Kulturë

“Ora e Kosovës…” si rrëfim autentik i lindjes së shtetit

Në mbi 400 faqe, në librin “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, Fatmir Sejdiu, president i Kosovës prej vitit 2006 deri më 2010, ka rrëfyer si akter i ditëve vendimtare të shtetësisë. Pos kujtimeve personale, aty zënë vend dhe merren në shqyrtim edhe dokumente e komunikime të rëndësishme

Janë rrëfime për biseda publike e jopublike të kohës kur Kosova ishte në fazën e fundit para shpalljes së Pavarësisë. Në pozitën e presidentit të një vendi që synonte mëvetësinë, juristi Fatmir Sejdiu udhëhiqte bisedimet për statusin e Kosovës, negocionte me palë të ndryshme dhe përgatitej të ishte prijësi i një shteti të pavarur, më të riut në Evropë.

Në mbi 400 faqe, në librin “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, Fatmir Sejdiu, president i Kosovës prej vitit 2006 deri më 2010, ka rrëfyer si akter i ditëve vendimtare të shtetësisë. Pos kujtimeve personale, aty zënë vend dhe merren në shqyrtim edhe dokumente e komunikime të rëndësishme. Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të mërkurën, në promovim të librit, vepra është parë si kontribut i veçantë historik e publicistik. Ish-presidenti i Kosovës viteve të fundit i ishte përveshur penës për të zbardhur biseda të shumta e plane që bëheshin për të arritur cakun e 17 shkurtit të vitit 2008. Pas vdekjes së ish-presidentit dr. Ibrahim Rugova, në janar të vitit 2006, Fatmir Sejdiu kishte marrë pozitën e të parit të shtetit e njëkohësisht ishte edhe prijës i negociatave që zhvilloheshin për statusin përfundimtar të Kosovës. Asokohe në ekipin e tij ishte edhe presidentja e tanishme e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas saj, ky libër vjen në 16-vjetorin e Pavarësisë së shtetit si një rekapitullim për rrugën e shtetformimit, të kurorëzuar më 17 Shkurt 2008.

“Një pesëvjeçar i përmbledhur në një libër është edhe një dedikim personal i presidentit Sejdiu gjatë mandatit në krye të shtetit në një periudhë sa të ndjeshme po aq sfiduese, por definitivisht historike në vitet kur mori hov përpjekja për bërjen e Kosovës shtet, në kohën kur ishte Ora e Kosovës, siç e mban titullin edhe vetë libri”, ka thënë presidentja Osmani. Ka kujtuar se në mitologjinë shqiptare Ora përfytyrohej si qenie e padukshme mbrojtëse që sjell mbarësi, që sjell fat të mirë.

“Rrjedhimisht secili njeri, familje apo grup etnik e ka orën e vet. Ora jonë ishte më 17 Shkurt 2008, ndaj me të drejtë presidenti Sejdiu ia ka dhënë titullin librit, i cili është një përmbledhje vrojtimesh për hapjen e një kapitulli të ri në jetën tonë, në jetën e shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shtetndërtimi dhe pavarësia e Kosovës janë dy sintagma, të cilat shkojnë krahas njëra-tjetrës, ndaj në këtë proces presidenti Sejdiu paraqitet një kronikan i rëndësishëm i rrjedhave e zhvillimeve, të cilat i dhanë formë përpjekjes për shtet.

“Si kreu i shtetit në këtë periudhë historike dhe si president i parë i Republikës sonë të pavarur, presidenti Sejdiu sjell në libër momente autentike që prej filleve të ndërtimit të institucioneve të Kosovës, fillimin e bisedimeve dhe rrjedhën e bisedimeve për statusin tonë politik, shpalljen e Pavarësisë, hartimin e Kushtetutës, fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe zhvillime të tjera politike që ndërthuren me aktivitetin e tij politik”, ka thënë Osmani. Më fjalën e saj, ajo ka thënë se procesi i shtetndërtimit nuk është thjesht një tregim historik, por është një dëshmi e shpirtit të qëndrueshëm të një populli që rezistoi, luftoi dhe triumfoi.

“Prandaj secili libër që dokumenton këto procese është një kujtesë se lufta për pavarësi nuk është thjesht një përpjekje politike, por një imperativ i rrënjosur në parimet themelore të lirisë dhe të drejtësisë”, ka thënë presidentja Osmani.

Ka thënë se një shtet i ri u lind, falë edhe mbështetjes së aleatëve e miqve ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në, “për të cilën gjë gjatë kohë kishte punuar edhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik dr. Ibrahim Rugova”.

“Miqësinë e përhershme me Amerikën e kemi testament nga presidenti Rugova, të rrënjosur thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndaj, siç e dëshmoi sidomos periudha e shtetndërtimit, roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident, tepër përmbajtjesor dhe pa dyshim kryesor”, ka thënë ajo.

Redaktori i librit, profesori universitar Ibrahim Berisha, ka thënë se vepra e ish-presidentit Sejdiu është një përmbledhje që ka peshë dhe do të mbetet një prej dëshmive të rëndësishme të shtetësisë. Sociologu Berisha ka thënë se si fëmijë 4-vjeçar ish-presidenti Sejdiu do të udhëtonte me tren drejt Nishit së bashku me gjyshërit tij. Ka treguar se ai atje do të takonte për herë të parë të atin që ishte i burgosur pushteti i atëhershëm.

“Një tjetër president, dr. Ibrahim Rugova nuk kishte fatin që të njihte të atin pasi atë ia mori pushteti komunist dhe nuk u kthye më”, ka thënë Berisha. Sipas tij, ky ishte fati i shumë njerëzve në Kosovë pasi populli i këtij vendi vuajti shumë. Si redaktor i librit, ka thënë se veprat e tilla janë dëshmi e njerëzve që ishin akterë të ngjarjeve të papërsëritshme.

“Ky libër shpreh në mënyrë të plotë një proces kyç, gërsheton hulumtimin dhe analizën e dokumenteve relevante qofshin ato zyrtare vendore apo ndërkombëtare, burime nga literatura shkencore, dokumente autentike dhe po kështu autori mbështetet shumë në analiza dhe kronika të kohës, u është referuar edhe artikujve të shtypit vendorë dhe ndërkombëtarë që janë pjesë kritike e ngjarjes me përmasa të mëdha historike”, ka thënë Berisha.

Midis të pranishmëve që kanë mbajtur fjalë rasti, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka folur për aspektin historik të librit. Sipas tij, përtej asaj që mësohet në shkolla dëshmitë e tilla kompletojnë rrëfimet për ditët e mëdha.

“Brezi i ri edhe nuk e njohin historinë, në shkollë jepet ashtu siç jepet, por kur dalin letra nga ata që kanë punuar për këtë qëllim është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai. Ka kujtuar se qysh kur ishte fëmijë në vitet’30 të shekullit të kaluar kanë kënduar këngë patriotike për Çamërinë dhe Kosovën. Ka thënë se Sejdiu ka bërë shumë mirë që ka shkruar kujtimet e tij në kohën kur mbamendjen e ka të fortë.

Në javën kur edhe shënohet 16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, diplomati Avni Spahiu, i pari ambasador i shtetit i dekretuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka veçuar librin e Sejdiut si një prej veprave ku përfshihen dëshmi autentike.

“Ky libër paraqet një dëshmi të drejtpërdrejtë, dëshmi unike e autentike e rrëfimit politik të Kosovës së pasluftës. Do të jetë referencë e patejkalueshme për ata që do të shkruajnë historinë e Kosovës për këtë kohë”, ka thënë ai.

Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe diplomati gjerman dhe ish-drejtuesi i UNMIK-ut, Joachim Rücker. Ai ka thënë se bashkë me Sejdiun kanë punuar ngushtë. Sipas tij, ishte marrë vesh se Pavarësia e Kosovës nuk mund të kalonte nëpër Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka thënë se si profesionist i drejtësisë, ish-presidenti ka gjetur mënyrën që shpallja e Pavarësisë të ngelet në kuadër të interpretimeve të palëve të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Më pas ne si UNMIK thoshim se duhet të jemi neutralë pasi ka interpretime të ndryshme nga palët”, ka kujtuar ai. Deri në ditën e 17 të shkurtit 2008, shefi i UNMIK-ut ishte edhe kryeadministrator i Kosovës i emëruar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Vetë Sejdiu në fjalën e tij ka kujtuar disa takime në muajt para shpalljes së pavarësisë. Si ish-president ka thënë se nuk duhet harruar se arritjet e Kosovës janë bërë në koordinim dhe me mbështetjen e plotë të partnerëve. Ai ka kujtuar se gjatë procesit negociator të Vjenës pala franceze kishte kërkuar edhe 150 ditë negociata. Sipas tij, pala amerikane kishte pyetur negociatorët kosovarë se a do të mund ta durojnë edhe këtë kohë.

“Pyeteshim pasi ishte e vështirë pasi kishte investime të mbrapshta nga Serbia duke dashur që të paraqitej shpallja e Kosovës shtet i pavarur si destabilizim i rajonit”, ka thënë ai. Ka ndarë momente të takimit me Papa Benediktin e 16-të.

“Ma ka dhënë një laps me porosinë: ‘Ja ku e ke që të nënshkruash vendime të mëdha”, ka kujtuar Sejdiu.

Në fjalën e tij askund nuk ka përmendur bashkëpunëtorin kryesor në shpalljen e Pavarësisë, kryeministrin e asaj kohe, Hashim Thaçi. Në fund ka uruar që Kosova ta vazhdojë këtë partneritet dhe të ecë përpara.

“Besojmë fort në mbështetjen e miqve tanë, të ecë përtej në nxitimin për t’u pranuar nga më shumë shtete dhe për t’u anëtarësuar në institucione ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Vepra “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi” zbulon akte të rëndësishme diplomatike, veprime që, sipas autorit, është dashur të ndërmerreshin si në teh të shpatës e porosi për rrugëtimin diplomatik të vendit.