“Gjyshja më e mirë në botë”, është fjalia me ngjyrë ari e qëndisur në jastëkun ngjyrë krem. Sipër saj, një lule e qëndisur në pëlhurën e mëndafshtë. Gërshetimi delikat i trëndafilave ngjyrë rozë dhe petaleve të blerta, mbulojnë sipërfaqen e jastëkut.
Ky dizajnë i veçantë është menduar të jetë dhuratë për gjyshet.“Girlpower” është një mbishkrim tjetër i qëndisur në një xhaketë të farmerkës e që ka qëllim të theksojë fuqinë e vajzave. “Nëna është drita e shtëpisë”, është shkrimi i qëndisur me ngjyrë të zezë dhe i rrethuar me dy lule ngjyrë ari me të blertë në një kasnak, e në një tjetër janë dy duar të kapura dhe disa zemra, që simbolizojnë dashurinë, shkruan Koha Ditore.
Mesazhe e urime për festa e ditë të veçanta kalojnë së pari nëpër duart e Egzonës, para se porositësit t’i befasojnë më të dashurit e tyre.
Egzona Bogaj lexon e qëndis përditë mesazhe e figura të ngjashme. Për të është punë e përditshme, por njëkohësisht edhe barrë shumë e madhe. Ajo e di peshën që kanë këto dhurata. Por i realizon ato me detaje. “Porositë e klientëve janë të ndryshme, të gjitha janë të personalizuara, gjë që e bën të veçantë punën tonë. Në shumicën e produkteve janë mesazhe që ata i përzgjedhin për t’i bërë dhuratë dikujt të veçantë”, tregon ajo.
Vëmendja ndaj qëndisjes është rikthyer në trend viteve të fundit, përmes larmisë së punimeve që bartin mesazhe dhe dedikime të personalizuara. Egzona, që me profesion është arkitekte, ka zgjedhur qëndisjen për të shprehur dashurinë që ka ndaj të bukurës.
Ajo me idenë e një familjari të saj, Baton Gagica dhe me ndihmën e bashkëshortit të saj Pleurat Bajra,në shkurt të këtij viti ka krijuar brendin “Sisi e qëndisi”, që veprimtarinë kryesore e ka qëndisjen. Përmes këtij brendi ofron produkte të veçanta, që përmbajnë mesazhe dhe figura të personalizuara.
(më gjerësisht mund të lexoni në numrin festiv të Kohës Ditore)