Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Miratohet projekti ideor për instalimet nëntokësore në “Xhorxh Bush”, jo ai transformues i hapësirës

Sheshi Xhorxh Bush

Në mars të vitit të kaluar, Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. Punimet ishin ndërprerë. Pas aplikimit për leje, ajo s’qe dhënë kryesisht shkaku i lokaleve që janë paraparë

Miratimi i bërë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve s’është leje që Komuna të implementojë projektin mbi 18 milionë euro për sheshin “Xhorxh Bush” për të cilin i janë ndaluar punimet qysh prej marsit të vitit të kaluar. Ai projekt është një tjetër proces dhe për ta realizuar duhet miratim i veçantë. Komunës së Prishtinës i është miratuar projekti ideor për punimet e infrastrukturës nëntokësore për menaxhimin e ujërave të ujësjellësit dhe kanalizimit në sheshin “Xhorxh Bush”

Komunës së Prishtinës i është miratuar projekti ideor për punimet e infrastrukturës nëntokësore për menaxhimin e ujërave të ujësjellësit dhe kanalizimit në sheshin “Xhorxh Bush”. Ky miratim i projektit ideor s’është leje për punime pa u miratuar edhe projekti kryesor i detajizuar. Dhe, miratimi i bërë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve s’është leje që Komuna të implementojë projektin mbi 18 milionë euro për sheshin “Xhorxh Bush” për të cilin i janë ndaluar punimet qysh prej marsit të vitit të kaluar. Ai projekt është një tjetër proces dhe për ta realizuar duhet miratim i veçantë. Nisi pa pëlqimet e institucioneve të trashëgimisë kulturore siç përcakton Ligji për trashëgimi kulturore dhe vazhdon të jetë projekt pa pëlqim. 

“Miratohet kërkesa e paraqitur nga Drejtoria për Transformim-Komuna e Prishtinës për: “Pëlqim për punimet e infrastrukturës nëntokësore (menaxhimi i ujërave të ujësjellësit dhe kanalizimit)” në sheshin Xhorxh Bush, që gjendet brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, aset në Mbrojtje Ligjore, Kategoria Arkitekturore, Nën kategori Fushë e Konservimit Arkitekturor me numër unik në databazë 3998”, shkruhet në pikën e parë të vendimit të IKMM-së. Në pikën e dytë “obligohet Komuna e Prishtinës, për funksionalizimin e kësaj hapësire për qarkullim publik të parashtroj projekt-planin me dizajn dhe materializime adekuate për shtrimin e dyshemesë urbane – rrugës”. Obligimet për Komunën vazhdojnë më tej.  

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Pala obligohet që projektin kryesor për ndërhyrjet si në pikën një (1) të këtij Vendimi, të sjellë në 5 (pesë) kopje fizike për aprovim në IKMM nëpërmes QRTK – Prishtinë, si kusht themelor për fillimin e punimeve”, shkruhet në pikën e tretë. Në dy pikat pasuese tregohet se zbatimi i punimeve të implementimit të projektit bëhet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve profesional të QRTK– Prishtinë. Kurse pika e fundit, qartëson edhe një gjë. 

“Ky Vendim hyn në fuqi pas aprovimit të projektit kryesor”, shkruhet në këtë pikë. 

Arsyetimi i vendimit të rekomanduar nga Komisioni Profesional Shqyrtues i IKMM-së dhe i nënshkruar nga ushtruesja e detyrës së drejtorit të institucionit, Rrezart Loxha-Vitaku sqaron se pas rishqyrtimit dhe vlerësimit të projektit ideor, komisioni konstaton se dokumentacioni i paraqitur nga Drejtoria për Transformim e Komunës së Prishtinës, lidhur me kërkesën për pëlqim për realizimin e punimeve të infrastrukturës nëntokësore, respektivisht menaxhimin dhe rigjenerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, është në përputhje me nevojat funksionale dhe teknike të ndërhyrjes së propozuar.
“Në vijim theksohet se ndërhyrjet e rigjenerimit janë të natyrës gërmuese dhe hapësira ku do të bëhet ndërhyrja duhet të rrafshohet për qarkullim publik pas përfundimit të këtyre ndërhyrjeve. Për funksionalizimin e kësaj hapësire për qarkullim publik, obligohet Komuna e Prishtinës të parashtroj projekt-planin me dizajn dhe materializime adekuate për shtrimin e dyshemesë urbane të rrugës”, shkruhet në arsyetim. Bëhet e ditur se është miratuar kërkesa për rigjenerimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit, sipas dokumentacionit të dorëzuar. 

Por Gëzim Kastrati, ish-drejtor i Drejtorisë së Transformimit këtë vendim të IKMM-së e ka paraqitur pak më ndryshe. 

“Një superlajm për kryeqytetin drejt zhvillimit të projektit Xhorxh Bush”, ka njoftuar ai. Ka shkruar se është miratuar kërkesa e parashtruar nga Drejtoria për Transformim-Komuna e Prishtinës për: “Pëlqim për punimet e infrastrukturës nëntokësore në sheshin Xhorxh Bush” 

“Një vendim i shumëpritur dhe konstruktiv i Komisionit të Institutit të Kosovës për mbrojtje të Monumenteve – IKMM dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – QRTK, me ç’rast i përgëzoj për qëndrimin profesional ndaj këtij projekti shumë të rëndësishëm për krijimin e hapësirave publike kualitative në dobi të qytetarëve dhe kryeqytetit. Gjithashtu, ditë me parë ka arritur një sasi e konsiderueshme e shtresës finale të granit-it që shpejt pritet implementimi i tij”, shkruhet në njoftimin e tij. Por vendimi i IKMM-së s’ka të bëjë me granitin e që përmend Kastrati. 

Në mars të vitit të kaluar, Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. Punimet ishin ndërprerë. Pas aplikimit për leje, ajo s’qe dhënë kryesisht shkaku i lokaleve që janë paraparë. 

Në mars të këtij viti Komuna ka ndërruar strategji. Ka dorëzuar në IKMM vetëm projektin për instalimet nëntokësore. Por s’kishte marrë përgjigje pozitive. Kishte marrë rekomandime. 

Në bazë të dokumentacionit që e ka parë KOHA, Komisioni Profesional Shqyrtues i IKMM-së, pas shqyrtimit të materialeve të prezantuara, kishte konstatuar se janë prezantuar dy projekte paralele që ndërlidhen me zhvillimin e infrastrukturës në hapësirën që prek perimetrin dhe Zonën Mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës.

“Gjatë prezantimit është vërejtur se në kuadër të projekteve të rrjetit të infrastrukturës janë trajtuar edhe hapësira ku janë planifikuar ndërtesa/dyqane në perimetrin e asetit ‘Ndërtesa e Radio Prishtinës’ dhe ‘Rektorati’ sipas kërkesës paraprake të vitit 2025, të cilat nuk kanë miratim nga KPSH/IKMM për realizimin e tyre. Si rrjedhojë, Komisioni vlerëson se këto elemente nuk duhet të jenë pjesë e dokumentacionit në këtë fazë shqyrtimi”, shkruhej në rekomandimet që i janë përcjellë Komunës. 
Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesës për pëlqim për punimet e infrastrukturës nëntokësore IKMM-ja kishte pasur disa rekomandime.

“Kërkohet të dorëzohet për shqyrtim projekti i KFE-së në tërësi, duke qenë se i njëjti prek Perimetrin dhe Zonën Mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës; të dorëzohet për shqyrtim projekti i KFE-së në tërësi, duke qenë se i njëjti prek Perimetrin dhe Zonën Mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës; Projekti të dorëzohet pa përfshirjen e ndërtesave të planifikuara në perimetrin e asetit ‘Ndërtesa e Radio Prishtinës’ dhe ‘Rektorati’”, shkruhej te rekomandimet. Po ashtu qe kërkuar që ndryshimi i materializimit të rrugës të prezantohet veçmas si dhe të prezantohen grafikisht të gjitha prerjet me të gjitha shtresat e bazës dhe nënbazës së bashku me specifikimet e materialit. 
“Të dorëzohen prerjet gjatësore dhe tërthore për tërë segmentin që trajtohet me projekt; Të dorëzohet Harta 3 me emërtim të qartë të hartës, ku të paraqitet projekti i plotë dhe të identifikohet saktë segmenti për të cilin është parashtruar kërkesa”, shkruhej në rekomandime.

Aktualisht Komuna po zhvillon kohë pas kohe punime në rrugën “Perandori Justinian” krahas katedrales “Nënë Terezë”, pjesë që s’përfshihet në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. 

Punimet e nisura pa leje ishin ndërprerë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke pamundësuar projektin për të cilin Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë me peshë financiare 18.1 milionë eurosh. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Punimet vazhduan duke e ndarë sheshin përgjysmë. Në të majtë të katedrales, është shtruar pllaka e betonit, në atë që njihet edhe si “Tre Sheshirat” janë ngritur edhe lokalet.

Zyrtarët komunalë në takimin e fundit të janarit s’kishin thënë se do të hiqet dorë nga lokalet që synohet të ndërtohen e të cilat edhe janë arsye e fortë për refuzim të projektit nga IKMM-ja. 

“Ne kemi propozuar një zgjidhje shumë praktike: Mund të sillet për shqyrtim dhe miratim faza e parë e projektit, instalimet e ndërhyrjet e tjera që janë nën sipërfaqe dhe në sipërfaqen e tokës. Të miratohen fillimisht ato dhe të vazhdojë puna, në mënyrë që të hapet ai shesh e të mos ngelet ashtu siç është”, kishin bërë të ditur në IKMM. Dukej sikur situata po ecte në këtë rrugë. 

Kjo është hera e tretë që Komuna kërkon leje. Edhe kësaj radhe të pjesshme. Paraprakisht, vitin e kaluar pas ndërprerjes së punimeve i kishte kërkuar IKMM-së që ta miratonte projektin e plotë. 
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime qysh vjet, kur Komuna aplikoi pas ndërprerjes së punimeve. IKMM-ka kishte kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmonte edhe synimin e projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehej te shkresa, ku Komunës i kërkohej që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve ishte po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia kishte përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia kishte bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, ishte kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. Në shkresë bëhej e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.

Pas zhvillimeve të pranverës së kaluar dhe përplasjeve të forta edhe politike midis Komunës dhe Ministrisë së Kulturës, Komuna lëndën e kishte dërguar në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e më pas edhe shqyrtim të ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Gjykata e kishte refuzuar pezullimin dy herë radhazi. Edhe pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim.

Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë eurosh. Për nënkalimin tek “Agim Ramadani” muajin e kaluar i është refuzuar projekti për të dytën herë. 

Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kanë kontestuar kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet draftplanit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende s’është miratuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draft-dokument. Por, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme. Në shkurtin e sivjetmë menaxhmenti komunal ka marrë leje për të vazhduar punimet në rrugën “Qamil Hoxha” që ishin ndërprerë në majin e vitit të kaluar. Punimet tash aty janë duke vazhduar.