Vepra monumentale e baletit klasik, ka kohë që ka nisur të marrë formë dhe nxjerrja e saj në skenë, ka kuptim të shumëfishtë. “Liqeni i mjellmave” është një prej shfaqjeve më sfiduese, e në versionin që po përgatitet për premierën në Gjakovë, nën koreografi të Sead Vuniqit e Vlora Prizrenit, bashkon gjenerata balerinësh. Atyre profesionistë u bashkohen edhe ata që i kanë hyrë kësaj rruge, si një dëshmi se baleti në Kosovë ka të ardhme. Magjia e veprës qëndron në aftësinë e saj për të transportuar publikun në univers poetik. Sikurse synon ta bëjë edhe në Gjakovë
Vepra që konsiderohet gur themeltar i repertorit klasik dhe simbol i elegancës, është në përgatitje për t’u vënë në skenë për të parën herë në Kosovë. Nën koreografi nga Sead Vuniqi dhe Vlora Prizreni, “Liqeni i mjellmave” do të marrë jetë nëpërmjet interpretimit të balerinëve të rinj dhe solistëve të shquar nga Prishtina, Tirana e Shkupi. Vepra monumentale e Tchaikovskyt konsiderohet si kulmi i traditës së baletit klasik.
Shfaqja jepet premierë më 21 qershor në skenën e teatrit të qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë nga shkolla e baletit “Angels”, e drejtuar nga Vuniqi e Prizreni. Në rolet kryesore do të paraqiten Elsa Resuli si Odette, Jarmando Meci në rolin e Princit nga Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë dhe Sead Vuniqi në rolin e magjistarit Von Rothbart.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër balerinin e koreografin Sead Vuniqi, sjellja e kësaj vepre në Gjakovë ka qenë një synim i kahershëm.
“Planprogramin e kemi bërë bashkë, zakonisht bashkë me Vlorën vendosim se çfarë do të sjellim vitin tjetër. Tash e sa vjet synojmë ta sjellim këtë shfaqje në shkollën tonë. Provat kanë filluar prej janarit. Kemi filluar gradualisht, pasi fëmijët janë të angazhuar edhe në shkolla të tjera e kurse, është pak problem që brenda dy muajsh të kompletohet kjo shfaqje. Me atë që jemi duke bërë, jemi shumë afër të sjellim diçka të bukur”, ka thënë Vuniqi, njëherësh solist në Baletin Kombëtar të Kosovës.
Sipas tij, vepra konsiderohet ndër më të vështirat e repertorit klasik, sidomos për balerinat.
“Është prej shfaqjeve më sfiduese, sidomos për vajzat pasi kanë lojë skenike, gjëra teknike, interpretim e shumë punë të tjera, pasi jemi një numër më i vogël nga se e kërkon kjo shfaqje. Me balerinë të ftuar dhe në karaktere të tjera diku 60 veta. Duke e ditur që është shfaqje me përmasa botërore dhe një ndër shfaqjet më të mira të repertorit klasik, normalisht që është sfiduese për ta, sepse ka raste ku fëmijët duhet të luajnë tri a katër role brenda shfaqjes”, ka konsideruar Vuniqi.
Të enjten pasdite, në sallën e ansamblit “Shota”, vallëzimi i balerinave të reja ka ngjarë në vizionin e së ardhmes së skenës së baletit. Të veshura me funde të bardha si simbole mjellmash, është vërejtur se shumica prej tyre kanë pika solistike nga një, dy e tri së bashku.
Për t’iu përshtatur mundësive të trupës dhe publikut, koreografët kanë realizuar një version të shkurtuar të veprës.
“E kemi shkurtuar, sepse prej diku tri orëve e kemi sjellë te një orë e njëzet minuta. Ka shumë pjesë që lidhet ngjarja komplet, ne jemi munduar që të gjitha ngjarjet kryesore të vijnë duke mos e këputur dramaturgjinë që ka kjo shfaqje. Flet për dashurinë, për magjinë, tradhtinë, vdekjen e gjithçka. Jemi munduar të sjellim një fund më pozitiv, jo ashtu siç është tamam në shfaqje”, ka thënë Vuniqi.
“Liqeni i mjellmave” konsiderohet ndër veprat më sfiduese të repertorit klasik. Roli i dyfishtë i Odettes dhe Odiles kërkon nga balerina kryesore jo vetëm përsosmëri teknike, por edhe aftësi të jashtëzakonshme interpretimi. Ajo duhet të mishërojë njëkohësisht pastërtinë dhe brishtësinë e Odettes, si dhe joshjen dhe dinakërinë e Odiles. Po aq kërkues është edhe ansambli i mjellmave, ku sinkronizimi i lëvizjeve duhet të jetë perfekt.
Përballja me kërkesat teknike të veprës ka bërë që në rolet më komplekse të përfshihen edhe balerinë profesionistë.
“Kemi ftuar balerinë nga Teatri i Operës së Tiranës dhe nga Teatri i Operës së Shkupit, ku i kemi ndarë rolet kryesore pasi ato kanë sfidë të jashtëzakonshme. Janë gjithë kohën në skenë. Janë në role të ndryshme dhe njëkohësisht i kemi edhe rolet kryesore te vajzat. I kemi tri vajza që e luajnë mjellmën kryesore, por gjërat më të vështira teknike i luajnë balerinët e ftuar, sepse ata janë profesionistë”, ka thënë Sead Vuniqi, njëherësh edukator i balerinave, së bashku me balerinën Vlora Prizreni.
Të dy janë pjesë e shfaqjes. Balerina Vlora Prizreni ka thënë se kjo u jep motiv balerinave.
“Zakonisht e kemi këtë gjithmonë, sepse japim përkrahje dhe është motivuese për nxënësit kur i shohin mësuesit. Varet edhe prej rolit, sepse unë zakonisht jam si personazh më i rreptë, por kësaj here jam mbretëreshë dhe mendoj se është njëfarë energjie kur më shohin në skenë në shikime, mimika”, ka thënë ajo.
Prizreni e sheh realizimin e “Liqenit të mjellmave” si një hap të rëndësishëm në zhvillimin artistik të nxënësve.
“Jam shumë e kënaqur, është sfidë e madhe pasi ‘Liqeni i mjellmave’ është një ndër shfaqjet më të mëdha botërore. Përndryshe ne si shkollë i kemi bërë edhe ‘Alice in Wonderland’ dhe ‘Cinderella’. Jemi duke e bërë për të parë se sa sukses kanë arritur nxënësit tanë derisa katër-pesë nxënës kanë avancuar goxha shumë”, është shprehur ajo.

Mes protagonisteve të reja është edhe Eliza Vitija, e cila do të interpretojë rolin e mjellmës. Balerina e re, e cila tashmë i është bashkuar Baletit Kombëtar të Kosovës, do të interpretojë rolin e mjellmës. Është shprehur se kjo shfaqje sfiduese e përgatit atë më tej për karrierën si balerinë.
“Është një nga shfaqjet më kryesore të baletit klasik. Është shfaqje mjaft e vështirë që kërkon punë dhe shumë disiplinë e ushtrime. Kemi filluar ta punojmë para disa muajsh dhe tani jemi afër premierës. Duhet kohë dhe disiplinë. Baleti është profesion që kërkon punë çdo ditë. Gjithmonë duke e dashur”, është shprehur ajo.
Për të, realizimi i këtij roli përmbush një ëndërr të kahershme.
“Është mjaft i këndshëm roli i mjellmës. ‘Liqeni i mjellmave’ është shfaqja e preferuar dhe gjithmonë e kam pasur ëndërr ta vallëzoj këtë shfaqje. Kam jashtëzakonisht shumë emocione pasi që është hera e parë që po e performoj. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj shfaqjeje”, ka thënë Vitija.
Balerina turke Derin Demir, e cila jeton në Kosovë, ka shpjeguar anën dramaturgjike të veprës.
“Me këtë balet, ne sjellim një histori të një mjellme të bardhë dhe një mjellme të zezë dhe një princi që synon të martohet. Nëna e tij, mbretëresha, i kërkon të martohet dhe ai është i vendosur ta gjejë dikë vetë dhe gjen një mjellmë të bardhë me të cilën bie në dashuri. Megjithatë, një magjistar e mashtron princin duke besuar se një mjellmë e zezë, e cila është një version i keq i mjellmës së bardhë, është në të vërtetë mjellma e bardhë e vërtetë dhe kjo e mashtron princin duke besuar se ai zgjodhi mjellmën e duhur, megjithatë ai zgjodhi atë të zezë. Rrëfimi përfundon me mjellmën dhe princin, të cilët vrasin vetveten nga dëshpërimi i dashurisë”, ka thënë ajo.
Ka thënë se sikur kjo shfaqje, edhe baleti si profesion në përgjithësi ka nevojë për shumë përkushtim.
“Kërkon disiplinë, kërkon punë të palodhur. Duhet të jetë angazhim i vazhdueshëm, jo për ta bërë atë një herë e dy herë, por ka të bëjë me përsëritjen e vetes pa pushim derisa të jesh mjaftueshëm i sigurt ta dish se çfarë po bën. Kështu që mendoj se do të më bëjë gjithmonë një punëtore të palodhur edhe në të ardhmen, pavarësisht nëse e ndjek atë për jetën time afatgjatë”, ka thënë Demir më tej.
“Liqeni i mjellmave” e kompozuar në vitet 1875-1876, konsiderohet ndër kryeveprat absolute të historisë së muzikës për balet. Edhe pse premiera e parë në Moskë më 1877 nuk pati suksesin e pritur, versioni i rishikuar nga Marius Petipa dhe Lev Ivanov në vitin 1895 e shndërroi veprën në simbol të baletit klasik dhe një prej sfidave më të mëdha artistike për çdo ansambël prestigjioz në botë.
Ajo që e bën “Liqenin e mjellmave” kaq të veçantë është muzika e jashtëzakonshme e Tchaikovskyt. Për veprën shkruhet se “kompozitori solli në balet thellësinë dramatike dhe simfonike që deri atëherë qenë të pazakontë për këtë gjini. Temat muzikore janë plot ndjenjë, melankoli dhe madhështi, ndërsa motivi i mjellmës është bërë një nga fragmentet më të njohura në historinë e muzikës klasike”.
E magjia e veprës qëndron në aftësinë e saj për të transportuar publikun në univers poetik. Sikurse synon ta bëjë edhe në Gjakovë.