Kulturë

Matematika e ngjyrave për Prishtinën në kohë

Nga larg gjithçka duket e vizualizuar brenda një përpikërie matematikore. Por katrorët ngjyra-ngjyra ndryjnë rrëfime në vete. Brenda një cikli prej nëntë pikturash përçohet ndjesia e dritareve dhe dyerve, ku ngjyra është parathënie për një jetë që fshihet aty, shkruan sot Koha Ditore.

Jo pa qëllim, artisti Lorik Sylejmani kishte zgjedhur që ditëlindjen e vet të 48-të ta kremtonte në një mënyrë të veçantë. Bashkë me mbesën e tij 9-vjeçe, Bora Sylejmani, ai të premten në mbrëmje, në mjediset e “Shtëpisë së Evropës” në kryeqytet ka hapur ekspozitën e tij të dytë. “There’s nothing… more than this”, është titulli i saj.

Katër punimeve të mëhershme që i kishte shpalosur në ekspozitën e tij të parë – në prill të vitit 2018 në Galerinë Kombëtare të Kosovës e titulluar “Eja të shohësh vetminë” – ai u ka shtuar pesë punime të reja.

“Cikli i ri i veprave është i punuar në bez sipas një teknike e moduli të ri të punës, të cilin mendoj ta ndjek deri në fund të karrierës sime”, ka shpjeguar për gazetën Sylejmani.

Duke i lënë të hapura të interpretohen nga secili artdashës, ai ka thënë se secili prej katrorëve në piktura përbën një tregim më vete.

“Pas secilës ngjyrë mund të merret me mend se është dikush prapa në dhomë që ka jetën e vet”, ka thënë Sylejmani. E mu në këta katrorë, muzikanti Liburn Jupolli ka shtuar edhe nga një kompozim. Vetë autori ka thënë se kjo do të jetë përmbajtja e ekspozitës së radhës që do të hapet nga “fundi i marsit ose fillimi i prillit”. E në fundvit edhe një ekspozitë në New York.

Pa e fshehur krenarinë, Sylejmani ka folur edhe për tri krijimet e mbesës së tij, Bora Sylejmani, për të cilën ka thënë se ka shfaqur qysh tani përfytyrimin e saj artistik.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)