Fasada e zhveshur, tavani i shembur e enterieri bosh, nuk ruajnë asnjë shëmbëllim nga ditët e saj të arta. Dikur ishte “Qendër Kulturore”, por sot ajo është një ngrehinë gati e shkatërruar në lagjen “Hajvalia”. E braktisur, hapësirat e saj nga brenda janë pushtuar nga barishtet, madje banorët afër shqetësoheshin edhe nga gjarpërinjtë aty. Por, Komuna e Prishtinës po mendon që këtë objekt ta rifunksionalizojë për nevojat e banorëve lokalë.
Nënkryetari Selim Pacolli, bashkë me drejtoreshën për Kulturë, Blerta Basholli, të enjten kanë vizituar këtë objekt, për t’i parë mundësitë e rifunksionalizimit të kësaj qendre. Sipas njoftimit të Komunës, “fillimisht do të bëhet vlerësimi i qëndrueshmërisë së ndërtesës ekzistuese, për të vazhduar pastaj edhe me projektin kryesor për rifunksionalizimin e qendrës”.
Drejtoresha e Kulturës, Blerta Basholli, ka bërë të ditur se tashmë është formuar komisioni profesional nga Drejtoria e Investimeve Kapitale për të vlerësuar këtë ndërtesë. “Besoj që javën e ardhshme ata do të dalin për të vlerësuar qëndrueshmërinë e ndërtesës dhe për të na orientuar se a mund të rivitalizohet ndërtesa dhe nëse po cila pjesë”, ka thënë Basholli të premten për KOHËN.
Duke folur mbi projektin ideor për të cilin tashmë janë ndarë 150 mijë euro në fazën e parë, ajo ka thënë se ekzistojnë disa ide për objektin.
“Sapo të lirohen masat mbrojtëse ndaj pandemisë, ne do të kemi mundësi të bisedojmë me banorët e Hajvalisë për t’i parë nevojat e tyre, në mënyrë që të mos u imponojmë diçka që nuk mund t’u hyjë në punë”, ka thënë Basholli. “Duam ta kthejmë në funksion një qendër që do të jetë aktive dhe e dobishme për komunitetin që jeton aty”.
Për dekada me radhë, ky objekt ishte përdorur për aktivitete kulturore nga të rinjtë e fshatit. Por, në krye të herës, ajo kishte qenë në pronësi të minierës së Kishnicës.
“Objekti ka qenë çdo herë pronë e minierës së Kishnicës. Ai ishte i dedikuar për punëtorët, por është përdorur historikisht nga rinia e fshatit”, ka thënë Pacolli të premten për gazetën. Duke folur për projektin ideor që do të paraqitet gjatë javës së ardhshme, nënkryetari i Prishtinës ka bërë me dije se Komuna, në marrëveshje me minierën, ka ndërmarrë nismën për restaurimin e saj.