Kulturë

Mjeku vullnetmirë e veprimtari i spikatur

Secila kohë i ka ikonat e veta. Doktor Simë Dobreci ishte njëri ndër ta… (Foto: Fisnik Dobreci)

Një shikim i sforcuar diku me fytyrën e imët dhe mustaqet e holla është fotografia e kornizuar skaj së cilës është vënë një shirit i zi. Është kumti për ikjen fizike të një njeriu, që u bë model për shqiptarët në Mal të Zi. Sa me mantelin e bardhë të mjekut e po aq edhe me kostumin e tij bashkë me borsalinën si intelektual i angazhuar, Simë Dobreci i ishte kundërvënë asimilimit të shqiptarëve në Krajë e Shestan. Në praninë e familjarëve e miqve të ngushtë, të enjten ai u varros afër Kishës së Braticës në Ulqin. Deri në frymën e fundit të jetës së tij 86-vjeçare, Dobreci u bë shëmbëllimi i një mjeku vullnetmirë e veprimtari të spikatur.

Në përkujtim të jetës dhe veprës së tij, sot në sallën e madhe të Kuvendit Komunal të Ulqinit do të mbahet një orë përkujtimore si bashkorganizim nga Komuna e Ulqinit, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, “Shtëpia e Shëndetit – Ulqin”, “Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi”, si dhe shoqata “Illyricumi”.

“Në pajtim me udhëzimet epidemiologjike, që kanë të bëjnë me COVID-19, maskat janë të obligueshme”, është njoftimi i dhënë nga Ilir Çapuni, kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit.

“Ulqinaku i Kosovës”

Lajmi për ndarjen e Dobrecit nga jeta ka përftuar pikëllim edhe në Prishtinë – aty ku jeta e nyjëtoi me specializim, punë, miq e kolegë. Sipas atyre që e njohën, kur i riu ulqinak shkoi në Prishtinë, Kosova fitoi një kuadër të denjë në shëndetësi. Por kur u kthye nga Prishtina përsëri në vendlindje, shqiptarët në Mal të Zi fituan një intelektual të guximshëm që punoi t’i vinte fre asimilimit.