Di të bëjë rrengjet më të bukura nga e mistershmja botë e magjisë. Madje, siç e thotë edhe vetë, nga iluzionist është shndërruar në deluzionist. Magjistari italian, Erix Logan, para syve tanë kryen një rreng të bukur: përzien me duar dhjetëra letra bixhozi që në të bardhen e tyre kanë të stampuar “Jokerin”. Shumica e letrave nga prapa janë të kuqe përveç njërës që ka flamurin e BE-së. Për pak minuta, italiani bëri që pjesa e prapme e secilës letër të kuqe të “shndërrohej” në të kaltrën e flamurit të BE-së.
“Morali i këtij rrengu me karta është se një ide e madhe mund të shpërndahet lehtë e ta ndryshojë secilin për të mirë. Kjo është vlera themelore e Bashkimit Evropian”, ka thënë të hënën magjistari e iluzionisti italian, Erix Logan.
Kështu, performanca e tij tetë-minutëshe “EU Magic!” ishte dhurata e tij për publikun e Kosovës me “Javën e Evropës” që nisi të shtunën si program për ta shënuar Ditën e Evropës, organizuar nga “Europe House Kosovo”, në Prishtinë, shkruan KOHA.
Italiani nga Brescia, që tani jeton në Kanada, teksa ka përshëndetur popullin e Kosovës, ka folur për vlerat e BE-së që, sipas tij, udhëhiqen nga barazia dhe dinjiteti për të drejtat e njeriut.
“Ne kemi të gjitha burimet për mundësi dhe dua që brezi i ri t’i përdorë këto mundësi për jetën e vet. Të rinjtë nuk duhet të ndalen së ëndërruari asnjëherë për shkak se ëndrrat mund të bëhen njëmendësi pa dallim moshe”, ka thënë Logan, emri i vërtetë i të cilit është Enrico Del Buono.
Për të, magjikja nuk është vetëm për t’i mashtruar njerëzit përmes rrengjeve magjike, por edhe “mjet i fuqishëm për të zgjuar magjiken brenda secilit”.
Sipas tij, shumica e njerëzve do të kërkonin nga një magjistar që të “shërojë” planetin nga virusi. Mu për këtë, italiani kishte përgatitur “rrengun” e dytë iluzionist për të përçuar shpresë.