(The Hollywood Reporter) - Michael Madsen, aktori që shquhej për ashpërsi dhe plot temperament, më i njohur për angazhimin e tij në filmat e Quentin Tarantino, si “Reservoir Dogs, Kill Bill: Vol. 1 & 2”, “The Hateful Eight” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”, vdiq të enjten në mëngjes. Ai ishte 67 vjeç. Madsen u gjet pa shenja jete nga policët që iu përgjigjën një thirrjeje emergjente 911 në shtëpinë e tij në Malibu, dhe u shpall i vdekur në orën 08:25 të mëngjesit, tregoi një zëdhënës i Policisë.
Biografia zyrtare e Madsen thekson se ai “balanconte situatat qoftë kur jepte dialog tronditës apo kur kapte qetësisht një moment pas kamerës, përkushtimi i tij ndaj tregimit mbeti konstant. Ai solli edhe egërsi, edhe shpirt në çdo rol, dhe ndikimi i tij i qëndrueshëm në kinemanë amerikane është i padiskutueshëm”.
Karriera e tij përfshin: “WarGames” (1983), “The Natural” (1984), “The Doors” (1991), “Thelma & Louise” (1991), “Free Willy” (1993), “Species” (1995), “Mulholland Falls” (1996), “Donnie Brasco” (1997), “Die Another Day” (2002), “Sin City” (2005) dhe “Scary Movie 4” (2006).
“Fama është një shpatë me dy tehe”, do të thoshte ai në vitin 2018. “Ka shumë bekime, por edhe shumë gjëra të rënda që vijnë me të. Mendoj se ka lidhje me personazhet që kam luajtur. Mendoj se kam qenë më i besueshëm sesa duhej të isha. Njerëzit vërtet më frikësohen. Më shohin dhe thonë: ‘Dreqi ta hajë, ja ky është ai tipi!’”.
“Por unë nuk jam ai tipi. Jam thjesht një aktor. Jam një baba, kam shtatë fëmijë. Jam i martuar, kam qenë i martuar për 20 vjet. Kur nuk jam duke xhiruar film, jam në shtëpi, me pizhamat, duke parë ‘The Rifleman’ në TV, shpresoj me 12-vjeçarin tim që më përgatit një hamburger. Sigurisht që kam pasur ditët e mia të trazirave, por më herët a më vonë duhet t’i lësh pas dhe të ecësh përpara”.
Vetëm në pesë vjetët e fundit ai ishte shfaqur në dhjetëra filma, shumë prej të cilëve ishin të harrueshëm.
“Epo, ndonjëherë njerëzit harrojnë që duhet të paguash qiranë, duhet t’i çosh fëmijët në shkollë”, thoshte ai. “Nuk mund të zgjedhësh gjithmonë skenarin më të mirë. E zgjedh ndonjë projekt që ndoshta nuk duhej të ishe përfshirë, dhe pastaj duhet të jetosh me të gjithë jetën”.
“Michael ishte një nga aktorët më të mëdhenj amerikanë”, ka thënë në një deklaratë miku dhe avokati i tij, Perry Wander. “Prania e tij në ekran ishte mashkullore, por në fakt ishte një njeri shumë i ëmbël dhe i ndjeshëm që shkruante poezi të mrekullueshme, të botuara në disa libra. Ishte miku dhe klienti im më i dashur për 20 vjetët e fundit dhe do të më mungojë shumë. Jam shumë i pikëlluar. E di që shpirti i tij është në paqe”.
Njëri nga tre fëmijët, Madsen, lindi në Chicago më 25 shtator 1957. Babai i tij, Calvin, ishte zjarrfikës në Chicago, dhe nëna e tij, Elaine, ishte autore që u bë regjisore filmi dhe fitoi një “Emmy” në vitin 1983 për prodhimin e dokumentarit “Better Than It Has to Be”, për historinë e kinemasë në Windy City. Prindërit e tij u divorcuan kur ai ishte 11 vjeç.
I frymëzuar nga Robert Mitchum në filmin e luftës “Heaven Knows Mr. Allison” (1957), Madsen nisi karrierën e tij në aktrim në “Steppenwolf Theatre Company” në Chicago, ku mësoi nga John Malkovich dhe u shfaq në “Of Mice and Men” si Carlson, punëtori i fermës që vret një qen të pafajshëm.
Pas zhvendosjes në Los Angeles dhe një periudhe si mekanik në një pompë benzine në Beverly Hills, ai luajti në dy episode të serialit “St. Elsewhere” në vitin 1982, më pas interpretoi një polic në “WarGames”, me regji të John Badham.
Në debutimin regjisorial të Tarantinos, “Reservoir Dogs” (1992), Madsen mori rolin e të tmerrshmit Mr. Blonde. Ai kishte dëshirë të luante Mr. Pink, sepse kishte më shumë dialog me veteranin Harvey Keitel, por Steve Buscemi e fitoi atë rol. Ishte ose psikopati Mr. Blonde, ose asgjë, i tha Tarantino.
“Nuk e kisha takuar kurrë më parë Quentin”, tregonte ai në një intervistë të vitit 2016. “Hapa derën te studioja e ‘20th Century Fox’ dhe ai ishte aty me krahët e kryqëzuar, Harvey ishte ulur në divan zbathur”. Megjithatë, arriti të priste veshin e një polici në film.
Për filmin pasues të Tarantinos, “Pulp Fiction” (1994), Madsen refuzoi rolin e Vincent Vega, i cili përfundoi te John Travolta, duke i sjellë këtij të fundit një nominim për “Oscar”. Ai tashmë ishte angazhuar për të luajtur Virgil Earp në filmin “Wyatt Earp” (1994) me regji të Lawrence Kasdan.
Në filmat aksion me arte marciale “Kill Bill: Vol. 1 dhe Vol. 2”, të publikuar në 2003 dhe 2004, Madsen interpretoi vrasësin Budd – me emrin kod Sidewinder – dhe rojën e një klubi striptizmi, një nga objektivat e hershme të Bride, luajtur nga Uma Thurman.
Më pas ai ishte “cowboy” i heshtur Joe Gage në “The Hateful Eight” (2015) dhe Sheriff Hackett në “Bounty Law”, seriali televiziv fiktiv i viteve ‘60 në qendër të “Once Upon a Time in Hollywood” (2019).
“Quentin, sipas mendimit tim, është regjisori më i mirë i brezit tim. Është në një nivel me George Stevens, Alfred Hitchcock, Elia Kazan”, thoshte aktori. “Për shkak të kësaj, të marrëdhënies sime me të, gjithçka tjetër që bëra u bë më e madhe. Dhe më pas Kill Bill e vulosi atë. Është një bekim i madh ta kesh këtë, por njëkohësisht është shumë e vështirë të shkëputesh prej saj. Njerëzit nuk duan që ti të shkëputesh”.
“Por nëse je aktor, do të aktrosh, do të provosh gjëra të ndryshme. Por po bëhet një lojë shumë e dëshpëruar, një industri shumë e vështirë dhe konkurruese. Dhe rrjetet sociale janë vërtet mizore. Gjëja interesante është: nëse kërkon gjëra të mira, do t’i gjesh. Nëse kërkon të këqija, do t’i gjesh edhe ato. Dhe shumica e njerëzve, fatkeqësisht, kërkojnë të këqijat”.
Përveç nënës së tij, ai ka lënë pas edhe motrat e tij, aktorja e nominuar për “Oscar”, Virginia Madsen dhe Cheryl, gruaja e tij e tretë, DeAnna, me të cilën u martua në 1996 dhe fëmijët e tij Christian, Max, Kal dhe Luke. Djali i tij Hudson vdiq nga vetëvrasja në vitin 2022, në moshën 26-vjeçare.
Madsen ishte gjithashtu poet i botuar dhe fotograf i talentuar, dhe ka një libër të titulluar “Tears For My Father: Outlaw Thoughts and Poems”, që pritet të dalë vitin e ardhshëm.
Tarantino shkruan në parathënien e librit: “Për mua, udhëtimi i vërtetë që po eksploron Michael, si shkrimtar, është çfarë do të thotë të jesh burrë në një botë ku konceptet e burrërisë me të cilat disa nga ne jemi rritur, mezi kujtohen. Por pastaj, nëse të gjithë do të niseshin në udhëtimin e heroit, të gjithë do të ishin heronj, apo jo?”.