Miq, kolegë e adhurues të artit të martën i kanë dhënë lamtumirën e fundit Dhimitër Anagnostit, korifeut të regjisë që e monumentalizoi filmin shqip, i cilësuar edhe si “Fellini shqiptar”. Në nderim të figurës së ikonës së kinematografisë shqiptare ka shpallur 2 shtatorin ditë zie kombëtare. Ylli i artit shqiptar është shuar, e si simbol nderi kanë rënë në gjysmështizë flamujt në gjithë Shqipërinë, teksa institucionet shtetërore kanë zhvilluar homazhe
Vargu i atyre që i kanë bërë homazhe regjisorit të shquar shqiptar, Dhimitër Anagnosti ka qenë i gjatë. Të martën Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, ka qenë pikëtakimi me portretin dhe trashëgiminë e tij. Kolegë aktorë, regjisorë, figura të njohura të artit dhe të politikës janë mbledhur aty për t’i dhënë nderimet e tyre. Arkivoli i tij është përcjellë për në Vuno të Himarës. Varrimin në këtë vend, që është vendlindja e tij, e kishte lënë amanet për së gjalli. Do t’i përmbushet mëngjesin e së mërkurës.
Qeveria e Shqipërisë, në nderim të figurës së ikonës së kinematografisë shqiptare ka shpallur 2 shtatorin ditë zie kombëtare. Ylli i artit shqiptar është shuar, e si simbol nderi kanë rënë në gjysmështizë flamujt në gjithë Shqipërinë, teksa institucionet shtetërore kanë zhvilluar homazhe.
Kineasti Dhimitër Anagnosti vdiq të hënën. Ishte 89 vjeç. Kumtin e kanë dhënë familjarët, e të shpejta qenë reagimet e kujtimet për të. Në librin e ngushëllimeve në holl të Teatrit, figura të shquara kanë lënë mesazhe përkujtimore për “babanë” e kinematografisë shqiptare. Mes tyre, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nderuar lart regjisorin, duke thënë se më në fund ai do të prehet larg zhurmës urbane.
“Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty. Me mall Edi”, ka shkruar Rama.
Ngushëllime nga komuniteti artistik e figurat shtetërore kanë marrë bashkudhëtarja e tij Roza Anagnosti dhe fëmijët e tyre. Kolegët që u ka rënë të punojnë me regjisorin, si dhe ata që ndajnë pasionin për filmin, pasi kanë bërë homazhe, e kanë krahasuar Anagnostin me figurat më të shquara botërore.
“Ishte si Fellini shqiptar”, ka thënë piktori Gazmend Leka, duke përmendur disa nga filmat që kanë bërë bujë dhe duke shtuar se ka lënë pas vepra të mrekullueshme.
Artistët e tjerë kanë ndarë momente të ndiera e kujtime nga xhirimet. Aktorja Marjana Kondi, e cila ka qenë protagoniste në veprën e fundit të Anagnostit, e ka quajtur regjisorin “kolos të artit shqiptar”.
“Profesor Anagnosti, kolosi i artit shqiptar. Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të dijë një gjë që në këtë botë kur të shkosh duhet të shkosh me dinjitet”, ka thënë Kondi.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka cilësuar ndarjen nga jeta të regjisorit Anagnosti si shuarjen e një ylli nga plejada e artistëve të mëdhenj shqiptarë, derisa është shprehur se arti i tij do të vazhdojë t’i magjepsë shqiptarët.
Teksa ka bërë homazhe në nderim të figurës së Dhimitër Anagnostit, aktorja Marjeta Ljarja ka thënë se filmat që ka realizuar ai do të mbeten të paharruar.
“Filmat e tij do të jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. Ka bërë gjëra të bukura. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Nuk do të harrohet”, është shprehur ajo.
Kolegu i tij regjisor dhe aktor, Gëzim Kame e ka vlerësuar veprën e Anagnostit si të jashtëzakonshme. “Legjendare” i ka quajtur personazhet që ka ndërtuar profesori i regjisë.
“Ishte profesor i regjisurës në të gjitha drejtimet. Të shikosh veprimtarinë e Anagnostit vë re se është lakonik në çdo gjë. Ishte redaktues i jashtëzakonshëm i veprave, dhe mbante veprën. Puna e tij si regjisor me aktorin në film ishte e jashtëzakonshme. Kishte motiv të vetëm që syri i aktorit të flasë në çdo gjë në ekran dhe kësaj gjëje nuk iu nda deri në fund. Karakteret në filmat e Anagnostit janë legjendare për ekranin shqiptar”, ka thënë ai.
Publiku e kujton për filmat “Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Cuca e maleve”, “Malet me blerim mbuluar”, e “Gjoleka, djali i Abazit”, shumë prej të cilëve janë shfaqur në festivale ndërkombëtare.
I lindur më 23 janar 1936 në Vuno, në biografinë zyrtare të tij shkruhet se ai është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminwayt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
“Filloi punë si operator në Kinostudion ‘Shqipëria e re’ në 1961, me filmin ‘Debatik’ (1961) e më pas me filmin ‘Toka jonë’ (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra, ‘Gurët dekorativë’. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, ‘Komisari i dritës’ dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor, filmin ‘Dueli i heshtur’. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë”, shkruhet në biografinë e tij.
Ndarjen nga jeta e Anagnostit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, e ka konsideruar si lënie pas vetes të një thesari dhe trashëgimie të vyer. Ka theksuar se shpreh përulje dhe mirënjohje për punën e shkëlqyer që mjeshtri ka lënë pas.
“Sot është shpallur edhe ditë zie. Ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë dhe artit por është ndarje që lë pas thesar e trashëgimi për të gjithë brezat. Vepra e tij do të mbahet mend gjithmonë. Jemi këtu pranë yllit të tij, Roza Anagnosti, familjes së tij për t’i shprehur këtë përulje dhe mirënjohje të thellë e të lartë”, ka thënë Gonxhja.
I cilësuar si një prej regjisorëve më të mëdhenj të artit shqiptar, Anagnosti numëron në “portofolin” e tij artistik 15 skenarë, 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, të realizuar gjatë karrierës 40-vjeçare. Për kontributin që ka dhënë, ai është vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në 85-vjetorin e lindjes, presidenti i asaj kohe, Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, e kishte dekoruar regjisorin dhe kineastin e shquar me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Ai do të kujtohet nga shqiptarët si babai i “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Përrallë nga e kaluara”, si ndërtues i karaktereve si Sulo apo kujdestari, Gjinos dhe Marigosë. Babai i kinematografisë shqiptare prej mëngjesit të së mërkurës do të prehet në fshatin e tij të lindjes, në Vuno të Himarës. Duartrokitje e trëndafila të bardhë janë hedhur mbi arkivolin e tij teksa po i jepej lamtumira e fundit.