Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Mbrojtja e përhershme e Deklaratës së Pavarësisë, kërkesë edhe në 18-vjetor

Mbrojtja e përhershme e Deklaratës së Pavarësisë, kërkesë edhe në 18-vjetor

“Trashëgimia kulturore, shtyllë e identitetit shtetëror: Reflektime në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”, ka qenë tema e tryezës së organizuar të mërkurën nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore

Për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me nja 18 minuta tryezë, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka reflektuar në temën “Trashëgimia kulturore, shtyllë e identitetit shtetëror”. Sikur ky të kishte qenë skenar, edhe në publik kanë nja 18 veta. Konstatimi që ka dalë prej tryezës ka qenë se duhet të shtohet kujdesi institucional ndaj trashëgimisë së shkruar. Është kërkuar që Deklarata e Pavarësisë të gëzojë mbrojtje të përhershme, një kërkesë kaherë e shtruar por pa epilog edhe në 18-vjetorin e saj e të shtetësisë së Kosovës

Trashëgimia e shkruar ndër shqiptarë s’ka zanafillë të largët. Por edhe ajo që është – kryesisht prej shekullit të kaluar – nuk është sistemuar e arkivuar me kujdes. Në kuadër të përvjetorit të 18-të të Pavarësisë së Kosovës është kërkuar që të shtohet kujdesi institucional ndaj kësaj trashëgimie.

Realisht, ky është mesazhi i vetëm që ka dalë nga tryeza “Trashëgimia kulturore, shtyllë e identitetit shtetëror: Reflektime në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”. E organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, të mërkurën në këtë tubim s’ka pasur as reflektime. Me nja 20 veta të pranishëm, gjysma staf i Këshillit dhe një kumtesë mysafire, është përmbyllur takimi që s’ka zgjatur më shumë se 20 minuta. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Përkujdesja ndaj trashëgimisë së shkruar kombëtare”, ka qenë titulli i kumtesës që shefi i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Kosovës, Nuridin Ahmeti, ka lexuar para të pranishmëve. Ai ka thënë se ka bindjen që trashëgimitë e shkruara, si pjesë e trashëgimisë kombëtare të luajtshme, nuk kanë marrë gjithmonë vëmendjen e duhur institucionale e intelektuale, pasi masa e gjerë ndoshta ka qenë më shumë e fokusuar te kujdesi ndaj monumenteve të paluajtshme. Si shembull ka marrë dy fakte.

“Njëri prej trashëgimeve të shkruara ka humbur gjatë historisë, ndërsa tjetri është ruajtur mjaft mirë. I pari ka të bëjë me Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 nëntorit 1912. Siç dihet, ne si komb sot nuk e posedojmë origjinalin e kësaj deklarate. Ajo që paraqitet në tekste të ndryshme të historisë kryesisht është, në fakt, fotografia e realizuar nga familja e njohur Marubi”, ka thënë ai. Sipas Ahmetit, ky dokument nuk është gjetur, dhe disa e arsyetojnë këtë me faktin se Shqipëria, e rrjedhimisht edhe populli shqiptar në Ballkan, pas vitit 1912 ka kaluar nëpër periudha të vështira politike.

“I dyti lidhet me Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të vitit 1972. Ky dokument është ruajtur, sepse, ndër të tjera, personat përgjegjës kanë treguar kujdes të veçantë institucional. Më 25 nëntor 1972 përfundoi punimet Kongresi, ndërsa më 26 nëntor, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, institucion organizator i Kongresit, i dërgoi një shkresë Arkivit të Shtetit në Tiranë, me të cilën përcillte një nga ekzemplarët e rezolutës së nënshkruar nga 87 delegatët, si dhe materiale të tjera përkujtimore të Kongresit”, ka thënë ai. Sipas Ahemtit, në këtë shkresë theksohej vlera historike e dokumentit dhe rëndësia e ruajtjes së tij për brezat e ardhshëm.

“Duke pasur parasysh vlerën e këtij dokumenti dhe rëndësinë e ruajtjes së tij, po ju dërgojmë bashkëngjitur një nga ekzemplarët e rezolutës të firmosur nga 87 delegatët e Kongresit. Së bashku me Rezolutën po ju dërgojmë dhe nga një ekzemplar të medaljonit, distinktivit dhe plakatit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Drejtori, Androkli Kostallari”, ka cituar ai nga shkresa. Ahmeti ka thënë se megjithatë, as Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë e vitit 1912 dhe as Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit e vitit 1972 nuk kanë pasur një status të veçantë në kuptimin e shpalljes si trashëgimi e veçanta shkrimore, e mbrojtur.

Më pas ka thënë se tash është koha t’i dilet në mbrojtje trashëgimisë së shkruar, siç është Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e vitit 2008. 

“Kjo Deklaratë nuk është thjesht bojë mbi pergamenë dhe disa nënshkrime të vendosura mbi të, por një dëshmi e sakrificës ndër breza të popullit tonë për liri, e kurorëzuar në vitin 2008. Andaj, si e tillë, ajo meriton vëmendje të vazhdueshme institucionale dhe shpalljen si ‘trashëgimi kombëtare shkrimore në mbrojtje të përhershme’”, ka thënë ai. Deklarata e cilat gjendet në Kuvendin e Kosovës është në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojte të Përkohshme. Që ajo të propozohet për mbrojtje të përhershme, këtë duhet ta bëjë Ministria e Kulturës apo institucionet vartëse të saj. Por zyrtarët e këtyre institucioneve s’kanë qenë në tryezë. Kanë munguar përfaqësuesit e Muzeut Kombëtar të Kosovës e po ashtu të Fakultetit të Arkitekturës. 

“Dhe krejt në fund, propozoj që Deklarata e Pavarësisë të vendoset edhe në një format monumental, pllakë të skalitur në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ose në ndonjë shesh të madh të kryeqytetit”, ka thënë Ahmeti.

Anëtari i KKTK-së, Arianit Buçinca, ka thënë së në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme, Kosova ruan në mënyrë të përhershme 93 asete, rezervate dhe zona arkeologjike e arkitektonike nga të gjitha komunat e Kosovës, që nga tumat parahistorike, si Tuma Monumentale e Gjinocit, e deri te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Sipas tij, vetëm Prizreni numëron mbi njëzet monumente të mbrojtura, ndërsa Prishtina mbi pesëmbëdhjetë. 

“Në mbrojtje të përhershme janë edhe objektet më të rëndësishme sakrale nga të gjitha konfesionet në Kosovë, të cilat pasqyrojnë pasurinë tonë kulturore. Në mbrojtje të përhershme janë gjithashtu Parku Arkeologjik Ulpiana, objekti administrativ i Lidhjes së Prizrenit, si dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, të cilat, ndër të tjera, përfaqësojnë vazhdimësinë e trashëgimisë sonë materiale, jo vetëm si kujtesë, por edhe si shtyllë e identitetit shtetëror”, ka thënë ai. Sipas Buçincës, trashëgimia arkeologjike, arkitekturore, shpirtërore dhe jomateriale është themeli i shtetformimit dhe shenjë e përjetësisë së Kosovës. 

“Prandaj, sot, në këtë mbledhje modeste diskutimesh, rikujtojmë nevojën për mbrojtjen dhe përkujdesjen e përhershme të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai derisa ka mbështetur propozimin e historianit Ahmeti. 

Kryetari i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Artan Krasniqi, ka thënë se ky aktivitet po mbahet në vazhdën e aktiviteteve për nxitjen e diskutimit dhe veprimit te të gjitha institucionet përgjegjëse. 

“Këto diskutime bëhen po ashtu për të kërkuar që numri i aseteve të trashëgimisë kulturore me status të mbrojtjes së përhershme të rritet vazhdimisht”, ka thënë ai. Edhe tryezat si kjo, e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, janë njëfarë shenje e trajtimit të trashëgimisë kulturore në vend.