Sindikata e Librarive Franceze ka disa vjet që zhvillon një betejë kundër “Amazonit”, i cili duhej të ishte sponsor i edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Paris. Pas kërcënimeve për bojkot, “Amazoni” ka vendosur të tërhiqet. Librarët e akuzojnë gjigantin amerikan se modeli i tij i biznesit synon “të mbushë tregun me libra të rremë të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, të cilët promovohen me recensione të rreme”
Gati një muaj para hapjes zyrtare, njëra nga ngjarjet më të rëndësishme letrare evropiane – Panairi i Librit në Paris, që mbahet prej 17 deri më 19 prill – ka mbetur pa një prej sponsorëve kryesorë. Pas paralajmërimeve për bojkot nga Sindikata e Librarive Franceze, gjiganti amerikan i teknologjisë “Amazon” u tërhoq nga panairi. Organizatorët kanë shpjeguar se bashkëpunimi u ndërpre, sepse pjesëmarrësit ishin armiqësorë ndaj pranisë së “Amazonit”. Kanë theksuar se panairi megjithatë do të mbahet sipas planit dhe në të do të marrin pjesë 450 ekspozues, ndërsa priten rreth 120 mijë vizitorë.
Shkak i kësaj situate ishte reagimi i Sindikatës së Librarive Franceze, e cila përfaqëson qindra librari të pavarura në të gjithë vendin. Në deklaratën e saj Sindikata akuzoi organizatorët, një degë e Sindikatës Franceze të Botuesve, se këtë vendim të papërgjegjshëm e morën të udhëhequr nga interesa financiare afatshkurtra, ndërkaq “Amazonin” e kanë sulmuar ashpër duke pretenduar se modeli i tij i biznesit synon “të mbushë tregun me libra të rremë të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, të cilët promovohen me recensione të rreme të shkruara nga lexues të rremë, për t’u ngjitur më pas në krye të listave të rreme të popullaritetit”. Sipas librarëve francezë, një praktikë e tillë jo vetëm që shkatërron ekosistemin e librit, por krijon edhe konkurrencë të pandershme ndaj autorëve dhe botuesve që mbështeten në vlerën letrare dhe në kanale të verifikuara të promovimit.
Në anën tjetër, “Amazon” e ka dënuar veprimin e librarëve, duke thënë se ai bazohet në pretendime të pabazuara dhe mashtruese. Më pas ata i akuzuan librarët se e kanë përvetësuar ngjarjen për përfitimet e tyre. Një zëdhënës i “Amazonit” ka deklaruar se kompania vendosi të tërhiqej vetëm për të shmangur përfshirjen në një polemikë absurde dhe për të mundësuar që panairi të zhvillohet në paqe.
Kompania “Paris Livres Événements”, organizatore e festivalit, u gjend midis dy palëve. Ka konfirmuar se vendimi për ndërprerjen e partneritetit u mor me marrëveshje të ndërsjellë dhe se qëllimi kryesor ishte ulja e tensioneve dhe sigurimi që Panairi të zhvillohej në një atmosferë të qetë. “Askush nuk do të përfitonte nga rrezikimi i panairit”, thuhet në deklaratë. Sindikata e librarëve e quajti tërheqjen e “Amazonit” si një fitore, duke deklaruar se është e kënaqur që u dëgjuan shqetësimet e librarëve dhe se interesi i librit në fund mbizotëroi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMegjithatë, kjo është vetëm beteja e fundit në një luftë të gjatë mes “Amazonit” dhe sektorit të librarive në Francë. Franca njihet për ligjet e rrepta që mbrojnë libraritë e pavarura dhe çmimin e librit, si ai i vitit 1981, i cili pengon uljet e mëdha të çmimeve. Së fundmi, në tetor 2023, hyri në fuqi edhe një ligj që përcakton një çmim minimal për dërgesën e librave, me qëllim të zvogëlojë avantazhin e tregtarëve të mëdhenj online që ofronin dërgesë falas. Librarët akuzojnë “Amazonin” se po përpiqet ta anashkalojë edhe këtë ligj, për shembull duke ofruar marrje falas të porosive.