Kulturë

Një ligj për mbrojtjen e shqipes midis domosdoshmërisë dhe absurditetit

Ka disa vjet që, vrullshëm e pa fort analizë, debatet e nismat për hartimin e një ligji me të cilin do të mbrohej shqipja, mbërrijnë deri tek institucionet ligjvënëse. E radhës është ajo në Kuvendin e Shqipërisë, ku disa deputetë e konsiderojnë të domosdoshëm një ligj të tillë dhe zotohen se do ta çojnë përpara hartimin e tij. Disa gjuhëtarë përsërisin se gjuha nuk është pronë politike dhe se debatin duhet të bëjnë kompetentët. Për ta, ide të tilla janë absurde

Debati për gjuhën shqipe ka kohë që merr hov e pushon. Kur ndizet, përmenden ligje që do ta mbronin gjuhën. Më 2015, Instituti Albanologjik i Prishtinës kishte hartuar një koncept-dokument, të cilin ia kishte dorëzuar Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës në lidhje me hartimin e një ligji me të cilin do të mbrohej shqipja. Deputetët e asokohshëm, anëtarë të këtij komisioni kishin shprehur gatishmëri për nismën. Por disa gjuhëtarë iniciativën e kishin konsideruar edhe çmenduri.

Lajmet e tilla në dekadën e fundit vërtiten kohë pas kohe. Këto ditë kjo çështje është rikthyer te deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Me nismën e deputetes Flutura Açka, njëherësh kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar të martën veprimtarinë “Gjuha shqipe dhe identiteti i saj”. Në këtë ngjarje është rikthyer ideja për një ligj për mbrojtjen e shqipes. Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka theksuar se “në kushtet e globalizimit, të qarkullimit të lirë të ideve, dijeve, të përzierjes dhe bashkëjetesës së kombeve, kulturave e gjuhëve, shqipja, si të gjitha gjuhët e kombeve të vogla, po përballohet me sfida serioze”.

Por ideja për ligjin e gjuhës është elaboruar më shumë nga zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj-Valikaj, e cila ka thënë se institucionet në vend kanë një detyrim të madh në përhapjen e gjuhës korrekte, qoftë të folur dhe të shkruar, si dhe ka nënvizuar se ligji i mbrojtjes së gjuhës është i domosdoshëm.

“Ligji do të na ofrojë standardet e duhura. Kemi nevojë që të kemi një ligj që të mbrojë gjuhën tonë. Edhe gjuha jonë rrezikohet nga globalizmi, lëvizjet e shumta demografike. Do të kontribuojmë nga pozita e ligjvënësit për mbrojtjen e gjuhës”, ka thënë ajo. E kësaj ideje është edhe shkrimtarja Flutura Açka.

Tema të tilla gjithnjë ndajnë gjuhëtarët e albanologët: ata që janë të “shkollës që përkrah ligjin” dhe kundërshtarët.

Për gjuhëtarin, profesorin universitar e anëtarin korrespodent të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Shkumbin Munishi, kjo iniciativë është me mjaft probleme. Ka thënë se në radhë të parë për realizimin e saj ka telashe të mëdha.

“Gjuha ka disa procese inherente e dinamike brenda vetes që e bëjnë të ndryshojë në kohë e hapësirë. Është e pamundshme që këto ndryshime të mbrohen me ligj. Mandej lind pyetja se çka synon ai ligj”, ka thënë ai. Sipas Munishit, varietetet e gjuhës nuk rregullohen me ligj. “Nëse flasim për gjuhën standarde, atëherë problemi del në një rrafsh tjetër te problemet që i kemi me mësimin e shqipes në sistemin arsimor”, ka thënë ai.

Ka përsëritur se gjuha nuk është pronë politike, është pronë e një bashkësie shoqërore që e flet.

“Nëse duhet të ketë diskutime, duhet të ketë midis linguistëve. E kam fjalën për diskutime shkencore. Të tjerat janë të natyrës politike që mendoj se nuk çojnë askund. Historia e shqipes ka treguar se politika vetëm e prish atë”, ka thënë ai. Ka përsëritur se nuk është e udhës që të hartohen ligje që nuk do të zbatoheshin kurrë.

“Si do të zbatohej një ligj i gjuhës? Të bëhen organizma të veçantë për monitorim të zbatimit? Me duket çështje e politizuar që nuk duhet të vazhdohet. Nëse duhen diskutime, duhet bërë nga ekspertët. Problemeve të gjuhës duhet t’u prijnë gjuhëtarët”, ka thënë ai.

Kolegu i tij, gjuhëtari e profesori universitar, Rrahman Paçarizi, ka thënë se për gjuhën kanë të drejtë të flasin të gjithë, pasi ajo si mjet komunikimi përdoret nga të gjithë.

“Por pastaj ka një dallim esencial: të folurit me kompetencë apo me arsye populiste, të folkut, patriotike e kështu”, ka thënë ai. Sipas Paçarizit, ky debat nuk mund të shterohet nga deputetët e kuvendeve të Shqipërisë apo të Kosovës, pasi thjesht nuk dinë për këtë gjë.

“U mungon dija elementare ta trajtojnë shqipen në aspektin global e sa rrezikohet shqipja nga globalizmi. Mund të ndërmerren veprime në situata kur konstatohet se gjuha po përballet me rrezik real”, ka thënë ai. Ka treguar se ka studime që shqipen nuk e shohin si të rrezikuar dhe se nuk kujton të ketë hasur në ndonjë studim që e sheh shqipen të rrezikuar ose më të rrezikuar se gjuhët e tjera.

“Por nëse dikush e kthen debatin për rrezikimin e mbrojtjen e shqipes e edhe standardit atëherë kanë lajthitur me të madhe. Është absurde të synosh ta mbrosh shqipen nga ata që e flasin atë”, ka thënë ai.

Synimi i kahershëm që kthehet kohë pas kohe për një ligj për shqipen në emër të mbrojtës së saj, midis të tjerash – të paktën në Kosovë – kishte për qëllim edhe gjobitjen e atyre që nuk flasin standardin e vitit 1972 në komunikim publik.

Më 2015, Qemal Murati, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës ishte “zëri” i nismës për ligjin që mbron shqipen.

“Nuk ka çka fle më ai në sirtarët e Parlamentit. E kanë kërkuar atë dhe ua kemi përcjellë”, kishte thënë ai në nëntor të atij viti.

Kur ishte bërë publike nisma, ai i kishte thënë gazetës se ka arsye të forta për të kërkuar që gjuha shqipe të mbrohet me ligj të veçantë. Kishte thënë se çështja e kujdesit për shqipen standarde, në këta njëzet vjetët e fundit, pas vendosjes së pluralizmit politik, ka rënë pothuajse në shkallën më të ulët të degradimit të saj në shoqërinë shqiptare.

“Kjo duhet të përbëjë një shqetësim serioz për institucionet tona shtetërore, në radhë të parë për Parlamentin e Kosovës, që të miratojë urgjentisht një ligj për përdorimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe për Qeverinë që të aktivizojë mekanizmat mbrojtës në këtë fushë të gjuhësisë normative”, kishte thënë Murati. Sipas tij, në ligj duhet cekur se ata që nuk përdorin standardin gjuhësor në komunikimin publik duhej të gjobiteshin.

Kërkesa për një gjë të tillë kishte ardhur nga Instituti Albanologjik i Prishtinës pas një vizite që anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i kishin bërë këtij institucioni, në mars të vitit 2015.

“Instituti ka sjellë te ne një formë të përgjithshme, jo draftligj. Ne kemi kërkuar nga administrata e Kuvendit që të na gjejë një model. Ne ishim në pushim. Tash i kemi format dhe i analizojmë. Duhet ta zgjedhim modelin dhe të procedojmë”, kishte thënë ish-deputeti Nait Hasani, asokohe kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport. Sipas tij, gjuha duhet të jetë e hapur dhe ligji ka këtë synim. “Me ligj nuk mbyllet gjuha, por hapet dhe duhet të mbrohet nga ndikimet e jashtme”, kishte thënë Hasani.

Nisma e IAP-it për hartimin e një ligji kishte dalë një vit pasi në Shqipëri bëri goxha bujë letra që një grup ia dërgoi kryeministrit Edi Rama, ku i kërkohej që t’i dilte zot shqipes. Në fillim të majit të 2014-s Rama kishte pranuar letrën e një grupi prej njëzet vetash, ku gjysma prej tyre nuk janë gjuhëtarë. I kërkohej Qeverisë që të ndërhynte në mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke thënë se puna e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe po e shkatërron atë.