Kulturë

“Mua besoj më shpëtoi portreti” drejt Islandës në kohë trazirash globale

Filmi i Alban Mujës - Mua besoj më shpëtoi portreti

“Është festival i rëndësishëm, fillon javën e ardhshme ku e kemi një premierë dhe ku do të shkojmë dhe do të ketë bashkëbisedim. Do të jetë premierë nordike dhe për mua do të jetë hera e parë që do të prezantohem në Islandë. Në vendet e tjera nordike kam pasur prezantime, por edhe si artist e edhe si regjisor do të jetë hera e parë në Reykjavik të cilin mezi e presim”, ka thënë Alban Muja

Që nga shfaqja e parë publike, “Mua besoj më shpëtoi portreti” nën regji e me skenar nga Alban Muja nuk ka ndalur së udhëtuari edhe jashtë kontinentit. Zbarkoi edhe aty ku rrëfimi merr zemër më së shumti, në Kosovë, këtë gusht. Listës së vendeve që e kanë pritur filmin i shtohet edhe Islanda. Më 28 shtator është premiera nordike, por rruga e mëtutjeshme e filmit të Mujës veçse është e konfirmuar. Rrëfimi që ka për bazë përvojën e një shqiptari të Kosovës në luftë flet universalisht. Është edhe më i zëshëm në kohën kur Rusia vazhdon përpjekjet për pushtimin e Ukrainës e ngjarjet në Gazë janë kronika gjithandej botës

Filmi e nisi mbarë rrugëtimin prej kur pati premierën botërore në “Berlinale” në shkurt të këtij viti. Që nga shfaqja e parë publike, “Mua besoj më shpëtoi portreti” nën regji e me skenar nga Alban Muja nuk ka ndalur së udhëtuari edhe jashtë kontinentit. Zbarkoi edhe aty ku rrëfimi merr zemër më së shumti, në Kosovë, këtë gusht. Listës së vendeve që e kanë pritur filmin i shtohet edhe Islanda. Më 28 shtator është premiera nordike, por rruga e mëtutjeshme e filmit të Mujës veçse është e konfirmuar. Rrëfimi që ka për bazë përvojën e një shqiptari të Kosovës në luftë flet universalisht. Është edhe më i zëshëm në kohën kur Rusia vazhdon përpjekjet për pushtimin e Ukrainës e ngjarjet në Gazë janë kronika gjithandej botës. 

Në festivalin më të madh në Islandë e me nam edhe në skenën ndërkombëtare, filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” do të shfaqet dy herë, më 28 shtator dhe më 5 tetor. Kësisoj, edhe shteti nordik do të njihet me rrëfimin e mbijetesës së Skender Mujës, babait të regjisorit të filmit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Reykjavik që zhvillon edicionin e 22-të prej 25 shtator deri më 5 tetor. 
Për Mujën, prezantimi i një pune në Islandë do të ndodhë për të parën herë, qoftë si regjisor e si artist vizual. 

“Është festival i rëndësishëm, fillon javën e ardhshme ku e kemi një premierë dhe ku do të shkojmë dhe do të ketë bashkëbisedim. Do të jetë premierë nordike dhe për mua do të jetë hera e parë që do të prezantohem në Islandë. Në vendet e tjera nordike kam pasur prezantime, por edhe si artist e edhe si regjisor do të jetë hera e parë në Reykjavik të cilin mezi e presim”, ka thënë ai për KOHËN. 
Protagonisti i filmit të metrazhit të shkurtër dhjetëminutësh, Skender Muja, rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e një komandanti serb.

Në film Skender Muja tregon sesi rreth tre mijë veta u detyruan nga forcat serbe të niseshin në drejtim të panjohur në prill të 1999-s. Në hyrje të Skenderajt i pritën dhe i renditën. I vendosën në një shkollë të kthyer në kamp përqendrimi. Aty i mbajtën për 15 ditë dhe i ushqenin shumë pak.
Narracioni i Mujës, ilustruar me pamjet e burrave në një klasë mësimi e derisa vijon vizatimin e portretit me shkumës të bardhë në dërrasë të zezë, vijon me tregimin se si në njërën prej ditëve, ai dhe të tjerët u përdorën si testues minash. Oficerët serbë do të pyesnin se kush prej tyre dinte të shkruante me alfabetin cirilik. E shqiptarët e zënë peng do të bënin me shenjë kah Skender Muja. Ky i fundit do të kryente detyrën që i ishte kërkuar, e serbët do t’i thoshin se kështu duhej shkruar, se shteti i tij ishte Serbia.

I kishin thënë se nëse ishte piktor, atëherë duhej të dinte të vizatonte edhe portrete. E Muja natyrisht se dinte, për 30 vjet ishte arsimtar i artit.

Ai në filmin e shkurtër dokumentar rrëfen se bashkë me të tjerët do të merreshin në kamion dhe të gjithë ishin të sigurt se do të ekzekutoheshin. Komandanti, të cilit Muja ia kishte punuar portretin, i kishte thënë se do t’i dërgonin në një vend të sigurt. “Portreti si duket po të shpëton”, transmeton Skender Muja në dokumentar fjalët që komandanti ia kishte thënë.

Për regjisorin e filmit, shfaqja e filmit në festivale ndërkombëtare është e rëndësishme për shkak të temës që trajton. Ka thënë se krahas festivaleve, filmi është shfaqur edhe nëpër ekspozita të ndryshme të artit. 

“Për ne është shumë e rëndësishme, për shkak të temës që e trajton filmi, që të shihet sa më shumë si në festivale të filmit, ku ka shkuar kryesisht më shumë, si në disa ekspozita ku shpesh krahas veprave tjera na ka ndodhur ta shfaqim edhe filmin”, ka thënë ai. 

Ka konsideruar se rrëfimi i një pjese të historisë së luftës së para një çerek shekulli në Kosovë është një lloj paralele me luftën në Ukrainë dhe me gjenocidin në Palestinë. 

“Për shkak të temës që trajton dhe të asaj që sot po shohim nëpër botë si lufta në Ukrainë e ajo që po ndodh në Gazë, ku shpesh edhe ushqimi përdoret si mjet i luftës dhe ku nuk shohim humanitet të mjaftueshëm apo prezencë të asaj që quhet humane dhe ndikimi i shoqërive të ndryshme, ndër to edhe të artistëve, deri tash ka qenë i vogël për shkak të rrethanave që njihen në këto vende. Filma të tillë -  edhe pse ky film trajton luftën në Kosovë – në mënyrë indirekte ngrit paralele dhe shpresoj e besoj që t’i bëjë njerëzit të mendojnë dhe të shohin që ta përjetojnë në lëkurën e tyre atë që kemi përjetuar si shoqëri 25 vjet më herët, por edhe ajo që po ndodh sot”, është shprehur Muja. 
Për të, “qëllimi kryesor është që filmi të shihet jo vetëm për atë nëpër të cilën kemi kaluar, por edhe për të kuptuar se çfarë po ndodh sot me skenën botërore politike dhe me luftërat e pushtimet e ndryshme”. 

Filmi është pjesë e garës ndërkombëtare në kategorinë “International Shorts”. Midis tjerësh, në garë janë edhe filmat “How are you?” nga Caroline Poggi dhe Jonathan Vinel, “Another one” nga Bex Oluëatoyin Thompson, “Ramallah, Palestine, December 2018” nga Juliette Le Monnyer e të tjerë. 
Pos filmit të Mujës, një tjetër rrëfim shqiptar shkon në kryeqytetin islandez. Filmi “Merging bodies” nga Adrian Paci i cili “thellohet në gjeste dhe materiale që i zbehin kufijtë midis punëtorëve dhe makinerive, duke krijuar një simfoni të përsosur të imazheve dhe dizajnit të zërit të botës tjetër”, sipas shpjegimit. 

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Reykjavík është festivali më i madh i filmit në Islandë. Çdo vit shfaq rreth 80 filma artistikë dhe një numër filmash të shkurtër nga e gjithë bota. 

Muja ka thënë se si gjithë prezantimet e tjera, edhe ai në këtë ngjarje është i rëndësishëm. 

“Çdo prezantim, çdo ekspozitë, çdo festival ka karakteristikat e veta, ka publikun e vet. Ne mirëpresim, sidomos ftesat nga festivalet, sepse deri tash më shumë kemi marrë pjesë në ato festivale ku na kanë ftuar pasi që sfondi im është më shumë artist vizuel dhe në ekspozita është më shumë praktike”, është shprehur Alban Muja. 

Rrugëtimi i filmit nuk ka të ndalur. Pas futjes në program zyrtar në Festivalin e Reykjavikut, pritet të shfaqet për të parën herë edhe në Francë, siç ka treguar Muja. 

“Filmi së shpejti do të ketë edhe premierën franceze në një festival shumë të rëndësishëm të cilin ende nuk mund ta bëj me dije për shkak se nuk është shpallur zyrtarisht programi. Muajin e ardhshëm do të jetë pjesë e një ekspozite në Zagreb, në një formë tjetër të prezantimit, në Muzeun Etnografik në Zagreb. Pas këtyre dy prezantimeve, kemi pastaj edhe prezantime të tjera në festivale dhe në ekspozita”, ka zbuluar ai. 

Ka treguar gjithashtu se në dhjetor, filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” do të jetë pjesë e një programi special në “Berlinale” ku do të ketë një shfaqje. Në edicionin e 75-të të festivalit me nam të filmit “Berlinale” që u mbajt prej 13 deri më 23 shkurt u shfaq për të parën herë. 
Kësisoj, filmi i Mujës e mbyll rrugëtimin për këtë vit, ashtu si e nisi, në një prej festivaleve më prestigjioze në botë, në “Berlinale”.