Kulturë

Ministria merr “Hidroelektranën” në shfrytëzim që t’ia rihapë dyert

Ka kohë që prej monumentit që shteti e mbron si “Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë” në Prizren vijnë imazhe nga procesi i restaurimit e zotime se vendit po i shtohet edhe një muze, ani pse ka gati gjysmëshekulli që e mban këtë epitet. Qeveria tashmë e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës që ta marrë në shfrytëzim këtë pronë të menaxhuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës, duke u zotuar se “do të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët”. Ekspertët e trashëgimisë theksojnë se shteti duhet të mendojë për menaxhimin e muzeut

Ministria e Kulturës ka marrë disa hapa sa i përket “Hidroelektranës” në Prizren. Krahas me restaurimin e kurimin e ekspozitës, ka marrë në shfrytëzim edhe pronën ku zë vend atë që shteti e mbron si “Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë”. Këtë e ka bërë nëpërmjet një vendimi qeveritar. Por sipas profesionistëve të trashëgimisë kulturore shteti duhet të mendojë për menaxhimin e muzeut.

Qeveria tashmë ia ka aprovuar Ministrisë së Kulturës kërkesën për marrjen në shfrytëzim të pronës në Zonën Kadastrale Gënçar, Komuna Prizren, e menaxhuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës.

“Projekti i ndërhyrjeve restauruese në Hidroelektranë në Prizren, monument i trashëgimisë kulturore, është zhvilluar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, dhe tani Ministria e Kulturës po i ndërmerr hapat për funksionalizimin e plotë të tij, që monumenti në fjalë të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët”, shkruhej në njoftimin e Qeverisë pas mbledhjes së 188-të javën e kaluar, njashtu edhe në vendim.

Gjatë vitit të kaluar aty ishin ndërmarrë veprime për restaurimin dhe konservimin e ndërtesës nëpërmjet një projekti ku MKRS-ja ka bashkëpunuar me UNDP-në. Për sivjet, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, MKRS-ja ka planifikuar 60 mijë euro investim në këtë monument, krejt kjo pas një kërkese për ndërhyrje emergjente nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren pasi brenda ndërtesës po hynte uji i të reshurave atmosferike.

Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, thotë se qasja institucionale është në rregull por më e rëndësishmja është pastaj vizioni i MKRS-së se çfarë do të bëhet më tej. “CHwB Kosova” ishte partner në implementimin e projektit të restaurimit.

“Se çfarë muzeu bëhet, kush është audienca, sa është i qëndrueshëm, në lidhje me menaxhimin dhe operimin, operator i jashtëm apo të punësuar të rregullt”, janë çështjet që ka ngritur Shoshi. Deri më tash në këtë muze ka qenë një punonjës i angazhuar me kontratë të përkohshme.

Vjet në prill ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, pas një vizite në këtë monument, kishte bërë një njoftim se Kosovës po i shtohet edhe një muze, pa treguar fare se ai ekzistonte prej para katër dekadash.

“Kosovës po i shtohet një muze unik”, e kishte titulluar Çeku një njoftim në Facebook. Sipas tij, për pak vjet ndërtesa e centralit në Prizren bën një shekull jetë. Kishte shkruar se ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, sot është në fazën e fundit të restaurimit.

“Menjëherë pas ndërhyrjeve konservuese fillojnë veprimet për funksionalizimin e muzeut të centralit”, kishte shkruar Çeku.

Ndërtesa është formësuar në përdhese dhe kat. Shënimet tregojnë se qasja në ndërtesë bëhet nga ana veriore përmes urës nga betonarmeja, e ndërtuar njëkohësisht me ndërtimin e ndërtesës. Në përdhese, sipas KKTK-së, gjenden dy hapësira: vendi ku gjenden gjeneratorët dhe hapësira e makinerisë.

“Pas shndërrimit në muze, dhoma e makinerisë shfrytëzohej si hapësirë e ekspozimit, ku janë të ekspozuara eksponatet që tregojnë zhvillimin e elektroekonomisë në Kosovë. Kyçja në katin e parë bëhet përmes shkallëve të jashtme, të vendosura në murin lindor të objektit”, shkruhet në përshkrim. Në katin e parë, sipas të dhënave, gjenden dhoma e kujdestarit të centralit, e cila pas shndërrimit në muze shfrytëzohej si bufe, hapësira e kulmit dhe depoja.

“Kurse në katin e dytë një pjesë e kulmit është e rrafshët dhe shfrytëzohej si tarracë verore. Në oborr krahas urës dhe bregut të lumit gjenden trafostacioni i vjetër dhe nyjat sanitare të ndërtuara në afërsi të kompleksit. Arkitekti austriak ka zgjedhur vendin më të përshtatshëm për shfrytëzimin e ujit dhe është munduar që objektin industrial ta përshtatë me ambientin duke dhënë formën e një kështjelle si inspirim nga Kështjella e Epërme që gjendet në afërsi. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin stil janë ndërtuar edhe tri trafostacione që kanë shpërndarë rrymën nëpër qytetin e Prizrenit”, shkruhet në përshkrim.

Sipas KKTK-së, centrali ka furnizuar qytetin e Prizrenit me rrymë elektrike prej vitit 1929 deri në vitin 1973.

“Në vitin 1979 kjo ndërtesë e rëndësishme për historinë industriale të qytetit është shndërruar në Muze të Energjisë Elektrike të Kosovës. Gjatë adaptimit të ndërtesës në muze janë bërë punët restauruese në ndërtesë dhe oborr. Muzeu i Energjisë Elektrike i vendosur në një ndërtesë historike ‘elektrana’ paraqet një shembull unik për Kosovën, për trajtimin e objekteve industriale si trashëgimi kulturore. Muzeu ka funksionuar deri në mes të viteve ‘80”, shkruhet në përshkrim.

Gjatë vizitës që monumentit i ishte bërë në prillin e vjetëm në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve bashkë me ministrin Çeku ishin edhe Tomas Szunyog, ambasadori i BE-së në Kosovë, dhe Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së.

Muzeu dhe katedralja e Zonjës Ndihmëtare janë restauruar nëpërmjet projektit të financuar nga Shërbimi për Instrumentet e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (FPI) dhe të zbatuar nga UNDP-ja, i quajtur “Trashëgimia Kulturore si Shtytëse e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social”

“Trashëgimia e pasur kulturore e Kosovës është lidhja jonë me të kaluarën dhe mësuesi ynë për të ardhmen. Flet për tolerancën, miqësinë dhe bashkëjetesën, të cilat janë më se të nevojshme në botën ku jetojmë”, kishte thënë ambasadori Szunyog. “Përmes Instrumentit për Asistencë së Para-Aderimit, dhe Instrumentit të Politikës së Jashtme, BE-ja ka ndihmuar në restaurimin e 56 vendeve të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë, ndër të tjera, xhamitë, kishat, vendet arkeologjike e kulturore dhe muzetë, dhe ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës për të gjitha komunitetet dhe gjeneratat që vijnë”, kishte thënë ai. Në njoftimin e UNDP-së për dallim nga ministri Çeku tregohej se hidroelektrana “Prizrenasja” u ndërtua ndërmjet viteve 1926 dhe 1928 duke furnizuar Prizrenin me energji elektrike deri në vitin 1973, kurse në vitin 1979 u shndërrua në Muze të Energjisë Elektrike.