Skutave mban koncerte, e produksione të reja synon të sjellë çdo vit duke improvizuar në çdo aspekt, si në vendet ku interpreton e edhe me formacione të përkohshme artistike për të cilat i duhet përvitshëm të reprizojë konkurse e audicione. Në këto kushte sivjet, Opera e Kosovës synon ta realizojë një prej operave më të famshme, “Turandot” nga Puccini. Jubileu i pesëvjetorit është një prej kryengjarjeve të sivjetme bashkë me operën “Skënderbeu” të Prenk Jakovës dhe jo vetëm
Institucioni operistik pa shtëpi të veten është një lloj paradoksi kulturor e mangësi serioze e politikave kulturore. Skutave mban koncerte , e produksione të reja synon të sjellë çdo vit duke improvizuar në çdo aspekt, si në vendet ku interpreton e edhe me formacione të përkohshme artistike për të cilat i duhet përvitshëm të reprizojë konkurse e audicione. Në këto kushte sivjet, Opera e Kosovës synon ta realizojë një prej operave më të famshme, “Turandot” nga Puccini. Jubileu i pesëvjetorit është një prej kryengjarjeve të sivjetme bashkë me operën “Skëndërbeu” të Prenk Jakovës dhe jo vetëm.
Çdo vit nis me imazhin e njëjtë të kushteve infrastrukturore në skenën kulturore të kryeqytetit. E sivjet, me buxhet të paraparë prej gjithsej 662 mijë Opera e Kosovës synon të prekë tri produksione operistike në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë.
Institucioni operistik i Kosovës e nis vitin me shfaqjen e operës “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit në Shkup. Pas shfaqjes në kryeqytetin shqiptar, e kishte në plan edhe atë maqedon. Më 10 shkurt, opera e parë e Kosovës shpalos rrëfimin në Operën e Baletit Kombëtar në Shkup. Kësisoj, trupa artistike e kësaj opere gjen në rajon kushtet që meriton.
Regjisori i këtij produksioni, mjeshtri Nikolin Gurakuqi është duke mbikëqyrur provat e kastit që nga 19 janari. Në nëntor të 2024-s, “Goca…” qe shfaqur në Tiranë e në Gjakovë.
Zëvendësuesi i drejtorit të Operës, Meriton Ferizi, ka bërë me dije se opera shfaqet në kuadër të agjendës së festimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në shënim të dy ngjarjeve të rëndësishme shtetërore, Opera vjen me koncert të veçantë me motive shqiptare.
“Më 6 mars, edhe kjo në kuadër të festimeve të Pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së, e mbajmë koncertin e radhës me orkestër, kor dhe dy pianiste dhe balet. Pianistet Elizabeta dhe Artemida Qarri i zëvendësojnë solo këngëtarët me vepra kryesisht shqiptare, por edhe botërore. Është një koncert shumë i veçantë ku veprat janë aranzhuar dhe orkestruar enkas për dy pianistet”, ka bërë me dije Ferizi.
Pianistet motra do të interpretojnë vepra si “Baresha” e Rexho Mulliqit, “Rrjedh në këngë e ligjërime” nga Feim Ibrahimi, “Margjelo” nga Prenk Jakova dhe jo vetëm, përfshirë edhe një pjesë të vogël të repertorit botëror.
Po në mars pritet të hapen konkurset e Operës për orkestër, kor dhe për solistë. Edhe kësaj radhe i duhet angazhimi i përkohshëm i artistëve për realizimin e projekteve.
Ky formacion që do të zgjidhet, së bashku me solistët e ftuar, pritet të zbërthejë rrëfimin e veprës madhështore “Turandot” të Puccinit. Ndonëse Opera e Kosovës ende është në nisje të gjurmimit të repertorit operistik botëror, përzgjedhja e “Turandot” nuk është e rastësishme pasi vjen si rrjedhojë e festimit të krijimtarisë së veprës së kompozitorit të shquar italian.
Produksioni vjen në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ndryshe nga vitet e kaluara kur Opera e Kosovës bashkëpunonte me produksione bullgare.
“Është ‘Viti Puccinian’, pra festohet në gjithë botën me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Puccinit. Opera planifikohet të jepet në fund të qershorit. Do të hapim audicionet dhe konkurset për solistë për role dytësore, të tjerët do t’i ftojmë në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Kemi dy produksione të mëdha: ‘Turandot’ dhe ‘Skënderbeu’ të Prenk Jakovës, së bashku me TOB-in”, ka thënë Ferizi duke theksuar se Opera e Kosovës nuk ka kapacitete për të realizuar e vetme vepra të tilla.
“Është vepër shumë e madhe dhe nuk bëhet pa një produksion tjetër, siç kemi bashkëpunuar më parë me Bullgarinë, e tash na duhet krahu i Shqipërisë. E kemi adresë kryesore që i drejtohemi dhe kemi gjetur shumë bashkëpunim me drejtorin e ri, Aulon Naçin. Veçse na ka ftuar në një takim dhe do të shkojmë gjatë javës dhe i ndajmë të gjitha obligimet tona”, është shprehur Ferizi.
“Turandot” e Puccinit është një ndër veprat e pakta të shekullit XX që ka ruajtur rëndësinë e tij në teatrot e operave botërore. Vepra mbeti e papërfunduar si shkak i vdekjes së kompozitorit më 29 nëntor 1924. Pjesa e papërfunduar e veprës, dy skenat e fundit, u plotësuan nga kompozitori e pianisti i shquar italian, Franco Alfano.
“Turandot” shquhet jo vetëm për shkëlqimin muzikor, por edhe për përshkrimin kompleks të personazheve dhe eksplorimin e temave si dashuria, sakrifica dhe fuqia e dhembshurisë. Përmban një numër ariesh të paharrueshme, ndër të cilat edhe e famshmja “Nessun dorma” për zë tenor.
Libreti i operës, i shkruar në tri akte nga Giuseppe Adami dhe Renato Simoni, bazohet në dramën me të njëjtin emër të Carlo Gozzit, e cila frymëzohet nga një përmbledhje persiane me tregimet e njohura “Një mijë e një net”.
E vendosur në Kinën e lashtë, opera e Puccinit eksploron temat e dashurisë, pushtetit dhe jo vetëm. Opera tregon historinë e Turandot, një princeshë kineze e bukur por zemërftohtë e cila i sfidon pretendentët e saj me gjëegjëza. Mospërgjigjja e saktë rezulton në ekzekutimin e tyre. Narrativa zhvillohet derisa princi i panjohur, Calaf, pranon sfidën duke rrezikuar jetën e tij për mundësinë për të fituar dashurinë e Turandot.
Në bashkëpunim me Operën dhe Baletin e Kosovës do të sillet edhe opera “Skënderbeu”. Në veprën me muzikë të Prenk Jakovës dhe me libret të Llazar Siliqit, lexohen vitet e shekullit të 15-të. Ngjarjet zhvillohen në vjeshtën e vitit 1443, me një kryengritje fshatarësh të revoltuar nga pushtuesit osmanë. Gjergj Kastriot Skënderbeu u bën thirrje arbërve të bashkohen për të çliruar Krujën. Në aktin e dytë, ku ngjarjet ndodhin në pranverë-verë të vitit 1444, ka vend për pak lirizëm femëror, që vjen përmes takimit të Mamicës dhe Donikës. Në qendër është Skënderbeu i ri, që zgjon shpresat për liri në të ardhmen, ndërkohë që fundi i jetës së tij nuk tregohet.
Ferizi ka bërë me dije se janë në bisedime për të bashkëpunuar edhe për operetën “Karnevalet” të Avni Mulës, vepër e cila është në programin e TOB-it dhe ka për regjisore vajzën e kompozitorit, Inva Mulën.
Këtë vit homazh me koncert i dedikohet Nexhmije Pagarushës, ndërsa Opera i bashkohet asaj të Filharmonisë për koncerte si ai i 10-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë në Romë, në pjesën e dytë të vitit. Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Krejt këto ngjarje dhe jo vetëm do të realizohen me buxhet të paraparë sipas Projektligjit mbi ndarjet buxhetore prej 662 mijë eurosh. Me Projektligjin e buxhetit për këtë vit, Opera e Kosovë ka të parapara 400 mijë euro si subvencione dhe transfere, 157 mijë euro për mallra dhe shërbime ndërsa 105 mijë për paga dhe shtesa.
Vitin e kaluar, kryengjarje e Operës qe opera “Carmen” e Georges Bizet me regjisor Ognian Draganov dhe dirigjent Peter Valentovic në muajin korrik, në bashkëpunim me TOB-in. Një pruduksion i tillë pati shkëlqyer në skenë, por hijezohej nga prapaskena me mungesë kushtesh bazike për shfaqje të tilla, prej sallës që ngufat publikun e deri te imazhi kur fiken dritat e skenës.
Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit të kaluar, Opera posedonte 92 mijë euro për paga dhe shtesa, 150 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 400 mijë euro për subvencione dhe transfere. Si total, 642 mijë euro. Zëvendësuesi i drejtorit të Operës, Meriton Ferizi, ka thënë se vitin e kaluar u është dashur të kërkojnë buxhet shtesë nga Ministria e Kulturës dhe se institucioni kishte shkelur vlerën prej 850 mijë euro.
“Buxheti është rritur çdo vit. Sivjet kemi mbi 600 mijë. Vitin e kaluar kemi pasur 850 mijë euro shpenzime, pra më shumë se buxheti, por kemi mundësi të aplikojmë për buxhet shtesë sepse Opera nuk ka punëtorë të punësuar. Kjo na ndëshkon, sepse për çdo projekt e produksion, çdo person që përfshihet aty duhet ta fusim në kontratë. Kjo na ngarkon shumë buxhetin, na harxhon dy-tre fish”, ka thënë ai.
Për 250 mijë euro më pak buxhet se vitin e kaluar, sivjet Opera synon tre produksione operash nga një sa kishte vitin e kaluar.
Opera kapërcen kufijtë dhe kohën, por në Kosovë, assesi problemet që e ngufasin çdo ditë.