Kulturë

Nga inuitët te vikingët, historia e Grenlandës

Grenlande

Në vitin 1979, Grenlanda fitoi parlamentin dhe qeverinë e saj, megjithëse me kompetenca të kufizuara. Një hap i madh pasoi në vitin 2009, kur kontrolli mbi shumicën e çështjeve të brendshme iu dorëzua Grenlandës. Danimarka mbajti përgjegjësinë kryesore për politikën e jashtme dhe sigurinë

Njerëzit e parë u vendosën në Grenlandë rreth 4 mijë e 500 vjet më parë. Ata erdhën nga kontinenti i Amerikës së Veriut. Në shekullin 12, ata u zhvendosën gradualisht nga emigrantë aziatikë – populli Thule – që mbërritën në ishull nga Siberia përmes Ngushticës së Beringut. Pasardhësit e tyre janë inuitët, nga të cilët rrjedh shumica e 56 mijë banorëve të sotëm të Grenlandës

Para se Donald Trump të shprehte interesin e tij për këtë ishull në Arktik, ai nuk ishte pikërisht në qendër të vëmendjes globale. Gjithçka ndryshoi kur presidenti amerikan këmbënguli: “Ne duhet ta kemi Grenlandën”. Por kjo nuk është hera e parë që ishulli më i madh në botë është lakmuar kaq fort.

Njerëzit e parë u vendosën në Grenlandë rreth 4 mijë e 500 vjet më parë. Ata erdhën nga kontinenti i Amerikës së Veriut. Në shekullin 12, ata u zhvendosën gradualisht nga emigrantë aziatikë – populli Thule – që mbërritën në ishull nga Siberia përmes Ngushticës së Beringut. Pasardhësit e tyre janë inuitët, nga të cilët rrjedh shumica e 56 mijë  banorëve të sotëm të Grenlandës.

Ishulli ia detyron emrin eksploruesit viking Eriku i Kuq. Sipas rrëfimeve islandeze, ai u dëbua nga Islanda rreth vitit 982 për vrasje. Ai dhe ndjekësit e tij lundruan drejt perëndimit dhe arritën në ishullin arktik. Për të nxitur vendosjen, ai e quajti Grœnland, ose “tokë e gjelbër”. Ndërsa pjesa më e madhe e Grenlandës është e mbuluar me akull, disa zona bregdetare ishin relativisht të gjelbra gjatë asaj periudhe.

Vendbanimet nordike qëndruan në Grenlandë për rreth 400 vjet, përpara se të zhdukeshin plotësisht. Deri në shekullin XV, inuitët ishin sërish banorët e vetëm të ishullit. Megjithatë, në botën nordike vazhduan të qarkullonin legjenda për kolonët nordikë të humbur të Grenlandës, që thuhej se jetonin thellë në fjordet jugore dhe zotëronin pasuri të mëdha.

Këto histori arritën te Hans Egede, një prift norvegjez që besonte se kolonët nordikë mund të ishin ende gjallë në Grenlandë dhe kishin nevojë për udhëzim shpirtëror. Më 3 korrik 1721, pas një udhëtimi dymujor, anija e tij hodhi spirancën pranë bregut të Grenlandës.

Egede nuk gjeti asnjë komunitet nordik të mbijetuar. Në vend të tyre, ai hasi popullsi inuitësh që ndiqnin traditat e tyre shpirtërore. Ai nisi përpjekjet për t’i kthyer në krishterim, gjë që e shihte si misionin e tij fetar. Për këtë arsye, mësoi gjuhën inuit dhe studioi zakonet vendase. Meqenëse buka ishte e panjohur në Grenlandë në atë kohë, ai përshtati tekstet e krishtera me realitetin lokal duke e rishkruar vargun “Na jep sot bukën tonë të përditshme” në Lutjen e Zotit si: “Na jep sot fokën tonë të përditshme.”

Tre vjet pas mbërritjes, Egede pagëzoi fëmijën e parë inuit. Ai themeloi një kishë dhe ndihmoi në hedhjen e themeleve të asaj që më vonë do të bëhej kryeqyteti i Grenlandës, Nuuk. Një statujë e Egedes qëndron atje që nga viti 1922. Sot, ndikimi i tij debatohet ashpër, me shumë inuitë që e shohin atë si një simbol të hershëm të së kaluarës koloniale të Grenlandës.

Kur Hans Egede mbërriti në Grenlandë në vitin 1721, ai ngriti flamurin danez, duke pasqyruar realitetin politik të kohës: Danimarka dhe Norvegjia kishin qenë të bashkuara nën një kurorë të vetme që nga viti 1380, një bashkim personal që zgjati deri në 1814. Kur ky bashkim përfundoi, Grenlanda mbeti nën sundimin danez, një vendim që u kundërshtua nga Norvegjia.

Tensionet u përshkallëzuan në vitin 1931, kur Norvegjia pushtoi pjesë të Grenlandës dhe e shpalli zonën “Eirik Raudes Land”, sipas Erikut të Kuq. Danimarka e kundërshtoi këtë veprim dhe çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Në vitin 1933, gjykata vendosi se sovraniteti mbi të gjithë Grenlandën i përkiste Danimarkës, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes territoriale.

Gjatë shekullit XIX, Shtetet e Bashkuara ndoqën një politikë të jashtme ekspansioniste. Ato blenë Luizianën nga Franca në 1803, Floridën nga Spanja në 1819 dhe Alaskën nga Rusia në 1867.
Sekretari i Shtetit William H. Seward, arkitekti i blerjes së Alaskës, shprehu gjithashtu interes për blerjen e Grenlandës, duke e parë atë si strategjikisht të rëndësishme në raport me Kanadanë.

Megjithatë, Kongresi hezitonte të merrte përsipër atë që e shihte si kosto të larta të një territori të mbuluar me akull dhe me popullsi të rrallë. Në vend të kësaj, në vitin 1916, Shtetet e Bashkuara blenë Inditë Perëndimore Daneze – sot Ishujt e Virgjër të SHBA-së – për 25 milionë dollarë. Si pjesë e marrëveshjes, Washingtoni njohu zyrtarisht sovranitetin danez mbi Grenlandën.

Kur Gjermania naziste pushtoi Danimarkën gjatë Luftës së Dytë Botërore, kontrolli i drejtpërdrejtë danez mbi Grenlandën u ndërpre praktikisht. Në vitin 1941, ambasadori i Danimarkës në Uashington, Henrik Kauffmann, nënshkroi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Sipas saj, SHBA-ja do të furnizonte dhe mbronte Grenlandën, duke fituar të drejtën për të ngritur stacione meteorologjike dhe baza ushtarake në ishull.

Popullsia inuite e Grenlandës nuk u konsultua.

Në vitin 1946, një vit pas përfundimit të luftës, Shtetet e Bashkuara i ofruan Danimarkës 100 milionë dollarë në ar për të blerë Grenlandën, duke synuar të siguronin pozicionin e tyre strategjik në fillimet e Luftës së Ftohtë. Administrata e presidentit Harry S. Truman e shihte ishullin si jetik nga pikëpamja gjeopolitike, për shkak të vendndodhjes së tij në Amerikën e Veriut dhe rëndësisë për mbrojtjen arktike. Kjo pasqyronte logjikën e Doktrinës Monroe të shekullit 19, e cila pohonte kundërshtimin amerikan ndaj ndikimit të ri evropian në Hemisferën Perëndimore. Potenciali mineral i Grenlandës i shtonte më tej tërheqjen.

Danimarka e refuzoi ofertën. Megjithatë, në vitin 1951, të dy vendet arritën një marrëveshje që i lejoi Shteteve të Bashkuara të krijonin dhe operonin Bazën Ajrore Thule, e njohur sot si Pituffik Space Base, të cilën SHBA ende e përdor.

Në vitin 1953, statusi i Grenlandës ndryshoi nga koloni daneze në pjesë të integruar të Mbretërisë së Danimarkës. Ishullit iu dhanë dy vende në Parlamentin danez, por fuqia vendimmarrëse mbeti kryesisht në Kopenhagë.

Autoritetet daneze ndoqën politika që synonin “modernizimin” e shpejtë të shoqërisë së gjuetarëve dhe peshkatarëve të Grenlandës. Kjo përfshinte promovimin e gjuhës daneze, arsimit dhe normave shoqërore. Mënyrat nomade të jetesës u dekurajuan dhe shumë inuitë u zhvendosën në qytete më të mëdha.

Një nga politikat më të diskutueshme ndodhi në fillim të viteve 1950, kur 22 fëmijë inuit u morën nga familjet e tyre dhe u dërguan në Danimarkë. Qëllimi ishte t’i rrisnin “si danezë” dhe më pas t’i vendosnin në pozita drejtuese në Grenlandë.

Në të njëjtën kohë, zyrtarët danezë e shihnin rritjen e popullsisë së Grenlandës si barrë financiare. Në vitet ‘60 dhe ‘70, mijëra gra dhe vajza inuit u pajisën me kontraceptive  në disa raste pa pëlqim dhe të painformuar.

Në vitin 1979, Grenlanda fitoi parlamentin dhe qeverinë e saj, megjithëse me kompetenca të kufizuara. Një hap i madh pasoi në vitin 2009, kur kontrolli mbi shumicën e çështjeve të brendshme iu dorëzua Grenlandës. Danimarka mbajti përgjegjësinë kryesore për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Sot, mbështetja për pavarësi të plotë nga Danimarka mbetet e fortë në Grenlandë. Ajo që grenlandezët e refuzojnë në mënyrë dërrmuese është të bëhen pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Sondazhet e fundit kanë treguar se 85 për qind  kundërshtojnë çdo marrje kontrolli nga SHBA-ja. Deri tani, kjo pritje e ftohtë nuk duket se e ka dekurajuar Donald Trumpin. / Marrë nga DW