Thirrja për reflektim është baza e loja si art s’është në rend të parë. Në shfaqjen që mban titullin e perëndeshës antike të hakmarrjes dhe drejtësisë hyjnore Nemesis, arti është ai që i “hakmerret” pushtetit që çmendet nga arroganca. E zhvesh realitetin, ia heq maskën të pushtetshmit për ta parë të tjerët por edhe vetveten. Shfaqja me tekst të Lirak Çelajt e Florent Mehmetit i cili ka bërë edhe regjinë, nuk i flet direkt të sotmes por lidhja është e natyrshme. Është një shfaqje për një kohë të çuditshme
Është një shpjegim shkencor që sqaron se si ka raste kur sistemi nervor i të pushtetshmëve, ndryshon me të madhe duke i çuar në autoritarizëm. Ky shpjegim e hap shfaqjen me ekranet që shpërfaqin lëvizjen e neuroneve. E, këto ndryshime më pas pasqyrohen poshtë ekraneve, në skenë.
“Nemesis” mban titullin premiera e teatrit “Oda” ku të pushtetshmit humbin çdo arsye. Një kastë e gjeneratës së re të aktorëve vendorë nën regji të Florent Mehmetit “rrotullojnë” historinë prej shekujve para erës sonë e më pas. Janë rrëfime prozaike të vjetra që shkrihen në skenë, bashkë me shpjegime të reja shkencore. Krejt bashkë çojnë te çmenduritë e sundimtarëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoCroesus është mbret i Lidisë. Ekzaltimi nga pushteti, sundimtarin parahistorik e ka bërë të mendojë se edhe dielli sillet rreth tij. Edhe më të dijshmëve synon t’ua mbushë mendjen se ai është gjithçka. S’merr këshilla nga dijetarët por synon t’i “iluminojë”. Gjëra që ngjajnë edhe sot në hapësirën tonë, atë përreth e në krejt globin.
Synimet e Croesus për të shkatërruar Perandorinë Persiane pasojnë me shkatërrim të asaj që kishte ndërtuar për dekada. Kjo pasi ngazëllimi nga pushteti s’e lë t’i marrë vesh as këshillat që i japin dijetarët. Me kastën e aktorëve si Labinot Raci, Blend Sadiku, Fiona Abdullahu, Era Balaj e Art Pasha e me tekst të bashkëshkruar nga Lirak Çelaj e Florent Mehmeti ky “episod” i “Historive” të Herodotit vjen në shfaqjen “Nemesis” premiera e së cilës u dha të martën mbrëma në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar pasi “Oda” është në renovim.
Astyages po ashtu personazh i historianit parahistorik, Herodotit, qe mbret i Medëve. Pushteti e ka bërë tejet konspiracionist. Duket sikur dyshon edhe në rrobat që mban veshur. Në ëndërr i thuhet se nipi i tij Kiri kur të rritet do t’ia marrë pushtetin. Kiri është foshnjë. Çmenduria e tij shkon deri në nivelin që i kërkon mëkëmbësve që ta vrasin foshnjën. Por nga dhimbja e mëkëmbësve, Kiri shpëton. Rritet dhe ia merr pushtetin. Shfaqja vjen si “pamflet” ku personazhet ndërrojnë rolet e ngjarjet vijnë e shkojnë shpejt. Në këto pushtete gazetarët quhen mercenarë e njerëz që shpërndajnë dezinformata.
Janë fenomene që shihen me të madhe edhe sot në këto anë e në vende të ndryshme të botës. Krizat dalin të jenë çelësi kryesor i mbajtjes së pushtetit. Shfaqja ku ka denoncim artistik të psikozës së udhëheqësve, troket për t’i hapur sytë. S’hynë te teatri tradicional. Thirrja për reflektim është baza e loja si art s’është në rend të parë. Në shfaqjen që mban titullin e perëndeshës antike të hakmarrjes dhe drejtësisë hyjnore Nemesis, thuajse secili i provon ligësitë që ua bën të tjerëve. Aktorët nganjëherë lënë personazhet dhe sikur diskutojnë për atë që ngjan me të pushtetshmit.
Si bazë e shfaqjes me skenografi të Enes Sahitit e muzikë të Lis Boshtrakajt, ka qenë ideja e kamotshme për të gjurmuar funksionimin e trurit të njeriut në raport me pushtetin.

“Kam lexuar dhe mandej jam thelluar duke parë se është e vërtetë dhe jo mit se te disa personalitete ndryshojnë lëngjet kimike në tru dhe mandej ndryshon personaliteti. Kjo më ka lënë përshtypje si njeri që të hulumtoj”, ka thënë regjisori Florent Mehmeti, njëherësh bashkautor i tekstit. Sipas tij ideja është universale dhe në shfaqje drita bie mbi fenomenin.
“Fenomenin Nemesis ose Hubrisin të lidhur deri në Nemesis. Hubrisi është një sindromë e të qenit në pushtet për një kohë të gjatë, sigurisht jo për të gjithë por për disa personalitete. Këtë e thonë shkencëtarët”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, koncepti i shfaqjes është për t’i folur botës së çmendur.
“Shpresoj që si e tillë shfaqja është kontribut për një kohë të çuditshme kur po jetojmë. Janë këto 20 vjetët e fundit interesante që po i kalojmë si njerëzim. Është një alarm dhe një thirrje për rishikim të veprimeve tona e të mendjes sonë. Pushteti e forca jo domosdoshmërisht janë të mëdha veç në nivelin politik. Ne kemi shumë raste në familje, lagje e të tjera ku pushteti, sado i vogël, i ndryshon personalitetet”, ka thënë ai.
Bashkautori i tekstit, aktori Lirak Çelaj, ka thënë se diktatorët ose njerëzit autoritarë kanë ekzistuar gjithmonë. Por sipas tij, se ekziston njëfarë cikli që njerëzit që udhëheqin me arrogancë e pushtet autoritar është rritur më shumë se kurrë.
“Kam menduar se është koha të diskutohet për arrogancën e pushtetit. Ata mendojnë se të tjerët duhet t’iu shërbejnë atyre e jo ata popullit. Gjatë leximit të Herodotit i kam marrë disa raste e mandej Florenti ka futur edhe pjesën shkencore për të treguar se nuk është vetëm perceptim i yni por edhe shkencë”, ka thënë ai. Sipas Çelajt, arti dhe teatri në këtë rast duhet të jenë udhëheqës në mendime ndryshe për ta mbajtur balancën e shoqërisë.
“Nëse s’kemi ndonjë mesazh të caktuar te publiku atëherë teatri s’ka kuptim”, ka thënë ai.
E, sipas dramaturgut Arian Krasniqi mënyra e konceptimit dhe mbarështrimit të shfaqjes janë të veçanta pasi trajtohet një temë që sado që lidhet me historinë njerëzore është universale dhe komunikon me ditët e sotme, me pushtetin, oborrin mbretëror, të vetëdijshmen e të pavetëdijshmen dhe ambicien për pushtet.
“Është shfaqje që të bën të mendosh për kohën kur po jetojmë me shumë konflikte e prirje e tendenca për autoritarizma gjithandej botës”, ka thënë ai. Një pjesë jo e vogël e globit aktualisht është nën zjarr shkaku i tekave të udhëheqësve. E në anët tona, akuzat për pushtetarë autokratë janë të shpeshta. “Nemesis” jep shembuj, ngrit pyetje dhe bën thirrje për reflektim në 23-vjetorin e themelimit të teatrit “Oda”.