Mjegulla e dendur e bënte surreale hapësirën mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës. Kupolat e ndriçuara lehtë nga dritat e neonit bashkë me tisin e mjegullës ia bënë një hapje të pazakontë ekspozitës së artistit, Driant Zeneli.
Vetë ai e kishte shestuar ekspozitën si një labirint iluzionesh që zbulon përmes kthinash botë e rrëfime të ndryshme. Kështu, rrugëtimi brenda mjediseve të Galerisë është një odise mes iluzionesh. Si asnjëherë më parë, Zeneli ka vënë në lojë fuqinë e iluzores: dera e hyrjes dhe ajo e daljes janë ndryshuar teksa dhomat kanë edhe mure të reja ndarëse që krijojnë ndjesinë e një ecjeje shpesh qorre brenda kthinave të një labirinti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në prill të këtij viti vepra e tij “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm” kishte përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie.
Si për atë vepër, edhe për versionin në Prishtinë, frymëzimi që kishte lindur duke shfletuar faqet e librit “Drejt Epsilonit të Eridanit” të Arion Hysenbegasit, ka zënë vend kudo në dy katet e “tjetërsuara” të Galerisë. I përkrahur nga GKK-ja, BKK-ja dhe organizata “BONEVET”, të enjten në mbrëmje është hapur ekspozita “N'përpjekje për me u çue” e kuruar nga Claudia Buizza dhe Alicia Knock.
Kjo e fundit ka thënë se ka nderin që vazhdon edhe më tej të zhytet në aventurën që sivjet u shfaq në Venecie.
Ishte pikërisht loja me iluzionin ajo që hapi siparin e “hyrjes” së re në Galerinë Kombëtare. Në sallën e ekspozitave ishin vendosur disa të rinj që me llastiqe “godisnin” vizitorët. Por “gurët” e tyre s’ishin veçse letra të bëra shuk e nishani i tyre sakaq pengohej nga xhamat. Hyrja përmes një të çare të ngushtë e kthente sakaq secilin në një dimension fëmijërie. Për kuratoren Knock, ideja e iluzionit ka qenë një prej aspekteve më të rëndësishme në veprat e Driantit.
“Vepra e Driantit dëshmon se si mund të ndikosh realitetin përmes imagjinatës, ku përmes një dere të vogël hapen shumë botë të vogla”, ka thënë ajo.
Teksa vizitorët hutoheshin nëpër “kthinat” e Galerisë, Drianti gjithë durim ua ka shpjeguar domethënien e instalacioneve dhe video-instalacioneve. Bashkë me realizimin e një videoje, ku “peshku fluturues” arratiset nga Biblioteka Kombëtare, realizimi i gjithë projektit ka zgjatur afër dy muaj.
Ekspozita “N’përpjekje për me u çue” është përkrahur edhe nga fondacioni “Unë e Du Kosovën”, nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, Instituti i Kulturës Italiane në Tiranë, Ambasada e Francës dhe “Seven Gravity Collection”.
Driant Zeneli (lindur në Shkodër, 1983), jeton dhe punon mes Tiranës dhe Milanos.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)