Kulturë

Muzeu i Madh i Egjiptit – kapitull i ri për trashëgiminë botërore

Muzeu i Madh Egjiptian, i shtrirë në 120 hektarë, ka kushtuar 1.2 miliard dollarë

Muzeu i Madh Egjiptian, i shtrirë në 120 hektarë, ka kushtuar 1.2 miliard dollarë

I ndërtuar pranë Piramidave të Mëdha të Gizës, mrekullisë së fundit të mbetur nga bota e lashtë, i shumëprituri Muzeu i Madh Egjiptian më në fund po hap dyert për vizitorët. Kompleksi, që shtrihet në 120 hektarë (rreth 0.5 kilometra katrorë) – dyfish më i madh se Muzeu i Louvreit në Paris – do të ekspozojë nga 70 mijë deri në 100 mijë eksponate, përfshirë edhe thesarin e paparë më parë nga varri i faraonit Tutenkhamonit.

Projekti i Muzeut ishte paralajmëruar për herë të parë në vitin 2002 dhe hapja e tij ishte planifikuar për vitin 2012, por është shtyrë disa herë për shkak të kostove të larta, trazirave politike, pandemisë së koronavirusit dhe konflikteve në rajon.

Ky mega-projekt ka kushtuar rreth 1.2 miliard dollarë dhe pjesa më e madhe e fondeve është siguruar përmes kredive nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).

Muzeu, të cilin kryeministri Mustafa Madbuli e ka quajtur “dhuratën e Egjiptit për botën”, synon të theksojë rëndësinë dhe ndikimin e kulturës egjiptiane, por edhe të nxisë rimëkëmbjen e ekonomisë së dobësuar të vendit.

“Egjipti i lashtë i magjeps të gjithë”, ka thënë Salima Ikram, profesoreshë në Universitetin e Kajros.
“Edhe grekët, romakët dhe fenikasit e konsideronin Egjiptin si tokën e misterit dhe të dijes”.

Qëllimi i muzeut është të rilidhë egjiptianët e sotëm me trashëgiminë e tyre.

“Kjo do të zgjojë një ndjenjë të madhe krenarie kombëtare dhe do ta bëjë që Egjipti i lashtë të bëhet pjesë e përditshme e identitetit të çdo egjiptiani”, ka thënë Ikram.

Në hapjen zyrtare, të planifikuar për 1 nëntor të këtij viti, pritet të marrin pjesë rreth 60 liderë botërorë, përfshirë presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dhe mbretin Philippe të Belgjikës.
Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në TikTok dhe në ekrane gjigante në sheshe publike.

Tutenkhamoni ka magjepsur botën që prej vitit 1922, kur egjiptologu britanik, Howard Carter, zbuloi varrin e tij të harruar.

Tani, pas dekadash gjatë të cilave artefaktet e tij janë ekspozuar në muze në mbarë botën, maska e artë e Tutenkhamonit, froni i tij dhe mbi 5.000 objekte të çmuara, shumë prej të cilave publiku nuk i ka parë kurrë, do të ekspozohen për herë të parë të gjitha bashkë.

“Do të jetë spektakolare të shohësh të gjithë thesarin e Tutenkhamonit në një vend”, ka thënë Ikram. “Besoj se shumica e vizitorëve do të fokusohen në galeritë e Tutenkamonit, ndërsa pjesa tjetër e muzeut do të mbetet për dashamirët e artit, arkeologjisë dhe historisë”, ka thënë dr. Campbell Price, kurator i koleksionit egjiptian dhe sudanez në Muzeun e Manchesterit, i cili tashmë e ka vizituar muzeun. “Galeritë kryesore janë po aq mahnitëse, dhe çdo eksponat ka mjaft hapësirë për të ‘marrë frymë’. U ndjeva shumë i kënaqur – madje i prekur deri në shpërthim lotësh”.

Përveç thesarit të Tutenkhamonit, janë ekspozuar edhe shumë artefakte të tjera të rëndësishme, përfshirë statujën madhështore të Ramzesit II, më shumë se 3.200 vjet të vjetër, e cila tani mirëpret vizitorët në sallën kryesore të muzeut.

Kjo statujë, si dhe shumë pasuri të tjera që datojnë deri në 7000 vjet para erës sonë kanë histori emocionuese. Për më shumë se gjysmëshekulli, ajo qëndronte përpara stacionit kryesor të trenit në Kajro dhe u transferua në muze pas një parade solemne nëpër rrugët e qytetit.

Një vend të veçantë në muze zë Anija e Diellit e faraonit Keops, një anije funerale 4600-vjeçare, një nga më të vjetrat dhe më të ruajturat në botë.

Për Zahi Hawasin, arkeologun e njohur që shpesh quhet “Indiana Jonesi egjiptian”, hapja e muzeut ka një kuptim shumë më të madh sesa thjesht ekspozimi i pasurive të lashta.
Sipas tij, është shprehje e fuqisë së butë dhe një mënyrë për ta rikthyer trashëgiminë egjiptiane në duart e vetë egjiptianëve.

“Ka ardhur koha që ne vetë të bëhemi shkencëtarët e monumenteve tona”, ka thënë Hawas.
“Në Luginën e Mbretërve janë zbuluar 64 varre mbretërore – asnjë prej tyre nuk është gërmuar nga një egjiptian”.

Shumicën e monumenteve të mëdha në Egjipt, përfshirë varrin e Tutenkhamonit, i kanë zbuluar arkeologë të huaj, ka theksuar ai.

Prandaj, prej dekadash ai insiston që vetë egjiptianët duhet të udhëheqin studimet dhe ruajtjen e trashëgimisë së tyre, gjë që e ka përcaktuar si mision të jetës së tij.

Drejtori i Drejtorisë së Antikiteteve në Luksor, dr. Abdel-Ghaffar Wagdy, pajtohet se hapja e muzeut është një hap i madh në këtë drejtim.

“Që prej vitit 2002, egjiptologjia në Egjipt ka hyrë në një fazë të re dinamike”, ka thënë ai.  “Ndjenja se kjo i takon Egjiptit është gjithnjë e më e fortë dhe studiuesit e konservuesit egjiptianë tashmë udhëheqin shumë gërmime dhe projekte të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. ”Megjithëse muzeu është konceptuar si vend për të gjithë egjiptianët, çmimi i biletës është i lartë për disa. Një biletë për të rriturit egjiptianë kushton 200 funta egjiptiane (rreth 4 dollarë), që është rreth gjashtë herë më pak se për vizitorët e huaj (1.200 funta ose rreth 25 dollarë), por sërish shumë e shtrenjtë për shumë familje vendase. “Nuk mund të kujdesesh vetëm për të vdekurit – duhet të kujdesesh edhe për të gjallët”, ka thënë Ikram. “Ky është muze për të gjithë, edhe pse bileta është pak e shtrenjtë për disa egjiptianë”.

Për Zahi Hawasin, hapja e Muzeut të Madh Egjiptian nuk është vetëm mënyrë për të ruajtur të kaluarën, por edhe mundësi për të siguruar të ardhmen e Egjiptit si qendër e zbulimeve arkeologjike. Përveç galerive madhështore, kompleksi ka edhe laboratorë modernë kërkimorë dhe restaurues – hapësira ku ekipet egjiptiane dhe ndërkombëtare do të vazhdojnë të studiojnë, restaurojnë dhe zbulojnë pasuri të reja në dekadat që vijnë. “Aktualisht jam duke kryer gërmime në Luksor, në Luginën e Mbretërve dhe në Sakkara”, ka thënë Hawas.

“Deri tani kemi zbuluar vetëm 30 për qind të monumenteve tona – 70 për qind të tjera ende fshihen nën dhe”. Përderisa muzeu hap sallat e tij gjigante për vizitorët, pasuritë e mëdha të Egjiptit mbeten ende të fshehura nën shkretëtirë – dhe një epokë e re e arkeologjisë egjiptiane sapo ka filluar.