Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ministria e Kulturës shpall konkursin për çmimet vjetore, zgjeron fushat

Ministria e Kulturës

Siç shkruhet në shpallje, çmimet u kontribuojnë “njohjes së punës, kreativitetit të dalluar, suksesit dhe të arriturave në karrierë, risitë dhe kontributin cilësor në avancimin e artit dhe kulturës në vend për të gjitha personalitetet e fushave të artit dhe kulturës”

Foto: Driton Paçarada

Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin për çmimet vjetore për art dhe kulturë për këtë vit si formë e vlerësimit dhe promovimit të krijuesve dhe atyre që japin kontribut të veçantë për zhvillimin e artit dhe të kulturës në Kosovë. Është hera e parë që thirrjet për çmimet vjetore vijnë përmbledhtas, dhe zgjerohen edhe në fusha të tjera, si arkitekturë dhe vallëzim. Ka edhe ndryshime të tjera dhe krejt këto bazohen në rregulloren e vjetme. 

Siç shkruhet në shpallje, çmimet u kontribuojnë “njohjes së punës, kreativitetit të dalluar, suksesit dhe të arriturave në karrierë, risitë dhe kontributin cilësor në avancimin e artit dhe kulturës në vend për të gjitha personalitetet e fushave të artit dhe kulturës”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në kuadër të konkursit do të ndahen çmime në disa fusha, përfshirë letërsinë, artet skenike, kinematografinë, muzikën, artin pamor, vallëzimin dhe arkitekturën. Po ashtu do të jepen edhe Çmimi Vjetor për Përfaqësim Ndërkombëtar, si dhe Çmimi Vjetor për Krijuesit dhe Performuesit e Rinj.
Ndër çmimet kryesore është Çmimi Kombëtar për Arritje Jetësore, i cili u ndahet personaliteteve të shquara që gjatë jetës së tyre kanë dhënë kontribut të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm në avancimin e artit dhe të kulturës. Ky çmim ndahet edhe pas vdekjes së artistit (post-mortem) dhe jepet vetëm një herë për secilin laureat, sipas rregullave të konkursit. 

Krahas këtij çmimi, që ndahet për secilën fushë përkatëse, çmimet e tjera, siç theksohet, synojnë të vlerësojnë punën dhe aktivitetin krijues ose performues për sukseset e arritura gjatë vitit paraprak në kuadër të veprimtarisë artistike dhe kulturore.

Në fushën e letërsisë do të ndahen çmime për veprën më të mirë në prozë, poezi, letërsi për fëmijë dhe të rinj, kritikë letrare dhe eseistikë, si dhe për veprën më të mirë të përkthyer. Ndërsa në artet skenike, kinematografi dhe muzikë do të vlerësohen kategori të ndryshme që përfshijnë regji, aktrim, vepra muzikore dhe kreativitet artistik në produksione.

Po ashtu do të ndahen çmime edhe në fushën e artit pamor, fotografisë, dizajnit dhe multimedias, koreografisë në vallëzim folklorik dhe bashkëkohor, si dhe për valltarin apo balerinin më të mirë.
Nominimet për këto çmime mund të bëhen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, institucionet qendrore dhe lokale të kulturës, institucionet akademike e shkencore, shoqatat profesionale të artit dhe kulturës, organizatat joqeveritare dhe ndërmarrjet që veprojnë në skenën e pavarur kulturore, individë nga kjo skenë, si dhe nga vetë krijuesit dhe performuesit.
Siç shkruhet, propozimet duhet të dorëzohen në formë fizike, në zarf të mbyllur, së bashku me formularin e plotësuar të nominimit, përshkrimin e detajuar të arritjeve të kandidatit dhe materiale mbështetëse si publikime, dokumente, fotografi, video ose regjistrime audio.

Një nga kushtet e konkursit është që të propozuarit të jenë shtetas të Kosovës, gjë që pak kohë më parë ishte kritikuar nga forumi i sapoformuar i shkrimtarëve mbarëkombëtarë “Forum26”. 
Në prezantimin e tij, poeti Ndue Ukaj pati theksuar faktin se nëse vepra e një autori të Kosovës botohet në Shqipëri, ai nuk mund të marrë çmim kombëtar atje dhe anasjelltas. Pati thënë se do të përpiqen të punojnë në këtë aspekt në mënyrë që kuptohet pesha e librit, në atë që e quante si betejë kulturore.

“Jemi të privuar nga mundësia që të jemi pjesë e listave të çmimeve kombëtare këtu e atje, sepse nuk jemi shtetas të Shqipërisë, ndërkohë që flasim të njëjtën gjuhë e kulturë që na bashkon”, pati thënë ai midis tjerash muajin e kaluar në ngjarjen e mbajtur në Fakultetin e Filologjisë. 

Në dokumentin e publikuar për konkurs bëhet me dije se vlerësimin për ndarjen e çmimeve do ta bëjë një juri profesionale e përbërë nga tre anëtarë për secilën kategori, ndërsa propozimet që nuk kanë dokumentacion të plotë nuk do të shqyrtohen.

Konkursi për çmimet në të gjitha fushat është thirrur dhe qëndron i hapur për 30 ditë nga data e publikuar, të enjten, më 12 mars, ndërsa propozimet duhet të dorëzohen në Arkivin e Ministrisë së Kulturës.