Koleksionistja dhe tregtarja e artit, Marian Goodman, e respektuar gjerësisht për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj artistëve që përfaqësonte dhe për mospërfilljen e saj ndaj trendëve, si estetikë ashtu edhe tregtarë, vdiq të enjten në një spital në Los Angeles. Ajo ishte 97 vjeçe.
Në vitin 1977, në moshën 49-vjeçare, Goodman hapi galerinë që mbante emrin e saj në Midtown Manhattan, me një ekspozitë të artistit dhe poetit belg Marcel Broodthaers (tashmë i ndjerë), vepra konceptualisht rigoroze e të cilit ishte tregues i shijes së saj të guximshme. Gjatë pesë dekadave pasuese, ajo ekspozoi dhe ndihmoi në afirmimin e shumë prej artistëve kryesorë të kohës së saj, veçanërisht evropianë që ende nuk kishin marrë vlerësimin e plotë në Shtetet e Bashkuara.
Sapo Goodman vendoste të merrte përsipër një artist, ajo angazhohej plotësisht.
“Duhet të jesh i gatshëm ta ekspozosh një artist për 15 apo vjet”, i kishte thënë ajo kritikut të artit Peter Schjeldahl në “New Yorker” në vitin 2004. Ajo jepte intervista rrallë, duke preferuar që mediet të përqendroheshin te artistët e saj. Shtyllat e listës së saj përfshinin piktorin Gerhard Richter dhe artistin e instalacioneve Lothar Baumgarten, të dy nga Gjermania, mjeshtrit italianë të “Arte Povera”, Giovanni Anselmo dhe Giuseppe Penone, regjisorin britanik Steve McQueen, piktoren etiopiano-amerikane Julie Mehretu, vizatuesin dhe kineastin nga Afrika e Jugut William Kentridge, si dhe shumë emra të tjerë të njohur.
“Nëse gjatë 40 vjetëve të fundit do të kishit blerë vetëm vepra nga Marian Goodman, sot do të kishit një nga muzetë më të mirë në botë”, do të thoshte Tom Eccles, drejtor i Qendrës për Studime Kuratoriale në “Bard College” në vitin 2014.
Marian Geller u lind në vitin 1928 në New York, ku jetoi pothuajse gjithë jetën. Babai i saj, Maurice Geller, ishte kontabilist dhe adhurues i zjarrtë i artit, i cili grumbulloi 40 piktura të modernistit amerikan Milton Avery. Galeristja e ardhshme studioi në Emerson College në Boston, ku mendoi për një karrierë në gazetari, dhe në fillim të të njëzetave u martua me William Goodman, një inxhinier civil. Ata u divorcuan në vitin 1968.
Nuk ka një rrugë të përcaktuar për t’u bërë tregtar arti, por qasja e Goodman ishte veçanërisht e pazakontë. Në vitin 1962, ajo organizoi një set grafikash si mbledhje fondesh për shkollën në New York të dy fëmijëve të saj, Michael dhe Amy. “Mendova: ndoshta mund ta bëj këtë si profesion”, kishte thënë ajo për New Yorker.
Vitin pasues, Goodman nisi studimet pasuniversitare për histori arti në Universitetin e Columbias dhe, në vitin 1965, themeloi një kompani të quajtur “Multiples” për të botuar dhe shitur edicione të përballueshme nga artistë. Idenë ia kishte propozuar fillimisht Muzeut të Artit Modern, i cili e refuzoi.
Koncepti ishte “afër idesë socialiste se arti duhet të jetë i arritshëm”, i tregoi ajo Blake Gopnikut në “New York Times” në vitin 2021. Kapitali i saj erdhi nga partnerë biznesi dhe nga shitja e një pikture të Averyt që ia kishte dhënë i ati, dhe kompania vijoi të publikonte materiale nga artistë të mëdhenj si Larry Rivers, Claes Oldenburg dhe Roy Lichtenstein.
Udhëtimet e shpeshta të Goodmanit në Evropë qenë vendimtare në formësimin e interesave të saj artistike, dhe ajo më në fund ndërmori hapin për të krijuar galerinë e vet pasi nuk arriti të gjente një galerist në New York për Broodthaers. Ajo zgjodhi Rrugën 57 për aktivitetin e saj – atëherë një qendër e botës së artit të qytetit – dhe ndërsa kolegët e saj u zhvendosën drejt SoHo e më pas Chelseas në vitet që pasuan, ajo qëndroi.
“Pashë tregtarë që vraponin pas artistëve, pastaj i flaknin dhe kalonin te tjetri”, tregoi ajo për skenën e SoHos në “New Yorker”.
“Kisha frikë se ishte ngjitëse”, do të shtonte ajo.
Në vitin 1985, galeria u zhvendos në selinë e saj afatgjatë, në katin e katërt të një ndërtese në Rrugën 57. Për shkak të ashensorëve të vegjël, veprat më të mëdha duhej të futeshin nga dritarja, me kujdes, përmes një vinçi. Vendndodhja disi e pazakontë për kohën, së bashku me reputacionin e shkëlqyer pas saj, e bënte çdo ekspozitë aty një lloj eventi të veçantë.
Ndërsa tregu i artit shpërtheu në vitet ‘90 dhe 2000, disa galeristë ambiciozë filluan të hapnin degë anembanë globit. Goodman, jo. Ajo hapi një hapësirë në Paris në vitin 1995 (vendi i saj aktual, intim, daton nga viti 1999) dhe në vitin 2014 inauguroi një të madhe në Londër, e cila u mbyll gjatë pandemisë së koronavirusit në vitin 2020.
Edhe pse mbante një distancë të caktuar (fizike dhe psikike) nga industria gjithnjë e në zgjerim e artit, Goodman fitoi admirimin e konkurrentëve të saj. David Zwirner tregonte kur po niste galerinë e tij në vitet 90, ajo ishte “një model që synoja ta arrija”. Jeffrey Deitch i tha “New York Times” në vitin 2021: “Ajo përcaktoi modelin e galerisë bashkëkohore me të njëjtat standarde si një muze i madh”. Kur Schjeldahl e kishte pyetur si mendonte se e shihnin njerëzit e botës së artit, përgjigjja e saj ishte: “E përgjegjshme. Një avokate pasionante për artistët e mi. Mesatare mjaft e mirë. Më shumë e mençur sesa e pamatur”.
Ndërsa Goodman hyri në të nëntëdhjetat, ajo vendosi një ekip drejtues, duke planifikuar të ardhmen e galerisë, dhe në vitin 2019 punësoi Philipp Kaiser, ish-drejtor i muzeut “Ludwig” në Këln; ai është aktualisht presidenti i galerisë. Me kalimin e viteve, Goodman u pa më rrallë dhe u shfaqën shenja ndryshimi. Në vitin 2023, galeria njoftoi se do të largohej nga Midtown drejt Tribecas, ku shumë sipërmarrje prestigjioze janë zhvendosur gjatë pesë viteve të fundit. Po atë vit, ajo u hap edhe në Los Anxhelos, një tjetër vatër e aktivitetit tregtar.
Richter, i cili pati më shumë se një duzinë ekspozitash personale me Goodman midis viteve 1985 dhe 2020, u largua në fund të vitit 2022 drejt Zwirnerit. “Marian është një prani”, i kishte thënë ai “New Yorker” rreth dy dekada më parë. “Ajo është e mençur. Ajo ka guxim”. /ArtNews