Arbëri

Kurti iu drejtohet serbëve të Kosovës: Mos u besoni britmave luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një videomesazh i është drejtuar qytetarëve të komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Ai u ka bërë thirrje që ata të mos i besojnë britmave luftnxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit.

“Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore do t’ju mbrojnë edhe prej tyre. Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë”, ka thënë Kurti në videomesazh. “Në Kosovë nuk ekziston jotolerancë ndëretnike siç propagandojnë disa. Përkundrazi, ekziston bashkëpunimi, sidomos në ekonomi dhe në treg. Natyrisht, aty ku ka fitim ka edhe bashkëpunim, por ky bashkëpunim duhet të jetë ligjor dhe i rregullt. Megjithatë, duhet të pranojmë se ekziston një barrierë gjuhësore, pra fakti që gjithnjë e më pak shqiptarë  flasin gjuhën serbe dhe anasjelltas”. 

Kurti ka thënë se është me rëndësi që të luftohet për drejtësi dhe mirëqenie. Ai ka thënë se është i nevojshëm inkorporimi dhe unifikimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor. 

“Ashtu si të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës edhe juve ju takojnë shërbimet e institucioneve publike, dhe ju meritoni qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta. Unë angazhohem për unitet dhe barazi. Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm. Besoj se është e mundur të kemi sistem ligjor e të drejtë dhe që funksionon shumë më mirë. Dhe e dimë sa të domosdoshme janë investimet e mëdha. Brenda një procesi të tillë do t’i bashkojmë idetë, përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special për dialog, vendet e Quint-it dhe KFOR-in”.