtër dokumentar e tri të tjera në atë të metrazhit të gjatë dokumentar. Për përkrahje në fazën e postproduksionit janë katër filma.

Projekti me titull “Punëtor krahu” me producent, regjisor e skenarist Ilir Hasanajn është i vetmi në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë avantgarde/ eksperimental. Shuma e subvencionit është 150 mijë euro.

Për bashkëproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik në listë janë pesë projekte, tri për film të metrazhit të shkurtër të animuar e tri në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër artistik studentor.

Projekti filmik “Heshtja kurrë nuk është e artë” me producente, regjisore e skenariste Blerta Bashollin e bashkëskenarist Visar Krushën, është i vetmi i mbështetur me dhjetë mijë euro në kategorinë “Zhvillim projekti për film të metrazhit të gjatë”.

Juria për përzgjedhjen e projekteve është përbërë nga: Gentian Koçi, Hassan Oswald, Roshanak Behesht Nedjad, Soňa Morgenthalová, Visar Morina, Dea Gjinovci, Eneos Çarka, Ibër Deari, Sevdije Kastrati dhe Shpëtim Selmani. Projektet në fazën e post-produksionit janë vlerësuar nga Hassan Oswald, Roshanak Behesht Nedjad, Soňa Morgenthalová, Visar Morina dhe Sevdije Kastrati.

Shkrimtari e aktori Shpëtim Selmani ka thënë se tematika te këto projekte filmike kryesisht është lufta.

“Temat janë kryesisht të luftës. Natyrisht ka pasur edhe tema që u takojnë komuniteteve të caktuara. Por ka mbizotëruar diskursi i temave të luftës më shumë”, ka thënë Selmani për KOHËN.

Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, është shprehur optimiste se juria e ka kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ka punuar gjatë në përzgjedhje, gjatë i ka lexuar projektet e i ka rilexuar, i ka shikuar filmat e aplikuesve, i ka rishikuar me buxhete e me të gjitha dhe pas shumë e shumë takimesh kanë ardhur në këtë listë që e keni parë. Ne besojmë plotësisht që juria e ka bërë punën siç duhet. Na vjen keq gjithmonë që nuk mundemi të përkrahim më shumë filma, ky ka qenë maksimumi”, është shprehur ajo.

Ka theksuar se Ligji për Kinematografi i kufizon afatet kohore për përfundim të këtyre projekteve, megjithëse është shprehur se projektet kanë mundësi t’i fillojnë xhirimet së shpejti.

“Varet prej projekteve, sepse me Ligjin e ri, filmi i metrazhit të gjatë i ka pesë vjet kohë për t’u realizuar. Pra këto janë rezultate që shihen më vonë. Filmi i metrazhit të shkurtër ka tre vjet kohë për t’u realizuar, ka disa që i realizojnë më shpejt e disa më ngadalë, por ne kemi shumë shpresa që këto janë projekte që janë shumë afër mundësisë për t’i filluar xhirimet dhe besoj që nuk do të jetë ndonjë projekt që do të marrë kohë pesë vjet apo tre vjet”, ka thënë Zeqiri.

Thirrja për aplikim të filmbërësve me projektet e tyre qe hapur më 22 maj. Fillimisht ishte paraparë që konkursi të mbyllej më 25 qershor, kur ishin dorëzuar jo më shumë se 11 aplikime në të 11-të kategoritë. Më pas afati për aplikime qe zgjatur për dy javë, deri më 7 korrik, kur numri i aplikimeve qe rritur për 11-fish, që rezultoi me 126 projekte.

Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ka konsideruar se nuk janë vonuar sa i përket publikimit të rezultateve.

“Nuk mund të them se janë vonuar rezultatet. Ka pasur shumë aplikime, sa më shumë aplikime, aq më shumë kohë i duhet jurisë për t’i lexuar skenarët, projektet, të gjitha arsyetimet që i sjellin. Kjo ka qenë arsyeja kryesore e vonesës. Por megjithatë nuk është vonesë, ne do të donim ta kryenim shumë më shpejt, por për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe mbledhjeve të shumta që është dashur të mbajë juria, nuk ka pasur mundësi të përfundohet më herët. Ka qenë punë e gjatë, shumë e gjatë”, ka konsideruar ajo. Në korrik, kishte thënë mendojnë se lista duhet të jetë gati “nga fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit”.

Konkursit të majit i ka paraprirë ai i dhjetorit të kaluar, kur QKK-ja kishte përkrahur veç projektet për filma të gjatë. Kishte përzgjedhur që prej 12 projekteve kinematografike për filma të gjatë artistikë, t’i mbështesë vetëm tre prej tyre. Ky numër shihej si i vogël sa i përket mbështetjes, por institucioni më i lartë filmik në vend planifikonte që të hapë një tjetër thirrje. Kësisoj, të paktën sipas vitit kalendarik, QKK-ja i bie që vjet ka hapur veç një konkurs dhe atë veç për një kategori. Rezultatet e konkursit të dhjetorit qenë publikuar në fund të shkurtit.  Projekti “Dua” me skenar e regji të Blerta Bashollit e producent Valon Bajgorën ka marrë përkrahjen më të madhe me 340 mijë euro. I dyti renditej “Dua të shkoj sërish në det” me skenar e regji të Leart Ramës e producent Valmira Hysenin, që është përkrahur me 240 mijë euro. Kurse i treti është “Gjurmë” nën regji të Rita Krasniqit, skenar të bashkëshkruar me Jon Gojanin e producent Gojanin, që është mbështetur me 220 mijë euro.

Funksionimi i QKK-së gjatë vitit të kaluar ka bërë që 2024-shi të jetë i djegur. Jo vetëm me humbjen e ritmit, por edhe me buxhet. 1.6 milion euro sa ishte buxheti për 2024, nuk ishte shfrytëzuar për projekte të atij viti.

Edhe më 2023 konkursi nuk ishte hapur deri në dhjetor me arsyetimin se rregulloret i duhej përshtatur Ligjit për kinematografi, që e ka zëvendësuar atë të vitit 2004. Asokohe, drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, kishte thënë se prej vitit 2024, QKK-ja planifikon të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetrin në nëntor. Por ia ka dalë që vjet të hapë veç çerek konkursi dhe atë në dhjetor.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, QKK-ja në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve ka dy milionë euro. Vjet i ka pasur 1.6 milion euro.