Kulturë

“Lavjerr’s” mat pulsin e çmimit të artit

Për artin kubist të maestros Ibrahim Kodra, në dy pjata argjile, në ngjarjen e hapjes së ekspozitës të enjten mbrëma është thënë se vepra të tilla janë të rralla

Për artin kubist të maestros Ibrahim Kodra, në dy pjata argjile, në ngjarjen e hapjes së ekspozitës të enjten mbrëma është thënë se vepra të tilla janë të rralla

Veprat e koleksionit të galerisë “Dada” kanë zënë vend në muret e kafe-galerisë “Lavjerr’s” si dokumentim i rrugëtimit krijues të artistëve. Por edhe si alarm për veprat e pionierëve të artit në Kosovë. Për artin kubist të maestros Ibrahim Kodra, në dy pjata argjile, në ngjarjen e hapjes së ekspozitës të enjten mbrëma është thënë se vepra të tilla janë të rralla

Në kohën kur arti bashkëkohor përjeton ndryshime të mëdha dhe forma të reja të shprehjes artistike, koleksionimi i veprave të artistëve të rinj duket me rëndësi të veçantë kulturore. Edhe historike për pasurimin e fondit të veprave të artit shqiptar. Kjo është dëshmuar në ekspozitën me vepra nga koleksioni i galerisë “Dada”. Aty artistët janë përballur me veprat që kishin harruar se ekzistonin e me artin e dikurshëm që sot ka evoluar dukshëm.

Veprat kanë zënë vend në muret e kafe-galerisë “Lavjerr’s” si dokumentim i rrugëtimit krijues të artistëve. Por edhe si alarm për veprat e pionierëve të artit në Kosovë. Për artin kubist të maestros Ibrahim Kodra, në dy pjata argjile, në ngjarjen e hapjes së ekspozitës të enjten mbrëma është thënë se vepra të tilla janë të rralla. E prapë është bërë me dije se të gjitha veprat e ekspozuara kanë qenë në shitje dhe secili që ka qenë i pranishëm ka mundur ta bëjë të veten cilëndo që e ka pëlqyer.

E mozaikët abstraktë të Kodrës janë dalluar për nga estetika e arti unik që e identifikon veprën e tij. Që në soditje të parë të veprave, autori veçse dihet.

Ngjyrat shpërthejnë në veprat e Arian Berishës. Artisti i ndjerë ngjan se me kolazhin e ngjyrave formëson kokat e ndritura të njeriut të çuditshëm me trupa të errët. Janë tri të tij të ekspozuara. Një tjetër ka njeriun në tokë me mendimet e imagjinatën e tij që nuk sfidohet nga graviteti. Trupa jashtëtokësorë ngjajnë të jenë objektet qendrore në veprën tjetër të tij.

Veprat e Erion Kllokoqit sjellin imazhet realistike të njeriut me nuancat e ngjyrës bezhë dhe dritëhijet që e theksojnë atë. Si lloj versionesh skulpturash të printuara në hapësirë të sheshtë.

Në veprën abstrakte të Yll Xhaferit, e blerta e ndezur triumfon ndaj të zezës me ndërhyrje minimale të rozës.

Artisti Xhaferi ka thënë se kjo vepër i përket kohës së tij të studimeve, për të cilën është shprehur se ka harruar se ekzistonte. Ka konsideruar se koleksionimi nga Genc Rodiqi është një lloj dokumentimi i punës së hershme të artistëve.

“Ka artistë të cilët Genci i ka zënë në periudha të ndryshme të ndërtimit të karrierës. Për shembull, unë këtë vepër e kam bërë para dhjetë vjetëve. Bile kisha harruar që ekziston si vepër dhe jam duke e parë që është si referencë e jona të shohim se çfarë kemi bërë para një periudhe të caktuar. Është interesante të shihet se si në një ngjarje të tillë, të gjitha veprat janë të renditura, por nuk ka ndonjë kohe specifike. Janë të periudhave të ndryshme. Disa prej nesh kemi evoluar në aspektin artistik, disa vazhdojnë t’i bëjnë veprat e njëjta”, ka thënë artisti Yll Xhaferi.

Veprat në ekspozitë, e shumë të tjera në koleksionin e “Dadas”, nuk janë ekspozuar asnjëherë 

Ka konsideruar rëndësinë e koleksionuesve të veprave të artit, qofshin ata privatë ose shtetërorë. Sipas tij, në Kosovë konsiderohet disi luks të jesh student i artit duke ditur rrethanat ekonomike dhe jo vetëm.

“E kam kuptuar pasionin e thellë të Gencit për artin dhe kam thënë se është shumë interesante të bashkëpunoj me të, gjë që e kemi bërë për vite. Jam shumë i lumtur që kemi pasur kontinuitet të bashkëpunimit. Ka shumë artistë tjerë të rinj e më të vjetër që kanë vepra të tyre, pra po flasim për një laramani shprehjesh të artistëve të cilët besoj që njëjtë si unë kanë pasur raport të mirë me Gencin”, ka thënë artisti Xhaferi derisa këtë të fundit e ka quajtur si balancues të tregut në art.

E artisti Genc Rodiqi ka thënë se veprat në ekspozitë, e shumë të tjera në koleksionin e tij, nuk janë ekspozuar asnjëherë.

“Ka njëzet vjet që merrem me koleksionimin e pikturave. Shumë prej tyre nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara. Sivjet mbasi është një lloj jubileu, që përcakton 20-vjetorin e aktivitetit tim në këtë fushë, kam vendosur ta bëj një seri të ekspozitave, në bashkëpunim me galeritë e tjera”, ka thënë ai.

Në dhjetor, një pjesë e këtyre veprave u nxorën në ekspozitën me titull “Synergy” në kafe-galerinë “Hani i dy Robertëve” në kryeqytet. Veprat e prezantuara i përkisnin periudhës midis viteve 1997-2025.

Rodiqi ka thënë se synon që ekspozita të tilla të vazhdojnë të organizohen me qëllimin që të gjitha veprat nga koleksioni i tij të shihen nga publiku.

“Në secilën prej këtyre ngjarjeve, pikturat do të jenë të ndryshme. Jo ato që janë ekspozuar më parë. Unë shumë besoj që arti është i popullit dhe për popullin. Duhet të ekspozohet dhe të shihet prej njerëzve, sepse nuk është interesante të mbahet mbyllur”, ka thënë ai.

Ka bërë të ditur se numri i veprave në koleksion ndryshon përherë, porse ky fond gjendet midis 200 deri 250 vepra.

Sipas Rodiqit, Kosova nuk është larg prej artistëve botërorë, porse problemi qëndron te promovimi, te struktura e industrisë së artit në vend, e deri te rëndësia që i jepet.

“Në vitin 2005, kur kam nisur të koleksionoj vepra, ëndrra ime ka qenë të identifikoj ndonjë ‘superstar’. Kjo ka qenë ideja. Prandaj në strategjinë time të koleksionimit e kam pasur që vetëm të mbledh prej artistëve të rinj dhe që kryesisht të jenë pëlhura. Aty-këtu kam arritur t’i identifikoj disa artistë të cilët i kam promovuar përmes galerisë sime, mirëpo 20 vjet pas njerëzit edhe vetë po depërtojnë, ashtu që disa prej këtyre që i shihni veçse kanë depërtuar”, ka thënë ai.

Të ekspozuara janë edhe veprat e Marigona Ademit, Amir Ibrahimit, Valdrin Thaqit, Besa Kicajt, Diona Ramadanit, Mimoza Sahitit, Diellza Carrabregut e Petrit Maliqit.

Aty është edhe skulptura e vetme. E punuar nga Eliza Shala, ajo shfaq një kokë njeriu në një gjendje të tensionuar. Shala ka thënë se kjo është vepra e saj e fundit, e përfunduar këtë muaj.

“Skulptura paraqet kontrastin midis modernes dhe arkaikes, pra kohëve më të hershme. Vepra quhet ‘Mendimi i fundit’ dhe paraqet një lloj emocioni më të fuqishëm, një lloj nostalgjie ose një nervozë për ndryshimet që kanë ardhur”, ka thënë Eliza Shala, autore e skulpturës së Faik Rexhepit për rezistencën e popullit në Kosovë në kohë okupimi, e cila zë vend në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Nora Sahatçiu, e cila e bashkëdrejton kafe-galerinë “Lavjerr’s”, ka thënë se secila vepër është unike.

“Pikturat nuk heshtin. Ato e tregojnë një tregim përmes vijave, hijeve, formave dhe stileve të ndryshme. Të gjitha pikturat në këtë ekspozitë janë bashkëkohore, por edhe si të tilla, janë diverse, shumë të ndryshme. Secili prej nesh i përjetojmë në mënyrën tonë të veçantë. Na ka ndodhur edhe më parë që secilën vepër që e shohim, secilën e shohim ndryshe, gjejmë gjëra të reja dhe ai emocion është një pikë e përbashkët e të gjithë neve. Nuk mund të qëndrojmë indiferent kur i shohim ato”, ka thënë ajo.

Ekspozita qëndron e hapur deri më 7 shkurt.