Kulturë

Muzeu Etnologjik – gjysmëfunksional në vitin e nëntë

Muzeu Etnologjik – gjysmëfunksional në vitin e nëntë

Në gushtin e vitit 2017, ndërtesës më reprezentative të kompleksit “Eminxhiku” i qe vënë dryni në emër të restaurimit. U zhvesh krejtësisht për t’ia forcuar statikën e për ta përtërirë në çdo aspekt. Por, ngeli si gërmadhë deri më 2021. Në fund të atij viti nëpërmjet një tenderi të ri u zgjidh çështja dhe mori fund saga e restaurimit

Prej vitit 2017, kur u zhvesh tërësisht, punimet nuk u kryen deri më 2021. “Inaugurimi” i restaurimit të “Shtëpisë së familjes” në kompleksin “Eminxhik” me katër objekte, qe prezantuar me pompozitet. Por, që atëherë njëri prej dy objekteve ku zë vend Muzeu Etnologjik nuk është funksional. Njëri prej muzeve më të vizituar në vend operon me gjysmë kapaciteti, rikthimi i ekspozitës aty nuk duket afër. “Ideja e ekspozitës do të marrë kohë”, ka thënë etnologu Bekim Xhemili, kustos në Muzeun Etnologjik

Kompleksi unik arkitektonik dhe ndër më të vizituarit në nivel vendi ka hyrë në vitin e nëntë duke qenë gjysmëfunksional. Ajo që njihet si “Shtëpia e familjes” në Muzeun Etnologjik të Kosovës nuk ofron gjë pos mureve të thata. Për nga pesha është ndërtesa kryesore. Aty shpalosej qartë se si jetonte një familje qytetare në Prishtinën e shekujve të fundit. Ministria e Kulturës thuajse çdo të tretën ditë promovon në rrjete sociale se ka restauruar disa monumente – ndërtesa krejt periferike në raport me Muzeun Etnologjik sa i përket peshës e numrit e vizitorëve – por kompleksi më i vizituar në vend mbetet gjysmak. 

Në gushtin e vitit 2017, ndërtesës më reprezentative të kompleksit “Eminxhiku”  i qe vënë dryni në emër të restaurimit. U zhvesh krejtësisht për t’ia forcuar statikën e për ta përtërirë në çdo aspekt. Por ngeli si gërmadhë deri më 2021. Në fund të atij viti nëpërmjet një tenderi të ri u zgjidh çështja dhe mori fund saga e restaurimit. Por, prej atëherë mbetet vetëm ndërtesë për ta parë prej jashtë se s’kryen funksionin që kishte qysh prej vitit 2006, kur u inaugurua Muzeu Etnologjik. Është përdorur shpesh për fushata elektorale e për të prezantuar si punë të madhe në trashëgimi kulturore, por kurrë s’i është vëna pika kthimit në funksion. 

Ministria e Kulturës që viteve të fundit merret kryesisht me tenderë, ka një kontratë aktive me titull “Shërbime për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për revitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, kurimin e ekspozitave dhe (ri)funksionalizimin e muzeve (ekzistues), të vendosur në asete të trashëgimisë kulturore arkitekturale”. Si lot i veçantë kjo kontratë për Muzeun Etnologjik financiarisht peshon 90 mijë euro. 

Bashkëmenaxher në këtë kontratë është edhe etnologu Bekim Xhemili, kustos në Muzeun Etnologjik. 

“Ideja e ekspozitës do të marrë kohë”, ka thënë ai. Ka sqaruar se kompania që ka marrë përsipër konceptimin ka bërë prezantime dhe stafi ka dhënë rekomandime. 

“Kjo po merr kohë. Deri në vitin e ardhshëm është e vështirë të bëhet. Këta e kanë vetëm kurimin e projektin ideor pastaj prapë duhet tender për implementim”, ka thënë Xhemili. Sipas tij, si staf do të ishin të kënaqur nëse deri në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm të përfundonte rifunksionalizmi i Muzeut. 

“Duhet ndriçimi i ri, inventari i ri e krejt të reja. Eksponatet i kemi sistemuar, janë të trajtuara dhe duhet bërë një pastrim para ekspozitës”, ka thënë ai. Në kuadër të këtij procesi parashihet që të projektohet edhe restaurimi i asaj që është “Shtëpia e mysafirëve”, krejt oborrit e po ashtu e ahurit dhe ndërtesës së gurtë. 

Muzeu Etnologjik kishte hapur dyert më 11 shtator 2006. Vitin e ardhshëm shënon 20-vjetorin e funksionit si një prej aseteve të trashëgimisë kulture më të vizituar në vend. Por, vazhdimisht ka pasur zvarritje sa herë është punuar aty. Ndërtesës dykatëshe të shekullit XIX që qe zhveshur në vjeshtën e vitit 2017, konservuesit e restauruesit nuk i ishin kthyer deri më 2021. Dyshemeja ishte larguar krejtësisht, përderisa ndërtesa mbahej në këmbë vetëm nga shtyllat e drunjta. Edhe qerpiçët ishin larguar nga muret e brendshme. Tjegullat e kulmit qenë larguar e mosdepërtimi i ujit të reshjeve atmosferike bëhej i mundur nëpërmjet izolimit me llamarinë. Përderisa nga brenda objekti kishte mbetur vetëm në shtylla, mureve të jashtme u ishte larguar llaçi deri në thupra. 

Shtëpia për katër vjet qëndroi me skele e rrjeta jeshile. Pavarësisht kësaj çdo vit pati nga rreth 10 mijë vizitorë. të dhënat e stafit flasin se mbi 80 për qind e vizitorëve janë të huaj dhe 20 për qind vendorë. Dominojnë ata nga vendet evropiane si Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Austria e Franca. Më pas vijnë shtetet skandinave, si dhe një numër i konsiderueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te vendet aziatike. 

“Në katër vjetët e fundit kemi numër të konsiderueshëm të mërgimtarëve që vizitojnë Muzeun, qoftë me familjet e tyre, por edhe me shoqëri dhe bashkëpunëtorë të tyre. Edhe qytetarët e Kosovës e vizitojnë muzeun sidomos në stinën e verës”, kishte shpjeguar etnologu Xhemili në fillim të këtij viti. 
Ngelet atraksion e top-destinacion në Prishtinë. Madje kishte depërtuar edhe ndërkombëtarisht. Në vitin 2020 prestigjiozja britanike “The Guardian” kishte shkruar një artikull për muzetë më të mirë të qytetit në Evropë. Në mesin e 12 muzeve ishte edhe ai Etnologjik në kryeqytetin e Kosovës. Aktivistja Elizabeth Gowing, njëra prej më meritoreve në promovimin e Muzeut, e kishte përshkruar atë si “muze simpatik me dy shtëpi të ruajtura të periudhës otomane”.

Në anën tjetër, në maj të 2017-s qe ndërprerë puna që ishte ndërhyrje emergjente në objektin që njihet si ahur në këtë kompleks. Një tjetër telash është ai me qendrën për art bashkëkohor “Stacion”. 

Ministria e Kulturës ende s’ka zgjidhje në lidhje me shfrytëzimin e Shtëpisë së Gurit, që është objekti i katërt i këtij kompleksi. MKRS-ja i kishte akuzuar udhëheqësit e “Stacionit” si uzurpatorë, që prej vitit 2010 s’kanë leje për shfrytëzimin e objektit ku tash zë vend ai që është quajtur Muzeu i Artit Amerikan në Kosovë. MKRS kishte dhënë edhe afat për lëshimin e objektit, por ai nuk qe respektuar. 

Sipas planifikimeve të Muzeut të Kosovës, pas përfundimit të restaurimit e konservimit të shtëpisë së familjes, këtij procesi do t’i nënshtrohet edhe objekti i shekullit XVIII. Puna për restaurimin e dy ndërtesave njëkohësisht nuk kishte nisur me arsyetimin që njëra pjesë e kompleksit të jetë e vizitueshme.