Prishtinë 25 maj – Një makinë e vjetër shkrimi, një harmonikë e një çantë nga ato që vareshin në njërën anë të krahut. Të kornizuara nën xham, ato janë vetëm disa nga artefaktet që “ringjallin” një nga ngjarjet e shumëpërfolura të historisë shqiptare në Luftën e Dytë Botërore – Kongresin e Përmetit. Për këtë organizim – të mbajtur më 24 maj 1944 – janë sjellë edhe dylbi, një mitraloz i tipit “Browning” në trekëmbësh, pushkë gjithfarë llojesh e tutje fotografi partizanësh e shkresurina të vëna mes dosjeve me kapakë të fortë.
Në 76-vjetorin e këtij kongresi, Bashkia e Përmetit ka hapur të dielën Muzeun e Luftës. Sipas një njoftimi të vënë në faqen zyrtare, hapja e Muzeut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare vjen pas restaurimit të pjesshëm të sallës së Kongresit të Përmetit nga Ministria e Kulturës.
“Lufta antifashiste është pjesë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve. Me këtë luftë shqiptarët u bënë pjesë e aleancës së madhe antifashiste, prandaj vlen të respektohet e t’i jepet vendi që i takon”, thuhet në njoftim. Sipas autoriteteve lokale në Përmet, në këtë ekspozitë janë bërë përpjekje që të shpaloset gjithçka nga lufta partizane si, fotografi, dosje, armë dhe sende të përdorura gjatë luftës.