Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!” në Kosovë – kontrasti i Serbisë së thyer nga nacionalizimi

“Mirëdita, dobar dan!” në Kosovë – kontrasti i Serbisë së thyer nga nacionalizimi

Të enjten mbrëma, në qendrën për kulturë alternative “Defy Them” në “Bregun e Diellit” në Prishtinë është prerë shiriti i shfaqjes treditore të edicionit të 12-të që prezanton një pjesë të skenës kulturore të Serbisë

Thirrje për vrasjen e shqiptarëve, huliganë, tym e alarme për bomba, janë pothuajse skenari i njëjtë i secilit edicion të “Mirëdita, dobar dan!” në Serbi, e cila veçmas vitin e kaluar u sfidua e u thye nga nacionalizimi kur u dha urdhër shtetëror për anulimin e Festivalit. Në Kosovë, është një imazh krejt tjetër: një grusht policësh është aty sa për protokoll, Festivali hapet si çdo ngjarje tjetër në Prishtinë, e “Mirëdita...” është kontrasti i Serbisë së thyer nga nacionalizmi dhe dëshmi se artistët e aktivistët s’e kanë ndërmend të dorëzohen përballë narrativave të frikës dhe urrejtjes

Ndryshe nga zhurma që bën “Mirëdita, dobar dan!” në kryeqytetin serb ku çon krye nacionalizmi e shteti e ndalon Festivalin, në Prishtinë ajo është veç një tjetër festë e artit dhe kulturës. Kësaj here si platformë që sfidon ndarjet dhe promovon bashkëpunimin e shkëmbimin kulturor midis komuniteteve të të dy etnive. Në Kosovë, me gjithë plagët ende të freskëta të luftës, pa kurrfarë problemi, kjo lloj demokracie kulturore ndahet nga politika. Edhe përtej “Mirëdita...”. 

Të enjten mbrëma, në qendrën për kulturë alternative “Defy Them” në “Bregun e Diellit” në Prishtinë është prerë shiriti i shfaqjes treditore të edicionit të 12-të që prezanton një pjesë të skenës kulturore të Serbisë.  Kështu funksionon përherë dhe ky është formati i Festivalit: në Beograd – në raste kur lejohet – synohet të promovohet kultura e Kosovës dhe anasjelltas. 

Një ekip i zyrtarëve policorë prej disa vetash ka qenë masa e sigurisë për ngjarjen e cila e bën namin në Beograd. Kanë qëndruar jashtë hapësirës ku është zhvilluar ngjarja. Po aty, e brenda, midis pjesëtarëve të të dy etnive, gjuha angleze ka qenë forma e komunikimit. Ka ngjarë se masa më e madhe e publikut kanë qenë mysafirë nga shteti fqinj. 

Në ceremoninë e hapjes, organizatorët janë shprehur se shpresojnë që vitin tjetër Festivali të mirëpritet në Beograd. 

Organizatori i ngjarjes nga ana e Kosovës, Kushtrim Koliqi, i cili udhëheq me organizatën “Integra”, ka thënë se fakti i ndalimit të “Mirëdita...” në Serbi ringjall narrativa të frikës dhe të urrejtjes. 

“Është kënaqësi e veçantë që këtë vit po e hapim Festivalin në Prishtinë pas një periudhe të sfidave të shumta dhe shumë herë të pakuptueshme. Vitin e kaluar edicioni i Festivalit në Beograd u ndalua, një ngjarje kjo që na kujton sa e brishtë mund të jetë hapësira për dialog dhe sa lehtë mund të ringjallen narrativat e frikës dhe urrejtjes. Por sonte, duke qenë këtu, ne po dëshmojmë se ‘Mirëdita, dobar dan!’ do të vazhdojë, pavarësisht pengesave”, është shprehur ai. I është referuar rastit të vitit të kaluar, kur ekipi i Festivalit u ndalua, Beogradi u mbërthye nga protestat, thirrjet nacionaliste nga huliganë serbë, alarmet për bomba dhe urdhri i shtetit që “Mirëdita...” të anulohet. 

Koliqi ka thënë se e rëndësishme për Festivalin është sfidimi i narrativave paragjykuese dhe të njëanshme duke ofruar një perspektivë më ndryshe. 

“Po jetojmë në një kohë ku tensionet dhe ndarjet politike po rriten, dukuritë nacionaliste po rikthehen jo vetëm në rajon, por edhe në gjithë botën. Dialogu shpesh po zëvendësohet me zhurmë. Në kohë të tilla, veçanërisht për kontekstin e së kaluarës sonë, Festivali kontribuon në ruajtjen e hapësirës së komunikimit, të ndërtojë besim dhe për të mos harruar”, ka thënë Koliqi më tej.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se “Mirëdita...” shpreson të bëhet një lloj shpirti e dashuri midis Kosovës e Serbisë. 

“Për mua ky festival është festë e artit, kulturës dhe shfaq fuqinë e dialogut, se çfarë mund të arrijë një festival i tillë. Sapo arrita disa javë më parë këtu, lajmi i mirë ishte që ky festival organizohet këtu, në veçanti menjëherë një vit pasi u anulua në Beograd. Festivali jo vetëm që lidh skenën kulturore, por shpresoj që mbetet edhe shpirt dhe dashuri midis dy vendeve”, ka thënë Rudolph. 

Sipas tij, Festivali mbështet qëllimet më të gjera të Ambasadës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

“Tash në një dozë më serioze, pajtimi mund të funksionojë jo vetëm duke qenë ëndërr por edhe duke u prekur nga të gjithë njerëzit. Kjo do të thotë të ndërtohet pajtim hap pas hapi përmes guximit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai. 

Drejtoresha e Këshillit Britanik për Shqipëri dhe Kosovë, Majlinda Mazelliu, e ka cilësuar “Mirëdita…” si art të dialogut dhe të shkëmbimit kulturor që bart simbolikë të jashtëzakonshme për rajonin. 

“Në esencë të misionit tonë janë gjithëpërfshirja, respekti për diversitetin kulturor dhe besimin se kreativiteti lulëzon kur zërat dhe perspektivat e ndryshme bashkohen. Mu për këto arsye ne krenohemi që jemi pjesë e programit për kulturë dhe kreativitet për Ballkanin Perëndimor, një nismë e financuar nga BE-ja që nxit bashkëpunimin përtej kufijve dhe inkurajon kulturën si motor të ndryshimit social, bashkëpunimit rajonal dhe gjithëpërfshirës së komuniteteve”, ka thënë ajo. 

Prezencën e komunitetit artistik serb e ka konsideruar si testament të fuqisë së kreativitetit që lidh dy komunitetet. Ka thënë se shpreson që ngjarja të mirëpritet vitin e ardhshëm në kryeqytetin serb. 

“Ky festival është një nga tregimet më të forta të këtyre idealeve. Vit pas viti bashkon artistë, organizata, audienca të cilat besojnë se kultura ka fuqinë të sfidojë narrativat, për të shëruar ndasitë dhe për të krijuar hapësira për biseda të reja. Ofron një platformë ku kreativiteti reziston ndarjet, ku arti flet më zëshëm sesa politika dhe ku lidhja njerëzore është në qendër të vëmendjes”, ka thënë Mazelliu. 

Nata hapëse ka qenë një lloj feste me performancën nga grupi “Pliš”, një kolektiv i ri nga skena alternative e rockut në Beograd, tingujt e të cilit ndërthurin nostalgjinë e fillimit të këtij shekulli dhe energjinë emocionale të undergroundit bashkëkohor

Ngjarjes që sjell “Mirëdita...” sivjet prekin edhe tema si këto. Sipas agjendës, në ditën e dytë vjen debati në temën “Paqja në kohën e trazirave globale: E ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, pasuar nga një tryezë e rrumbullakët në orën 13:00 në hotelin “Grand”, e cila bashkon autorët e librit “Momenti kur për mua nisi lufta/paqja”, organizuar nga organizata “Propeace”.
Programi zhvendoset në qendrën “Barabar” ku do të hapet ekspozita “Falsa Immagine” nga Ivan Shuletiq si dhe ajo me pjesëmarrje të artistëve Nemanja Jokoviq dhe Mihaela Vuçiniq me titull “Do you want to flatten all layers before saving?”. Dita e dytë mbyllet me shfaqjet “Të gjitha Barbi të mira” nën regji të Gjorgje Neshoviq, produksion i “Hartefakt”.

Debati “Nyja e Kosovës në kohën e protestave masive në Serbi”, prezantimi i botimit “Kronologjia e Kosovës 2.0” nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, mbrëmja e poezisë nga Radmila Petroviç  dhe shfaqja e filmit “78 Ditë” nga regjisorja Emilija Gashiq, e thurin programin e së shtunës, ditës së tretë dhe të fundit të edicionit të 12-të në Prishtinë. 

Në fund qershorin e vitit të kaluar, ekipi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” do të nisej për në Beograd. Fillimisht me kontrolle në detaje, e me përcjellje policore, fiks 25 kilometra pa hyrë në kryeqytetin serb, zyrtarët policorë do të merrnin urdhrin për të mos lejuar armatën e artistëve. 

Të përhershme janë protestat a thirrjet nacionaliste sa herë që “Mirëdita...” aterron në Serbi.  Edicioni i vjetëm qe kulmi. Parashihej të mbahej në Beograd, më 27, 28 e 29 qershor. Pluhuri për Festivalin ishte ngritur dy javë para nisjes nga autoritetet serbe. Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, kishte dalë kundër Festivalit. Nxitëse ishte deklarata e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili i adresohej edhe popullit serb që të reagojë.  E më 27 qershor kur do të niste Festivali, mbi njëqind pjesëtarë të organizatave ekstremiste serbe qenë bërë bashkë duke rrethuar vendin ku pritej të bëhej hapja. Thirrjet “Kosova zemër e Serbisë” bashkë me ato për vrasje të shqiptarëve qenë në kor. Pasditja me urdhrin për ndalimin e Festivalit ishte vendimtare. 

Po këtë moment e ka kujtuar Tijana Gjukniq, koordinatore e programit te Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi, institucion që e organizon Festivalin bashkërisht me organizatën “Integra”. 
“Vitin e kaluar ishim shumë të ngazëllyer me hapjen e Festivalit për disa arsye. Ishin të lumtur të takoheshim me miqtë tanë dhe për shumë arsye të tjera. Morëm një mesazh që njëri autobus nuk ishte lejuar të kalonte dhe më pas na u tha që nuk mund të kalonin në Beograd. Ndihesha e rënduar, e lënduar dhe shumë me emocione të dobëta sepse miqtë tanë kishin përjetuar një situatë të pakëndshme”, ka thënë ajo duke u shprehur se prapëseprapë kishte lumturi dhe shpresë dhe në një situatë të tillë.

“Por kjo mund të duket paksa e çuditshme, pasi ndjeva lumturi dhe shpresë. Sepse edhe në mes gjithë këtij kaosi dhe zhgënjimi, kuptuam diçka të bukur. Kishim kaluar lidhje kaq të fortë sa mund të kalonim dhe sfidat më të vështira dhe njëra nga pjesëmarrëset më tha diçka: kuptova që ne qëndrojmë së bashku dhe të tjerët mundohen të na ndajnë’. Për mua ky është vetë thelbi i festivalit ‘Mirëdita, dobar dan!”, ka thënë ajo më tej.

Nata hapëse ka qenë një lloj feste me performancën nga grupi “Pliš”, një kolektiv i ri nga skena alternative e rockut në Beograd, tingujt e të cilit ndërthurin nostalgjinë e fillimit të këtij shekulli dhe energjinë emocionale të undergroundit bashkëkohor. 

Në zemër të Prishtinës, bendi e ka nisur koncertin me shaka. Midis turmës kanë kërkuar njërin prej anëtarëve të tyre. 

“Kënaquni me ‘Pliš’. E di që e përdorni edhe ju këtë fjalë. Festivali gjithashtu emërtohet shqip dhe serbisht, e mrekullueshme”, ka thënë njëri prej tyre. I është referuar fjalës serbe për materialin e pelushit.

E në Prishtinë, “Mirëdita, dobar dan!” njoftohet si hapësirë e veçantë për dialog, mirëkuptim dhe lidhje. Ashtu edhe është dëshmuar në hapje në Prishtinë.