Kulturë

“Litari” lidh historinë e të rinjve para një shekulli me krizën e sotme

“Litari”

“Litari” e shkruar më 1929 është frymëzuar nga vrasja e 14-vjeçarit Bobby Franks më 1924 nga dy studentë të Universitetit të Chicagos. Drama është e realizuar në strukturë prej tri aktesh, e që lirisht mund të konsiderohet edhe si një triller.

Ka një shekull prejse është shkruar, është inskenuar në të katër anët e botës, është e panjohur në Kosovë, por problemi që trajton, është aktual e i pranishëm edhe në shoqërinë vendore. “Litari” me tekst të Patrick Hamiltonit, nën regji të Skender Podvoricës, ka vrasjen në qendër, por “përkthen” krizën midis të rinjve. “Trajton aspektin e tematikën e padrejtësisë që bëhet në emër të intelektualitetit, të dikujt më të madh se dikush tjetër”, ka thënë drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti

Drama angleze “Litari” e autorit Patrick Hamilton është aktuale edhe sot, një shekull pas. E frymëzuar nga ngjarja reale e vrasjes së një adoleshenti nga dy studentë të Universitetit të Chicagos, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës synon të ndërgjegjësojë të rinjtë e vendit për pasojat që vijnë. E pasojat dhe pesha e përgjegjësisë janë në këtë shfaqje. E treta për këtë vit, si produksion i TKK-së, do ta shpalosë rrëfimin më 12 nëntor. 

Nën regji të Skender Podvoricës, “Litari” nga shkrimtari e dramaturgu anglez, Hamilton, sjell edhe në Prishtinë shfaqjen që është luajtur në teatrot e katër anëve të botës. 

E ekipi i shfaqjes po merret me finesat e saj. Më 8 tetor kanë nisur provat në tavolinë. “Litari” si produksion ka qenë i planifikuar nga viti i kaluar, ndërsa puna për të si përkthimi, përshtatja, diskutimet dhe përzgjedhja e aktorëve, sipas drejtorit artistik të TKK-së, Kushtrim Mehmeti, kanë nisur gjatë verës që shkoi.  Ka treguar se qe tash e disa ditë po punohet me skenografi e me kostume të kompletuara, dhe se punët e tjera veçse janë finalizuar. Derisa ka folur për tematikën e shfaqjes, ka bërë të ditur se tashmë janë bërë dy prova gjenerale si parapërgatitje për shfaqjen finale. 

“‘Litari’ është një tekst shumë i vjetër, por në fakt për ne i ri, sepse është pak i njohur në Kosovë. Përndryshe në Angli është tekst që nuk ka kurrikulë të shkollës ku nuk ekziston si tekst, sepse është trileri i parë në dramë që njihet si shfaqje. E diskuton çështjen e legjitimitetit të vrasjes, se kush ka të drejtë të vrasë, t’ia marrë jetën dikujt tjetër. Trajton aspektin e tematikën e padrejtësisë që bëhet në emër të intelektualitetit, të dikujt më të madh se dikush tjetër”, ka thënë Mehmeti në një bisedë për KOHËN duke shpjeguar tematikën e shfaqjes. “Janë dy adoleshentë që e mbysin një shok të tyre, një djalë të ri. Ftojnë mysafirë për darkë dhe në atë pjesën ku e kanë mbytur atë e fshehin kufomën dhe tentojnë t’i ikin ligjit e përgjegjësisë. Prej mysafirëve, përfshihet edhe babanë e viktimës”, ka thënë ai më tej. 

Ka thënë se shfaqja ka pjesë që mbesin enigmë, siç është gjykimi dhe pjesa e ndëshkimit për dy personazhet: Wyndham Brandon rol që do të luhet nga Allmir Suhodolli dhe Charles Granillo që luhet nga Valmir Krasniqi. 

“E veçanta e shfaqjes është vazhdimisht që të ftuarit shkojnë afër zbulimit e pastaj tërhiqen deri në fund, deri kur profesori i dy adoleshentëve kupton që ata kanë kryer një vrasje. Kthehet prapa dhe zbulon vrasjen dhe ata duhet të përgjigjen para ligjit. Mbetet enigmë pjesa se si do të vendosë, por pjesa tjetër, se nuk ka krim që nuk zbulohet, veçse bëhet e qartë”, ka thënë Mehmeti. 

Sipas shpjegimit të shfaqjes, “Litari” i vitit 1929 është frymëzuar nga vrasja e 14-vjeçarit Bobby Franks më 1924 nga dy studentë të Universitetit të Chicagos. Drama është e realizuar në strukturë prej tri aktesh e që lirisht mund të konsiderohet edhe si një triller. 

Sa i përket përmbajtjes tematike, historia ka të bëjë me dy studentë me emrat Brandon dhe Granillo, të cilët kanë vrarë kolegun e tyre student, Ronald Kentley. Në fillim të shfaqjes, ata e fshehin trupin e Kentleyt në një arkë gjersa vazhdojnë të organizojnë një festë për miqtë dhe familjen e tij, në të cilën arka e mbyllur që përmban kufomën e tij përdoret për të shtruar ushqimin. 

Sipas shpjegimeve, nisin dyshimet midis të ftuarve për përmbajtjen e arkës. Pas festës, njëri prej të ftuarve, ish-profesori i vrasësve, arrin ta hapë arkën. 

Këtë rol e luan aktori Shkëlzen Veseli. 

“Ka të bëjë me adoleshentët, pakujdesinë dhe keqkuptimet e tyre në filozofinë e shkollës. Kalojnë në disa rrugë që duan të dalin për ta bërë veten të rëndësishëm dhe e kryejnë një vrasje. Nuk mjafton vrasja, por e çojnë në një shkallë tjetër duke thirrur, midis tjerësh, edhe prindin e viktimës, për të ngrënë darkë mbi atë arkë ku kanë vendosur viktimën. Midis tjerësh e ftojnë edhe personazhin tim, që është profesori i tyre. Gjatë darkës profesori fillon të nuhasë dhe ta zbulojë krimin”, ka shpjeguar aktori Veseli. 

Në një bisedë me KOHËN, pak para se të hyjë në një tjetër provë gjenerale të shfaqjes, ka thënë se epilogu i shfaqjen vjen në fund si mozaik i gabimeve të të dy protagonistëve kryesorë. 

Në shfaqje, ai shokohet me veprimet dhe përgjigjet ndaj deklaratave të paturpshme të të dy kryesve të aktit. Shfaqja përfundon me këtë dilemë të pazgjidhur.

“Si epilog i shfaqjes janë copëzat e dobësive, gabimet që kanë bërë gjatë rrugës të cilat bëhen bashkë dhe profesori mbërrin t’i bëjë ato bashkë e ta kuptojë këtë krim. Ai i akuzon për krimin e tyre, i mallkon, distancohet”, ka thënë aktori Veseli më tej.

Dramaturgjinë e shfaqjes e ka bërë Zoga Çeta-Çitaku. Në rolet e tjera luajnë Arta Selimi, Rrezon Zhinipotoku, Selman Lokaj, Semira Latifi dhe Lumnije Sopi. Skenograf është Mentor Berisha, kompozitorë janë Enrico Vitali dhe Serena Abrami ndërsa kostumografe Yllka Brada. 

Pjesa tjetër e ekipit përbëhet prej asistent-regjisores Erleta Rexhepi, Florian Canga për videot dhe efektet speciale, për përshtatjen e shfaqjes, Albin Kushnini, përkthimin nga Eneida Gjonbalaj, ndriçimin nga Mursel Bekteshi, tonistin Arben Aliu dhe ispicienten Nazmije Krasniqi. 

Shfaqja është njoftuar se mund të ndiqet nga ata që janë mbi 13 vjeç. Kjo, në mënyrë që të shihet edhe nga adoleshentët të cilët mund të gjejnë mesazhe ndërgjegjësimi në të. 

“Për këtë kam vendosur që kjo shfaqje të trajtohet si 13+ në kuptimin që të jetë e kuptueshme edhe për adoleshentët duke parë problemin e madh që kemi me ta, që shpeshherë mund të jenë pjesëmarrës në krime. Adoleshentët nuk i trajtojmë shumë dhe nuk u japim mundësi të shohin diçka për ta. Atyre u ofrojmë më shumë materiale si fëmijë sesa si adoleshentë. E kjo ka qenë një formë, njëfarë teksti që duam ta ofrojmë për adoleshentët duke prekur në pikën ku momentalisht besoj fuqishëm që kemi problemet më të mëdha me adoleshentë dhe t’i mbajmë të lidhur me teatrin”, është shprehur drejtori artistik i Teatrit, Kushtrim Mehmeti.

Ka thënë se kryesisht kjo pjesë e publikut lihet anash dhe nuk përfshihet, jo veç në teatër, por edhe në fusha të tjera të artit. 

“Përveç shfaqjes, të cilën e kemi detyrë dhe obligim ta bëjmë, target është edhe të sensibilizojmë me temën që është aktuale dhe në anën tjetër edhe të kujdesemi për një pjesë të publikut e cila nuk është e përfshirë në teatër, ose në art, në përgjithësi. Zakonisht i harrojmë komplet grupmoshën prej 8 deri në 18 vjeç. Është një dhjetëvjeçar që nuk e trajtojmë në asnjë art, sepse disi i harrojmë”, ka thënë ai më tej. 

Kjo është shfaqja e tretë për sivjet dhe e dyta për sezonin 2025/2026 të TKK-së. Shfaqjet e tjera në radhë që i ka paralajmëruar udhëheqësi artistik, Kushtrim Mehmeti, janë “Gërdia” me autor Astrit Kabashin dhe regjisor Erson Zymberin si dhe “Nyja e Gidionit” me autore Joanna Adams dhe regjisore Hana Qenën.