Si rrallëkush, ai e kishte kthyer në pasion jetësor kuturisjen pas artit mesjetar shqiptar. Afresket që kishin përjetësuar engjëj e motive gjithfarësh, ai dinte t’i aktualizonte sikur të zotëronte aftësinë e ringjalljes së atyre nga bota e matanshme. Nja njëzet vjet më parë, ai zor po e përmbante mrekullimin nga një poezi e gravuar në një afreske të manastirit të Shën Marisë në fshatin Athali të Himarës.
E shkruar me një greqishte që çalonte me gabime drejtshkrimore, poeti i panjohur bënte një meditim imagjinar para varrit të Aleksandrit të Madh. “Duke të parë ty, o varr/ trembem nga pamja jote/ dhe i derdh lotët si shi/ që më pikojnë nga zemra/ kujtoj borxhin që është për të gjithë/ o si do kalojë/ deri në fund!/ obobo, obobo nga kjo a i pavdekshëm/ kush vallë do të shpëtojë ty?/
Larg një tmerri të tillë ekzistencial, për Moikom Zeqon thuhej se ia kishte “hedhur” vdekjes para disa vjetësh kur po mjekohej për sëmundjen e rëndë të leukemisë akute.
“O djalë, isha te vdekja, e pashë me sytë e mi, besomë, nuk kishte asgjë matanë, asnjë botë, krejt bosh!”, i kishte thënë me ironi një miku të tij në Tiranë.
Por mëngjesi i së hënës, në moshën 71-vjeçare, ishte dueli i humbur për Moikomin përballë kthetrave të sëmundjes. I pandarë nga shkrimi gjer në fund, mes eulogjive e fjalëve të ndiera gjithandej hapësirës shqiptare, ai u vlerësua si një prej autorëve më prodhimtarë në botën e letrave shqipe.
“Testamenti” që kur të vdiste t’i bëheshin homazhet në Muzeun Kombëtar, është vënë në vend. Familjarë, miq e bashkëpunëtorë sot prej orës 10:00 do të kenë rastin për t’ia dhënë lamtumirën e fundit në hollin e godinës, kur për disa vjet kishte qenë drejtor.
“Inkursioni” që filloi me risimin e poezisë
Vinte shpesh në galerinë e artit “Zenit” në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë. Prej të hënës miqtë e tij kanë ekspozuar botime, vizatime e piktura të Moikomit në një “orvatje përshpirtjeje”, siç thonë. Tek ai rreth i ngushtë që rrinin e llafosnin me të me orë të tëra, zbrazëtia e pakthyeshme ka filluar të ndihet me gjithë peshën e saj.
“Referuar vetë kredencave të Moikomit mbi raportin trup-shpirt dhe jetë-vdekje, ikja e tij nuk është një ikje nga kjo botë, por një ikje definitive nga bota”, thotë drejtuesi i galerisë dhe publicisti Krenar Zejno.
I ndjeri nuk besonte në një jetë të përtejme, por artin e krijimtarinë i shihte si eventualisht të vetmen trajtë të mundshme shpirti.