Ndonëse filmat janë shfaqur paraprakisht në vend, i pari në edicionin e 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” dhe tjetri në festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest” në Prizren, publiku ka mbushur sallën e “Armatës”. Aty kanë pasur mundësinë gjithashtu të takoheshin e të bisedonin me autoren e filmave dhe protagonistët e dy projekteve filmike. “One woman film” me intimitetin e rrëfimit të një gruaje dhe “SOS”, fituesi i sivjetmë i “DokuFestit”, për krizën ekzistenciale të një 30-vjeçari, kanë qenë tregimet
Dy filma të shkurtër nga Anita Morina janë shfaqur si pjesë e programit të filmave të shkurtër në kinemanë “Armata” në Prishtinë. “One woman film” me intimitetin e rrëfimit të një gruaje dhe “SOS”, fituesi i sivjetmë i “DokuFestit”, për krizën ekzistenciale të një 30-vjeçari, kanë qenë tregimet.
Ndonëse filmat janë shfaqur paraprakisht në vend, i pari në edicionin e 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” dhe tjetri në festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest” në Prizren, publiku ka mbushur sallën e “Armatës”. Aty kanë pasur mundësinë gjithashtu të takoheshin e të bisedonin me autoren e filmave dhe protagonistët e dy projekteve filmike.
Fillimisht është shfaqur “One woman film” me skenar e nën regji të Anita Morinës. Personazhi i vetëm është një vajzë që punon atë që njihet si “cam girl”. Ajo incizon veten duke gatuar për të ftuarin e saj për darkë, teksa flet për tema të ndryshme me audiencën e saj.
Kamera statike me imazhe bardhezi zbeh kufijtë midis performancës dhe intimitetit. Në nëntë minuta, protagonistja e luajtur nga aktorja Drita Kabashi shpreh mendimet e saj. E kur ai mbërrin, ajo ndal kamerën dhe tregimi ndërpritet aty.
Aktorja Kabashi ka thënë se jo veç rrëfimi, por edhe procesi i punës në film ka qenë tejet intim.
“Kjo eksperiencë ka qenë shumë e veçantë, sepse publiku mendoj se e ka ndier këtë intimitet. Xhirimet i kemi bërë për gjashtë orë në banesën e shoqes sonë. E kemi pasur ekipin shumë të vogël. Tekstin e ka shkruar Anita, por ka qenë e hapur për bashkëpunim më tej. Ka qenë projekt shumë intim, ndonëse ka pasur shumë hallakamë në set. Ka qenë eksperiencë unike, është ndier më shumë si të pish kafe me miq, pra aq i lehtë ka qenë procesi”, është shprehur ajo.
Regjisorja Morina nuk ka folur shumë për filmin, duke e kaluar pjesën e shpjegimit kryesisht tek aktorja Kabashi.
“Ajo është një ‘cam girl’ që paraqitet para publikut të vet dhe audiencës së gjerë që nuk di shumë. Sot e kemi shumë të nevojshme të flasim edhe me vetveten. Por puna e gjithë filmit është Drita”, është shprehur ajo.
“One woman film” sikurse edhe “SOS” janë filma të prodhuar këtë vit. I dyti, në 16 minuta sjell në qendër Drinin, 30-vjeçar në rutinën e tij duke regjistruar kohën e vajtje-ardhjeve të trenit të vetëm që kalon veç çdo dy ditë në këtë stacion. Ai në bashkëbisedë me të atin, rol që e luan Shkumbin Istrefi, flet për gjendjen e shtetit si reflektim i stacionit të trenit që dikur mbushej me udhëtarë e kishte disa linja. E sot kalon andej vetëm një herë në dy ditë. Konsiderohet si punë e kotë. I hedh kunja sesi kishte ardhur koha dhe ishte bërë si i biri. E pastaj e kishte lënë punën.
Naiv por ambicioz është protagonisti i luajtur nga aktori Gentrit Shala. Ai dhe kolegu i tij presin për një mundësi për të ikur nga vendi.
Shala ka thënë se procesi i punës për filmin ka qenë shumë shoqëror.
“Ka qenë përvojë e mirë, ka qenë ideale pasi më ka pëlqyer të punoj me Anitën, sepse ka qenë shumë e hapur për diskutime, për ide, për çfarëdo. Kam qenë i lirë të propozoj, të bëj diçka që dua ta bëj. Edhe nëse ajo e ka refuzuar, ka qenë një refuzim shumë i lehtë. Ka qenë pune ekipore që jemi kënaqur duke punuar dhe nuk e kemi ndier lodhjen. Xhirimet kanë qenë shumë lehtë. Ka shkuar shumë mirë”, ka thënë ai.
Morina e ka njoftuar edhe publikun në “Armatë” se historia e filmit “SOS” ka nisur shumë natyrshëm.
“Kam qenë duke bërë fotografi, kam kaluar kah Fushë-Kosova, aty është ky stacion. Kam nisur ta fotografoj këtë dhomën e vogël dhe doli një i ri e tha: ‘Çfarë po bën?’. I thashë: ‘Po fotografoj’. Më tha: ‘Nuk guxon!’. E pyeta se çfarë bën ai dhe më tha: ‘E këqyri trenin’. Duke menduar, thashë se sa shumë dha për dhjetë sekonda dhe sa shumë e do atë vend nëpër të cilin askush nuk kalon e as nuk e shoh dhe se sa patetik mund të bëhemi ne me gjërat që nuk i vlerësojmë çdo ditë. Realisht ideja ka lindur prej asaj bisede dhjetë sekondash”, ka treguar ajo.
Ka thënë se të riun që punonte aty nuk e ka parë më, porse kolegu i tij e ka siguruar atë se aktori Shala në rolin e Drinit e ka sjellë rolin e tij shumë të përputhur me karakterin e shokut të atij punonjësi aty.
“Atë djalin nuk e kam parë më kurrë, por kur kemi xhiruar në stacionin e njëjtë, ka qenë kolegu i tij, i cili po ashtu ka qenë i entuziazmuar për punën e tij. Na ka siguruar që ai i bën gjestet krejtësisht njëjtë siç i bën Gentriti në film dhe se nuk ia huq aspak kalimit të trenit”, ka thënë më tej Morina, regjisore, skenariste dhe producente.
Ajo ka kryer studimet “Master in Film and Television Production” në Cambridge të Britanisë së Madhe. Morina është zhvilluese e projekteve në “Filmik Institute”, institucion i pavarur që synon të nxisë rrëfimin bashkëkohor dhe debat kritik në kinemanë e Kosovës.
Drini shfaqet duke mbledhur kënaçe. Është tip i dashur prandaj me zemërngrohtësi i përshëndet fëmijët të cilët, midis tyre, nisin të shprehin paragjykimet ndaj tij. I turpshëm dhe i emocionuar në “lidhjen” e tij, por edhe më i thellë është emocioni ndaj punës së tij. Për të vagonët e trenit me xhama të krisur e shfaqin një lloj mjerimi të gjendjes, porse ende ato janë shumë të bukura.
Në film luan edhe aktorja Rebeka Qena si nëna e Drinit, e cila kryesisht e ngushëllon atë. Me largimin nga puna si rrjedhojë e zëvendësimit të tij me një radar, Drini zhytet në një krizë ekzistenciale.
Sipas regjisores e skenaristes së filmit Anita Morina, protagonisti qendror e rigjen veten në deklaratën e bindjen për t’u martuar me të ardhur “ e dashura” e tij në Kosovë.
“Në kohërat moderne, akronimi ‘SOS’ ka marrë kuptimin ‘Save Our Souls’, që nuk është rreziku i madh, por ndihmë që na duhet brenda vetes. Drini e kalon këtë ‘SOS’ nga mesi i rrëfimit. Drini nuk është i vetmuar, por në një moment atë ‘SOS’ që e shtyp, atë e gjen prapë tek vetja dhe tek ëndrra që e ka për t’u martuar dhe për të krijuar familje”, është shprehur ajo.
Ky film ka fituar çmimin kryesor – Filmi më i Mirë Kombëtar – në edicionin e 24-t të “DokuFest”-it, që u mbajt prej 1 deri më 9 gusht. Aty ka pasur edhe premierën botërore.