Për kinematografinë e Kosovës, premiera botërore e filmit “Luaneshat e Kodrës” në “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, është cilësuar si moment historik, por industria franceze ka nxjerrë edhe si një tjetër paralajmërim. Kompania “Le Pacte”, që ka marrë të drejtat e distribuimit të filmit në tregun francez, ka shkruar se Luana Bajrami është një emër që do të veçohet në botën e regjisë
Luana Bajrami, 20-vjeçare, bëhet regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, shfaq filmin e saj. Kështu “Luaneshat e Kodrës” do të jetë filmi i parë metrazhit të gjatë nga Kosova që do ta shfaqë premierën në një ndër festivalet me prestigjioze në botën e filmit. E njohur kryesisht si aktore, Bajrami tashmë po vulos suksesin e saj edhe si regjisore. Pasi që “Luaneshat e Kodrës” shënon filmin e parë të Bajramit, ajo ka mundësinë që të dalë edhe me çmim nga Festivali i Cannes, ani pse nuk është pjesë e garës zyrtare.
“Caméra d’Or” (Kamera e artë) është çmim të cilin Festivali i Filmit në Cannes e ndan për një nga seksionet e tij – përzgjedhjen zyrtare, ‘Directors' Fortnight’ apo “International Critics Week”. Është krijuar në vitin 1978 dhe ndahet gjatë ceremonisë përmbyllëse të Festivalit, nga një juri e pavarur. Edicioni i 74-t i Festivalit të Filmit në Cannes mbahet prej 6 deri më 17 korrik.
Për projektin e saj më të ri Bajrami, e cila jeton në Francë, ishte kthyer në vendlindje. Në Kosovë ka xhiruar krejt filmin që sjell rrëfimin e tri vajzave të reja, të cilat e shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Përballë kësaj ngufatjeje, sipas sinopsisit të filmit, ato vihen në kërkim të pavarësisë.
“Ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë”, është shkruar në komunikatën e publikuar nga Qendra Kinematografikë e Kosovës, e cila e ka bërë të ditur këtë lajm të martën.
Aty regjisorja Luana Bajrami është cituar të ketë thënë se është rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder që ta sjellë këtë film kosovar në Festivalin e Cannes në Francë.
“Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema, të cilat janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri”, ka thënë regjisorja, që gjatë ditës është takuar edhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas komunikatës së MKRS-së, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka uruar Bajramit suksese, si dhe së bashku kanë diskutuar për rëndësinë që kanë paraqitjet e tilla “me vlerë për promovimin e Kosovës dhe gjithashtu për punën e mirë që po bëjnë të rinjtë e vendit tonë, duke na bërë krenarë në botë”.
“Luaneshat e Kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducentin Pascal Judelewiczin. Në “Director's Fortnight” përveç filmit të regjisores kosovare janë edhe 23 filma të tjerë.
Regjisorja për këtë film ka bërë bashkë aktorë të rinj, kryesisht studentë të Akademisë së Arteve. Në role kryesore ka Flaka Latifin, Uratë Shabanin, Era Balajn dhe Andi Bajgorën.
Bajgora, i njohur për rolin e tij në filmin “Shok” – i nominuar për “Oscar” në vitin 2016 – ka thënë se i janë gëzuar lajmit. Ka treguar se i gjithë ekipi është duke festuar së bashku me aktoret e tjera të filmit.
“Për momentin nuk mund të shpalosim asgjë më shumë për filmin dhe i mbetet regjisores për të vendosur se si do të veprojnë më tutje në lidhje me intervistat”, ka thënë Bajgora, i cili luan Zemin. E Bajrami në këtë film, përveç që ka bërë regjinë, ka luajtur edhe vetë. Në film ka rolin e Lenës.
“Luaneshat e Kodrës”, një film që, siç e kishte përshkruar regjisorja, ka një vështrim mjaft personal, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga “OrëZanë Films” (Kosovë), “Vents Contraires” (Francë) dhe “Acajou Productions” (Francë). QKK-ja në konkursin e vitit 2020 e mbështeti me 30 mijë euro për post produksion.
Arben Zharku, drejtor i QKK-së, ka thënë se vendi po jeton një lulëzim të madh kinematografik, i cili po shfaqet kryesisht prej regjisoreve.
“Ky është pa dyshim moment historik për kinematografinë tonë. Është jashtëzakonisht arritje e madhe për regjisoren dhe krejt ekipin për punën edhe përkushtimin e pakompromis për të arritur një vepër kaq të bukur dhe me kaq peshë për vendin tonë”, ka thënë ai për KOHËN. Këtij suksesi i janë gëzuar edhe artistë të tjerë në vend.
“Edhe një sukses i jashtëzakonshëm i filmit nga një regjisore kosovare”, ka shkruar në Facebook regjisorja Blerta Zeqiri.
E producenti Shkumbin Istrefi, gjersa ka uruar ekipin, ka potencuar në faqen e tij në Facebok se “vitet e fundit janë epokë e ndritshme e kinematografisë sonë”.
Ekipi i filmit festoi të martën edhe lajmin se kompania distribuese franceze “Le Pacte” mori të drejtat për distribuim të filmit.
“Na bëri përshtypje menjëherë energjia rinore dhe goditëse që rrjedh në film. Pjekuria e saj e frymëzuar dhe e hershme shënon qartë lindjen e një ylli të regjisë. Ne jemi të entuziazmuar dhe krenarë që mund ta shoqërojmë në hapat e saj të parë prapa kamerës”, ka thënë drejtori i “Le Pacte”, Jean Labadie, për “Screendaily”.
Regjisorja Luana Bajrami të martën është pritur nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku (Foto: MKRS)
Bajrami është e njohur kryesisht si aktore në Francë. Në vitin 2020 në “Cabourg Film Festival”, që mbahet në Cabourg të Francës, mori çmimin “Swann d'Or” për portretizimin e një vajze të re e të zjarrtë në “Portrait Of A Lady On Fire” (2019) nën regji të Céline Sciamma, ku luanin aktoret e njohura franceze Noémie Merlant dhe Adèle Haenel. Filmi bëri bujë pasi që ishte në garë për “Palme d’Or” pikërisht në Festivalin e Cannes. Filmi mori çmimin “Queer Palm” dhe Sciamma u bë regjisorja e parë që fitoi këtë çmim. Po ashtu në Cannes mori edhe çmim për skenarin më të mirë. E kudo që ky film bënte bujë, Bajrami përgëzohej për rolin e saj.
Ishte 7-vjeçare ku la Kosovën pasi që familja e saj u zhvendos në Francë. Kur mbushi 10 vjet mori rolin e saj të parë në televizion në “Le Choix d'Adèle” (2011) nën regji të Olivier Guignard dhe nisi studimet për teatër në “Limeil-Brévannes Conservatory”. Në vitin 2016 ajo mori rolin e Mariolit në “Marion, 13 years old forever”, nën regji të Bourlem Guerdjou. Ishte një dramë e bazuar në ngjarje të vërtetë, rrëfimi i një adoleshenteje e cila për shkak të ngacmimeve shkon deri në vetëvrasje. Bajrami më pas në vitin 2019 erdhi me rol në “The Hour of the output” të Sébastien Marnier dhe të “Portrait of the girl on fire”.
Është pikërisht “Luaneshat e Kodrës” që në një formë zyrtarizoi kalimin e saj nga aktore në regjisore. Ani pse gjatë shkrimit të skenarit për këtë film realizoi edhe filmin e shkurtër “In summer ripen berries”, që ishte një trajnim për të kapërcyer në film të metrazhit të gjatë.
Luana Bajrami, për “Maze”, median franceze që mbulon fushën e kulturës, në dhjetor të vitit të kaluar kishte dhënë më shumë detaje për këtë projekt.
“Fillimisht nuk kishte asgjë të caktuar por, përkundrazi, disa ide që qëndronin sipër meje pa qenë në gjendje që t’i kapja. Por me të vërtetë dëshiroja të bëja një film për rininë, për vajzat e reja që duan të emancipohen. Doja të tregoja një histori universale që mund të prekte këdo dhe veçanërisht të flisja për rininë me një pamje të re”, kishte thënë ajo. Pati potencuar se shumica e filmave për adoleshencën bëhen nga njerëz që e kanë kaluar atë moshë.
“Pra, ekziston një filtër i nostalgjisë, i melankolisë: gjëra që nuk kanë një vend të veçantë në një histori. Për mua, asaj i mungonte një përfaqësim i papërpunuar dhe spontan”, kishte thënë ajo.
E historia e Festivalit të Filmit në Canes dhe aktorëve e regjisorëve shqiptarë shtrinë rrënjët shumë vjet më parë. Në vitin 1967, në këtë festival, filmi “Mbledhësi i puplave”, ku luan Bekim Fehmiu, kishte triumfuar duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë dhe Çmimin FIPRESCI. Pastaj është aktorja Arta Dobroshi, e cila shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin madhështor “Heshtja e Lornës” në vitin 2008, rol për të cilin ishte nominuar në Festivalin e Cannes. Kësisoj Dobroshi u bë aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. E në vitin 2019 ishte filmi i shkurtër “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, i cili dha premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi që u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz, “Palmën e Artë”.