Kulturë

“Manaki Brothers” vlerëson filmin shqiptar “The Van”

Mjeshtëria e drejtorit të fotografisë, Guillaume le Grontec në filmin “The Van” të regjisorit shqiptar Erenik Beqiri është shpërblyer të shtunën mbrëma në edicionin e 40-të të festivalit ndërkombëtar të kineastëve të filmit “Manaki Brothers”, në Manastir.

Grontec mori çmimin special të jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër që ishin në garë për çmimin “Small Camera 300” në këtë festival, i cili shpërblen ekskluzivisht drejtorët e fotografisë. Në këtë kategori ka triumfuar drejtoresha e fotografisë Constanza Sandoval, për filmin “Monster God” të Argjentinës për poetikën e figurës dhe interpretimin e ngjyrosur të heshtur të tregimit, shkruan sot “Koha Ditore”. Në ceremoninë përmbyllëse të festivalit, që nisi më 14 shtator, u ndanë edhe çmimet kryesore në kategorinë e filmave të gjatë, “Golden Camera 300”, “Silver Camera 300” dhe “Bronze Camera 300”.

Darijan Pejovski, selektor i programit të filmave të shkurtër ka thënë se në dhjetë filmat që kanë qenë pjesë e kësaj gare, përfshirë edhe filmin “The Van”, mund të shihen qartë shkathtësitë e drejtorëve të fotografisë. Pikërisht për diçka të tillë është shpërblyer edhe Guillaume le Grontec.

“Për mënyrën sesi e ka mbajtur kamerën në duar, diçka që mbështet aspektet kryesore te tregimit, dhe për mënyrën e përdorimit të ngjyrave në një mënyrë shumë shprehëse”, është arsyetimi i jurisë për çmimin.

Guillaume le Grontec, përveç punës së tij në filmin “The Van”, ka punuar si drejtor i fotografisë edhe në filma të tjerë, si në filmin “Occidental” dhe “Tonight and the people” të regjisorit Neil Beloufa, pastaj “Wrinkles of the city” të regjisorit Guillaume Cagniard, “Lina” të regjisores Sophie le Gendre e të tjerë.

Erenik Beqiri nëpërmjet “The Van” (Furgonit) sjell Shqipërinë e viteve ’90 kur të gjithë ia mësyjnë të ikin. Filmi në të cilin në role kryesore janë aktori francez Phénix Brossard dhe aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, u dha premierë botërore në maj të këtij viti në Festivalin e Filmit në Cannes.

Filmi “The Van” në festivalin “Manaki Brothers” ishte shfaqur të enjten, më 19 shtator. I pranishëm ishte edhe ekipi i filmit. Beqiri për gazetën pati thënë se përzgjedhja për “Manaki Brothers” është kënaqësi dhe një vlerësim për punën që bëri drejtori i fotografisë, Guillaum Le Grontec. Çmimin kryesor të “Manaki Brothers”, “Golden Camera 300” e ka marrë drejtoresha e fotografisë Helene Louvart për filmin braziliano-gjerman, “The Invisible Life of Euridice Gusmao”.

“Helene Louvart demonstron me mjeshtëri se çfarë mund të jetë kinematografia, por njëkohësisht edhe forcën e saj psikologjike për të treguar ngjarjen”, kanë shkruar në arsyetimin e tyre anëtarët e jurisë. Jinsong Dong ka marrë çmimin “Silver Camera 300” për produksionin kinezo-francez “The Wild Goose Lake”, ndërsa Daniele Cipri me filmin italian “Piranhas” ka marrë çmimin “Bronze Camera 300”.

Përveç “The Van”, në këtë festival janë shfaqur edhe dy filma të tjerë të regjisorëve shqiptarë: “Shpia e Agës” e regjisores Lendita Zeqiraj dhe “Derë e hapur” i regjisorit Florenc Papas ishin pjesë e programit jogarues “European Cinema Prespective”.