Kulturë

Muzikanti me instrumente të çuditshme

S’është e çuditshme nëpër koncerte të shihen instrumentistë që luajnë në gajde. Por jo në gajde të punuara me qeset plastike.

Sado e çuditshme që mund të tingëllojë, një performancë e tillë, është e zakonshme për artistin dhe interpretuesin Sholto Dobie, shkruan sot Koha Ditore.

I lindur në Edinburgh të Skocisë, vend i cili ka një traditë qindravjeçare të gajdeve, Dobie këtij instrumenti të vjetër i jep një pamje e tingull krejtësisht të ri, i bashkëngjit edhe zhurma të ndryshme elektronike.

Një natë pas performancës së tij në “Kino Armata” në Prishtinë, pikërisht me disa gajde të tilla e zile, thotë se çdo herë është në kërkim të tingujve që luhen brenda kokës së tij. Nuk ndalon derisa i gjen ato, edhe pse shpeshherë në objekte të pazakonshme.

Thotë se me vite e ka ndier të nevojshme që të krijojë muzikë me instrumente të tilla improvizuese dhe me objekte që i gjen përreth vetes.

Dobie ishte mysafir i festivalit treditor “Monotone”, që në fokus ka muzikën eksperimentale. Edicioni i parë i tij u mbajt prej 26 deri më 29 shtator.

Dobie përveç gajdes me qese plastike, përdor edhe instrumente të tjera të krijuara me materiale të ndryshme si kallam, ventilatorë, kompresor ajri, bilbil fishkëllyes dhe objekte të tjera që i përshtaten vendit dhe situatës ku interpreton.

Shfaqjet e tij janë personale dhe intuitive, shpeshherë të konsideruara si delikate, evokative dhe absurde...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)