Justiniana Secunda tashmë prin sa u përket atyre që arkeologët i quajnë gjetje madhështore. Ka kishën më të madhe të zbuluar deri më tash në krejt Ballkanin dhe mbishkrimin e perandorit Justinian, të vetmin të zbuluar deri më tash në krejt shtrirjen e botës romake. Mbishkrimi i zbuluar sivjet u vë pikën disa çështjeve. Saktëson vitin e inaugurimit, emrin e qytetit dhe mënyrën e financimit. Bazilika e ndërtuar me vullnetin dhe urdhrin e Justinianit të Madh është inauguruar në vitin 545. Kjo e dhënë është e shkruar në latinisht në mbishkrim. Ky është veç një prej detajeve që tregohen në mbishkrimin që plotëson të dhënat për mbetjet e objektit të kultit.
Mbishkrimi në mozaikun e strukturave të kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, më 2023 kishte treguar qartë se qe Justiniani i Madh ai që së bashku me bashkëshorten Teodora themeluan qytetin Justiniana Secunda, nja 700 metra në lindje të Ulpianës. Gërmimet e sivjetshme arkeologjike e kanë çuar edhe më tej këtë zbulim. U është vënë pika disa çështjeve. Mbishkrimi i ri dhe më i gjatë e saktëson vitin e inaugurimit, emrin e qytetit dhe mënyrën e financimit. Cilësohet si vulë e qytetit që mori jetë në shekullin e 6-të.
Justiniana Secunda tashmë prin sa u përket atyre që arkeologët i quajnë gjetje madhështore. Ka kishën më të madhe të zbuluar deri më tash në krejt Ballkanin dhe mbishkrimin e perandorit Justinian, të vetmin të zbuluar deri më tash në krejt shtrirjen e botës romake. Në temperatura të larta, arkeologët të martën kanë qenë duke e fotografuar në detaje mbishkrimin e ri latin prej nëntë rreshtash. Procesi e do që të laget me ujë në mënyrë që t’i dalë në pah pamja, e më pas të shkrepen fotografitë. Sipër mbishkrimit janë motive të ndryshme nga flora e fauna. Krejt të “qëndisura” në dysheme nëpërmjet gurëve të vegjël rreth një centimetër me një centimetër.
“Në mbishkrimin e dytë kemi konfirmimin dhe vitin e saktë. Kisha u inaugurua nga Justiniani dhe Teodora midis 1 shtatorit 545 deri më 30 dhjetorit 545. Po ashtu mësojmë edhe për emërimin e kryepeshkopit të qytetit, Paulus”, ka treguar Christophe Goddard, i cili është përfaqësues i “Ecole Normale Supérieure” nga Parisi dhe drejton laboratorin “Aoroc”. Nëpërmjet bashkëpunimit midis institucioneve franceze, Universitetit të Prishtinës dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës e me financimin e Bashkimit Evropian, arkeologët po zhvillojnë gërmimet në këtë lokalitet.
Perandori romak, Justiniani kishte prejardhje dardane. Ai sundoi prej vitit 527 deri më 565. Në mbishkrimin e zbuluar sivjet tregohet se bazilika është inauguruar në vitin e 18-të të sundimit të tij, që i bie viti 545. Po ashtu, aty bëhet e ditur se ndërtimi është bërë edhe me paratë e popullit.
“Ky mbishkrim na e jep datën e saktë të themelimit të qytetit”, ka treguar Goddard. Sipas tij, bëhet fjalë për detaje të pabesueshme.
“Kemi dy mbishkrime të Justinianit në të njëjtën ndërtesë që janë të vetmet në botën romake deri më tash të bëra nga ai. Nuk është kjo e vetmja ndërtesë e bërë prej tij, por mbishkrimet deri me tash, po”, ka thënë ai. deri në fund të shtatorit pritet që të gërmohet krejt hapësira ku shtrihet kisha.
“Kemi edhe një mbishkrim të tretë shumë të vogël që flet për elitën lokale. Ka mundësi të ketë edhe ndonjë tjetër”, ka thënë Goddard.

Kolegu i tij nga Kosova, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, njëherësh bashkudhëheqës i projektit, Milot Berisha, ka thënë se pas mbishkrimit të zbuluar më 2023, tashmë gërmimet po vazhdojnë në naosin e bazilikës.
“Kemi arritur të identifikojmë një mozaik me një mbishkrim jashtëzakonisht informues të shtrirë në nëntë rreshta. Na informon në vija të shkurtra për emërtimin e qytetit dhe kjo është vula përfundimtare që ka të bëjë me qytetin e Justiniana Secundës të ndërtuar me urdhër dhe vullnetin e perandorit Justiniani i Madh dhe Teodorës”, ka thënë ai. Ka vënë theksin në atë se tashmë dihet viti i saktë i inaugurimit.
“Kemi një kënaqësi të veçantë që të zbulojmë pjesën tjetër të mbetur të katedrales që është një kompleks i madh që ka edhe pallatin e arqipeshkvit në veri dhe besoj më 2026 do të vazhdojmë me pagëzimoren në jug të katedrales”, ka thënë Berisha, i cili ka udhëhequr punimet e shndërrimit të një pjese të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës në park arkeologjik. Të martën ai është emëruar menaxher i Parkut Arkeologjik.
Në gërmimet e vitit 2023 në strukturat e kishës qe hasur në mbishkrimin e parë latin. Aty qartësohet se ishte perandori Justinian, i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj, detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga Justiniani. E vazhdimësia dardane deri në mesjetë, po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht.
“Është një dedikim monumental. Është dedikim edhe për qytetin që ndodhet në Dardani. Fakti që Perandori e përmend këtë si krijim të tij është një detaj interesant, pasi tregon se ai ka financuar ndërtimin e qytetit e ndërtimin e tempujve. Tash jemi të sigurt që jo veç kjo kishë është financuar nga Justiniani, por edhe më shumë përreth”, kishte thënë Goddard në gushtin e 2023-s. Burimet historike kanë treguar se pas tërmetit të vitit 518 Ulpiana si qytet ishte shkatërruar. E më pas perandori Justinian do të rindërtonte qytetin më në lindje të paraprakut. Këtë histori e ka lënë të shkruar edhe historiani i shquar i shekullit të 6-të, Procopius. Zbulimet e mbishkrimeve tash vulosin gjithçka: Justiniani dhe bashkëshortja e tij, Teodora do të vendosnin për themelimin e qytetit të ri. Prej vitit 535 ndërtimet e tij në Dardani do të merrnin hov.
Gërmimet e sivjetshme pos mozaikut kanë nxjerrë në pah shumë mirë planimetrinë e kishës. Detaje të shumta të strukturës e edhe të jetës në atë qytet tashmë janë të prekshme. Enët e gatimit janë pak nga detajet që do të hapin shumë të dhëna. Nëpërmjet studimeve laboratorike mund të dalin në pah shumë gjëra, përfshirë atë se çfarë është përgatitur në enë. Krejt zona është shumë e pasur. Sivjet përreth po bëhen incizime që do të tregojnë se çfarë fshihet nën tokë në anët e tjera.
“Ulpiana” është aseti më reprezentativ i shekujve të parë në këto anë e njëkohësisht monumenti më i vizituar në Kosovë. Prej vjeshtës së vitit 2016 aty gjendet edhe parku arkeologjik “Ulpiana”, i vetmi i tillë në vend. Shteti vazhdimisht, deri në verën e vitit të kaluar ka paguar qira vjetore për pronat private që shfrytëzoheshin në këtë lokalitet. Por prej vitit të kaluar është bërë shpronësimi i 21 hektarëve.
Në tre hektarë vizitorët qysh nga viti 2016 – kur një pjesë e lokalitetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje. Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por, e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë ua ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian. Por, lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth. Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë.
Sa u përket zbulimeve të reja, ende ka shumë punë. Arkeologu francez, Goddard ka thënë se e sivjet po bëjnë konsolidim të mozaikut e më pas të mureve. Sa i përket mundësisë që në të ardhmen ajo hapësirë të jetë një lloj i muzeut të hapur, ai ka thënë se duhet një kulm nëse vendoset që mozaiku të ngelet i hapur.
“Duhet të prezantohet në mënyrën e duhur që njerëzit ta kuptojnë. Disa vende përreth nesh e kanë bërë këtë”, ka thënë ai. Ka marrë shembull Bazilikën romake në Plovdiv të Bullgarisë. Mbi gjurmët e kishës është ngritur një konstruksion që mundëson që mozaiku të qëndrojë në gjendje të mirë ekspozuese.
“Duhet të gjendet zgjidhje se si mund të bëhet mbulimi që përshtatet me hapësirën. Bëhet fjalë për një kishë sa katedralja në qendër të Prishtinës”, ka thënë Goddard. Arkeologët në vitin 2022 kishin rënë në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, 78 me 23 metra. E në bazë të hulumtimeve edhe gjeofizike kishin ardhur në konstatim se Justiniana Sekunda ishte qytet i fortifikuar me muri rrethues dhe kapte sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh. Goxha më i vogël se Ulpiana, që është 35 hektarë.