Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Një vit pas zjarrit shteti s’vë dorë në ish-“Kino Rini”

Kino Rinia

Prej kohësh godina kishte shenja të theksuara degradimi. Shkatërrimi fizik i saj është edhe zhdukje e një pjese të memories urbane e të identitetit kulturor të komunitetit. Prej vitesh, s’ka shenjë kinemaje në ndërtesën të cilën qeveritë lokale e qendrore disa herë kanë premtuar se do ta restaurojnë e rigjenerojnë

Objekti, dikur qendër e jetës artistike dhe shoqërore në kryeqytet, tash i lënë në harresë, i mbyllur dhe i tjetërsuar, kulmin e brutalitetit e pati me djegien e fundit, një vit më parë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nëpërmjet inspektimit kishte ardhur në përfundim se ndërtesa është në gjendje të rëndë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka një plan për ndërhyrje emergjente, por s’ka raport për dëme. Azbesti në kulm shihet si telashe për intervenim. E largimi i azbestit ngelet punë që s’e ka kush në plan

Ish-“Kino Rinia” në lagjen “Qafa” në Prishtinë, e lënë pas dore prej kohësh, ka imazhin e njëjtë edhe kur kanë kaluar më shumë se një vit prej zjarrit që e kaploi më 7 shkurt të vitit të kaluar. E vetmja masë e ndërmarrë qe rrethimi për shkaqe sigurie si rrjedhojë e gjendjes së rëndë fizike të objektit të mbrojtur në letër nga shteti si aset i trashëgimisë kulturore. Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë ka bërë me dije se ka plan për ndërhyrje emergjente derisa ende nuk ka raport për vlerësim të dëmeve. 

Objekti, dikur qendër e jetës artistike dhe shoqërore në kryeqytet, tash i lënë në harresë, i mbyllur dhe i tjetërsuar, kulmin e brutalitetit e pati me djegien e fundit, një vit më parë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nëpërmjet inspektimit kishte ardhur në përfundim se ndërtesa është në gjendje të rëndë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes. QRTK-së dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve u ishte rekomanduar të bëjnë vlerësim të dëmeve nga zjarri. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë kanë bërë me dije se ky raport nuk është hartuar. 

“Raporti përfundimtar për vlerësimin e dëmeve ende nuk ka mundur të hartohet, pasi paraprakisht duhet të përfundojë procesi i largimit të mbulesës së kulmit që përmban material asbesti”, thuhet në përgjigjen e tyre për KOHËN. 

Sipas QRTK-së, materialin duhet hequr një kompani e specializuar. 

“Vetëm pas trajtimit dhe largimit të këtij materiali të rrezikshëm nga një kompani e specializuar, ekipet profesionale do të mund të kryejnë inspektimin e plotë dhe vlerësimin e saktë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri”, thuhet më tej në përgjigje. 

Prej kohësh godina kishte shenja të theksuara degradimi. Shkatërrimi fizik i saj është edhe zhdukje e një pjese të memories urbane e të identitetit kulturor të komunitetit. Prej vitesh, s’ka shenjë kinemaje në ndërtesën të cilën qeveritë lokale e qendrore disa herë kanë premtuar se do ta restaurojnë e rigjenerojnë. Madje duke dhënë edhe afate. Zjarri i fundit ishte rikonfirmim i gjendjes së mjerueshme. Në vitin 2022, Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim. E një vit pas zjarrit të fundit institucioni lokal, s’ka përgjigje se si do të veprohet. 

Objekti në lagjen “Qafa” në kryeqytet u fut në Listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në tetor të vitit 2021. Një vit më pas, në korrik të vitit 2022, kur Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim një gjë të tillë e konsideroi si fitore të një beteje të gjatë ligjore. 

Po në ditën që e bëri të ditur këtë lajm, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte paralajmëruar se do të niste plani i rivitalizimit të objektit.

“Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit”, kishte shkruar ai në rrjete sociale. 

I vetmi hap që është marrë aty është rrethimi i pjesës së hyrjes në mënyrë që askush të mos ketë qasje në të. Sipas QRTK-së në Prishtinë, heqja e azbestit në kulmin e objektit u hap rrugë hapave të tjerë për ndërhyrje në ndërtesë.

“Ndërkohë, masat për sigurimin e ndërtesës janë propozuar dhe miratuar nga institucionet kompetente, ku një pjesë e tyre tashmë është realizuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës. Po ashtu, ekziston një Plan për Ndërhyrje Emergjente, i cili parasheh fillimisht largimin e asbestit, e më pas vazhdimin me vlerësimin teknik dhe përcaktimin e hapave të mëtejmë për ndërhyrje në ndërtesë”, shkruhet në përgjigjen e tyre. 

Ka qenë “Shtatëmbëdhjetë”, organizata e cila për një ditë, në fund të prillit të vitit 2023, ia dha funksionin kulturor “Kino Rinisë” me promovimin e librit “Kino Rinia – Zërat paralel” dhe premierës së dokumentarit “Parallel Voices”. Në 12 minuta sa zgjaste dokumentari me autor Gazmend Bajrin, “ekrani” i ish-“Kino Rinisë” dokumentonte gjendjen e mëparshme të vetë institucionit të dikurshëm. Libri nga grup autorësh është dokumentim i rrënjësishëm i kësaj kinemaje ikonë.

Zjarri i 7 shkurtit të vitit të kaluar s’është i pari për këtë objekt. Gjatë viteve ’60, ishte djegur e rregulluar sërish.  Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë. Kinemaja dikur me 850 ulëse, do të funksiononte si kinema edhe gjatë viteve ’90, e menaxhuar nga serbët. Ka qenë 6 shkurti i vitit 1952, kur aty për herë të parë u ndez projektori.
Pas luftës, të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2” menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”.

Zjarri i 7 shkurtit të vitit të kaluar s’është i pari për këtë objekt. Por ngelet i pari pa u trajtuar, madje edhe pa raport dëmesh

Prej vitit 2005, objekti i ish-“Kino Rinisë” nisi të jepej me qira. Për një kohë qe Gjykatë, më pas diskotekë e vend i lojërave të fatit. Më 2020 në ish-objektin e “Kino Rinisë” qe tentuar të bëhet rinovim i hapësirave. Bëhej fjalë për një ndërmarrës që posedon një rrjet marketesh. Por puna i ishte ndalur përderisa edhe shenjat që kujtonin kinemanë e dikurshme nuk janë më. Një pjesë e hapësirës së objektit ishte në proces rinovimi për nevojat e qiramarrësit paraprak, por që këto punime qenë ndaluar pas mosmarrëveshjeve në mes të qiramarrësit dhe qiradhënësit, që kishte rezultuar me ndërprerjen e kontratës së qirasë.

Në qershorin e vitit 2020, Agjencia Kosovare e Privatizimit – që menaxhon me ndërmarrjen “Genci”, asetet e së cilës ishin në likuidim që prej vitit 2014 – atë që e kishte quajtur “hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2”, kishte synuar ta jepte me qira.

Asokohe, AKP-ja do të sqaronte se ky objekt pas luftës së fundit nuk ka mundur të funksionalizohet si kinema, sepse ka qenë e pamundur dhe hapësirat e brendshme të objektit kanë nevojë për investime të theksuara në veçanti nëse planifikohet të shfrytëzohet si kinema. Po ashtu, kishte sqaruar se një pjesë e oborrit që shfrytëzohej si parking, nuk kishte më atë destinim me kërkesë të Komunës së Prishtinës.

Përkohësisht funksionin e dikurshëm të “Kino Rinisë” e ngjalli edhe bienalja “Manifesta 14” me edicionin e saj në Prishtinë në verën e vitit 2022 që kishte për koncept rikthimin e hapësirave të braktisura.  Qe një nga 25 lokacionet e Bienales Nomade Evropiane.  “Kino Rinia” e dikurshme u ringjall me veprën “Sometimes It Was Beautiful” të artistit Christian Nyampeta, me të cilën u realizua rikthimi i përkohshëm i kinemasë. Shfaqje filmi, audio e karrige kishte qenë përbërja e instalacionit të artistit nga Ruanda.