Kulturë

“Njeriut të Javas” kthehet në vendin e origjinës pas 130 vjetësh

Një kapak kafke, pjesë e një grupi kockash parahistorike të njohura si “Njeriu i Javas”, u kthyen nga Holanda në Indonezi. (Foto: Ilvy Njiokiktjien për “The New York Times”)

Një kapak kafke, pjesë e një grupi kockash parahistorike të njohura si “Njeriu i Javas”, u kthyen nga Holanda në Indonezi. (Foto: Ilvy Njiokiktjien për “The New York Times”)

Pas më shumë se 130 vjetësh, fosilet u kthyen me ceremoni në Muzeun Kombëtar të Indonezisë në Xhakartë, ku do të ekspozohen për publikun e gjerë. Rreth 40 mijë fosile u morën në fund të shekullit të 19-të nga shkencëtari holandez, Eugène Dubois. Indonezia kishte dekada që përpiqej t’i rikthente ato nga Holanda

Holanda ia ka kthyer Indonezisë disa kocka parahistorike të njohura si “Njeriu i Javas” — nga një specie që për një kohë të gjatë është konsideruar si “lidhje e munguar” midis njerëzve dhe majmunëve — duke shënuar kthimin e parë në kuadër të planit për riatdhesimin e rreth 40 mijë fosileve të larguara nga shkencëtari holandez, Eugène Dubois, gjatë sundimit kolonial.

Copëzat e skeletit — një kapak kafke, një dhëmballë dhe një kockë e kofshës — ishin mostrat e para të njohura të Homo erectus, specia e parë njerëzore me trup dhe ecje të ngjashme me njeriun. Edhe pse kockat shpesh quhen kolektivisht “Njeriu i Javës”, shkencëtarët sot besojnë se ato i përkisnin disa individëve të ndryshëm. Në riatdhesim u përfshi edhe një guaskë e gërvishtur nga specia Homo erectus.

Pas më shumë se 130 vjetësh, objektet u kthyen me ceremoni në Muzeun Kombëtar të Indonezisë në Xhakartë, ku do të ekspozohen për publikun e gjerë. Ambasadori holandez në Indonezi, Marc Gerritsen, ia dorëzoi zyrtarisht ato ministrit indonezian të kulturës, Fadli Zon.

“E ndiej vërtet rëndësinë historike të këtij udhëtimi”, ka thënë Marcel Beukeboom, drejtori i përgjithshëm i Muzeut të Holandës ku objektet ishin ekspozuar, në një mesazh të dërguar nga avioni, ndërsa transportonte kockat në një valixhe të gjurmuar me GPS, me kontroll klimatik dhe vulë diplomatike.

Deri vonë, fosilet ishin pjesa qendrore në sallën e njohur të galerisë “Njerëzit e Hershëm” në Qendrën e Biodiversitetit Naturalis në Leiden, Holandë. (Foto: Ilvy Njiokiktjien për “The New York Times”)

Rasti i kthimit të kockave të “Njeriut të Javas” ka qenë me interes të veçantë për muzetë e historisë natyrore në mbarë botën, sepse është një nga kërkesat e para për kthim që përfshin objekte parahistorike dhe jo artefakte të qytetërimit njerëzor, të cilat mund të lidhen me tradita kulturore ose shoqërore, apo të identifikohen si mbetje të paraardhësve.

Debati rreth riatdhesimit në këtë rast u zhvendos drejt çështjeve të pronësisë intelektuale dhe sovranitetit shkencor. Duke qenë se ato u morën nga përfaqësues të huaj të një fuqie koloniale që skllavëroi popullsinë vendase dhe shfrytëzoi burimet lokale, autoritetet në Holandë dhe Indonezi ranë dakord se fosilet janë pjesë e historisë indoneziane.

Deri vonë, fosilet ishin pjesa qendrore në sallën e njohur të galerisë “Njerëzit e Hershëm”, në Muzeun e Biodiversitetit Naturalis në qytetin e Leidenit, të ekspozuara për t’u treguar vizitorëve se si mund të dukej Njeriu i Javës. Ato ishin ndër më shumë se 40 mijë fosilet që Dubois i nxori nga brigjet e lumit Bengawan Solo në ishullin Java, dhe nga gërmime të tjera në atë që atëkohë quhej “Dutch East Indies”.

Ai i dërgoi ato në Holandë duke filluar nga viti 1891, dhe u bënë pjesë e koleksionit të muzeut “Naturalis”, një institucion shkencor 200-vjeçar. Indonezia bëri kërkesën e parë zyrtare për kthimin e kockave “Njeriu i Javas” dhe koleksionit më të madh të Dubois, menjëherë pasi fitoi pavarësinë nga sundimi holandez në vitin 1949.

Autoritetet i hodhën poshtë kërkesat për vite me radhë, por në vitin 2020, pasi një komitet këshillues i qeverisë holandeze rekomandoi më shumë veprime për kthimin e objekteve të epokës koloniale, qeveria indoneziane e parashtroi kërkesën sërish. Komiteti porositi gjithashtu një studim mbi origjinën e Koleksionit Dubois dhe në fund rekomandoi kthimin e të gjithë thesarit.

“Komiteti beson se rrethanat në të cilat u morën fosilet tregojnë se ka gjasa që ato të jenë marrë kundër vullnetit të popullit”, thuhej në një njoftim për shtyp të lëshuar nga “Naturalis” në atë kohë. “Fosilet kishin vlerë shpirtërore dhe ekonomike për popullsinë vendase, e cila u detyrua të zbulonte vendndodhjet e tyre”.

Në shtator, Holanda u zotua të kthejë një pjesë të konsiderueshme të Koleksionit Dubois. Përveç katër pjesëve të kthyera tashmë, fosilet e mbetura dhe mostrat e tokës nga “Naturalis” pritet t’i dërgohen Indonezisë në vitin 2026.

Një copë e vogël nofulle nga një Homo erectus, pjesë e fosileve në Koleksionin Dubois në muzeun “Naturalis”. (Foto: Ilvy Njiokiktjien për “The New York Times”) 

Sri Margana, studiues i historisë në Universitetin “Gadjah Mada” në Yogyakarta të Indonezisë, ka thënë shkencëtarët indonezianë tani do të jenë në gjendje t’i krahasojnë fosilet me të tjera të gjetura së fundmi në Sumatra dhe Sulawesi, për të krijuar lidhje të reja mbi evolucionin njerëzor në Azi.

“Bëhet fjalë edhe për njohjen e rolit të popujve indigjenë në këtë zbulim”, ka shtuar ai. “Ekspedita u drejtua nga Dubois, por në fakt ai nuk bëri aq shumë. Ai u mbështet te njerëzit vendas që bënë punën e vështirë, si dhe te intelektualët indigjenë që e njihnin vendin, kishin njohuri për historinë e lashtë, si dhe te udhëheqësit lokalë që u përfshinë në këtë ekspeditë. Ne duam ta njohim edhe këtë pjesë të historisë”.

Fenneke Sysling, historiane e shkencës dhe kolonializmit në Universitetin e Leidenit, e cila është bashkautore e studimit shkencor mbi origjinën e Koleksionit Dubois, ka thënë se riatdhesimi përfaqëson një formë të “drejtësisë epistemike”.

“E gjithë njohuria që fuqitë koloniale kanë mbledhur në kolonitë e tyre i ka bërë institucionet tona kërkimore shumë të forta, dhe kjo do t’i kishte dhënë Indonezisë një fillim më të mirë kur u bë e pavarur, për shembull, nëse shumica e këtyre koleksioneve do të kishin qëndruar në Indonezi”, ka thënë Sysling në një intervistë. “Këto fosile tani po kthehen në Indonezi në mënyrë që shkencëtarët lokalë të mund të ndërtojnë punën dhe karrierën e tyre mbi kërkimet e tyre”.
Për muzeun “Naturalis”, riatdhesimi do të thotë gjithashtu se galeria e “Njerëzve të Hershëm” do të duhet të përshtatet.