Kulturë

“La Tempesta sul Lago” në Prishtinë hyjnizon stuhinë në thirrje paqeje

“La Tempesta sul Lago” mbi të gjitha ka në thelb paqen dhe në ditët kur bota ka nevojë për shumë mesazhe të tilla, pas Prishtinës, Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës, këtë porosi do ta dërgojnë edhe në Vatikan (Foto: Arben Llapashtica)

“La Tempesta sul Lago” mbi të gjitha ka në thelb paqen dhe në ditët kur bota ka nevojë për shumë mesazhe të tilla, pas Prishtinës, Filharmonia e Kosovës dhe Opera e Kosovës, këtë porosi do ta dërgojnë edhe në Vatikan (Foto: Arben Llapashtica)

Vepra e frymëzuar nga episodi biblik i qetësimit të stuhisë nga Jezusi, hyn në botën e pasigurt duke sjellë dramacitetin e stuhinë mbi liqen, siç mban edhe titullin. Publiku të mërkurën mbrëma ka qenë përballë një rrëfimi muzikor të hollë e kuptimplotë me “La Tempesta sul Lago” të Domenico Bartoluccit. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës bashkë me Korin e këtij institucioni dhe atë të Operës së Kosovës, nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli kanë sjellë magjinë e kësaj vepre e jehona e saj është paralajmërimi i koncertit në Vatikan

Zënia e pozicioneve në skenë nga 133 veta, vetvetiu është paralajmërim i një stuhie. Në këtë rast i një stuhie muzikore. Por tema e krejt koncertit, futet në një tjetër. Atë mbi liqen. Ngjyrim i errët, e ritëm i tendosur mund të përshkruhet fillimi i lojës së orkestrës kur dirigjenti italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli bashkë me instrumentistët nisin të hyjnë në botën e veprës “La Tempesta sul Lago” të Domenico Bartoluccit. Nën interpretimin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës bashkë me Korin e këtij institucioni dhe atë të Operës së Kosovës, publiku të mërkurën mbrëma ka qenë përballë një rrëfimi muzikor të hollë e kuptimplotë.

Me teatralitetin e vet e profesionalizmin prej mjeshtri, dirigjenti Sipari di Pescasseroli bashkë me formacionet përballë kanë sjellë atmosferën e pasigurt e tensionin në ardhje. Vepra e frymëzuar nga episodi biblik i qetësimit të stuhisë nga Jezusi, hyn në botën e pasigurt duke sjellë dramacitetin e stuhinë mbi liqen, siç mban edhe titullin. Shpërthimi i Korit me thirrje kolektive sjell atmosferë kaosi e cila fuqizohet me të madhe nga loja e orkestrës. Kurse hyrja në lojë e solistëve Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, tenorit portugez Carlos Cardoso dhe basit italian Biagio Pizzuti plotësojnë tensionin harmonik. Kaosi është i pafundmë derisa vjen zëri i Krishtit që në këtë rast interpretohet nga basi Biagio Pizzuti. Dallgët nisin të qetësohen e stuhia ul kryet ngadalë për t’iu kthyer normalitetit. Dhe krejt kjo shndërrohet në një festë për shpëtimin, jetën, lidhjen me hyjin e mbi të gjitha shpirtëroren si prehje e qetësim.

Me teatralitetin e vet e profesionalizmin prej mjeshtri, dirigjenti Sipari di Pescasseroli bashkë me formacionet përballë kanë sjellë atmosferën e pasigurt e tensionin në ardhje (Foto: Arben Llapashtica)

Me gjithë zhurmën – sidomos në fillim të koncertit – të bërë edhe nga një pjesë e audiencës sipër korridoreve të brendshme të Sallës së Kuqe e aty-këtu ndonjë ritëm muzikor nga skajet e pallatit me shumë funksione, koncerti ka sjellë një prej mbrëmjeve muzikore më të mira të Filharmonisë së Kosovës këtë vit. Solistët me alamet nami, dirigjenti me plot vullnet bashkë me shkathtësinë që të bëjë për vete dhe të nxjerrë më të mirën nga Orkestra dhe Kori e kanë bërë të veten. Koncerti i njëjtë në bashkëpunim me fondacionin “Domenico Bartolucci” do të interpretohet nga Filharmonia e Kosovës në Romë të dielën. Përtej publikut të pranishëm në bazilikën që daton prej mesjetës së hershme, Santa Maria in Aracoeli, interpretimi do të transmetohet edhe për audiencën e gjerë në kanalin televiziv “RAI”. Bëhet fjalë për atë që Vatikani e njeh si Jubileu. Në traditën e asaj që është Selia e Shenjtë, festa e Jubileut është një vit i veçantë në Kishën Katolike. Madje ndryshe quhet edhe si Viti i Shenjtë dhe organizohet çdo 25 vjet. Ka ngjarje të ndryshme gjatë gjithë vitit dhe i kushtohet faljes së mëkateve e ripërtëritjes shpirtërore. Mesazhet e paqes janë aty gjithnjë. Siç janë edhe te vepra e kompozitorit, dirigjentit e kardinalit italian Domenico Bartolucci (1917 – 2013). I njohur si një ndër figurat kryesore të muzikës sakrale të kohës moderne dhe drejtues i Kapelës Muzikore të Sistinës, Bartolucci konsiderohet edhe si një vazhdues i traditës së Giovanni Pierluigi da Palestrina (1525 –1594), mjeshtrit të hershëm të polifonisë së shenjtë. E vepra “La Tempesta sul Lago” hyn te ato më me nam të Bartoluccit.

Kështu e ka përshkruar edhe dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli. Mjeshtri që pos anës profesionale muzikore ka edhe dy doktorata në drejtësi ka thënë se është shumë i lidhur me Kosovën e Shqipërinë. Ka përmendur se për tre vjet, prej 2022 deri më 2024 ishte drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri dhe janë bërë disa programe të përbashkëta midis institucioneve të dy shteteve. Po ashtu dirigjoi edhe koncertin e Ermonela Jahos së fundmi në Gjakovë.

Shpërthimi i Korit me thirrje kolektive sjell atmosferë kaosi e cila fuqizohet me të madhe nga loja e orkestrës. Kurse hyrja në lojë e solistëve Besa Llugiqi, Ivana Hoxha, tenorit portugez Carlos Cardoso dhe basit italian Biagio Pizzuti plotësojnë tensionin harmonik (Foto: Arben Llapashtica)

“Kjo vepër vjen në këtë moment të veçantë në Jubileun që është i rëndësishëm për çdokënd. Për ne ka rëndësi të veçantë pasi e interpretojmë këtë vepër. Është një vepër e fortë me përplot emocione ku mund të dëgjohet zëri i zotit. Posaçërisht në këtë përudhë secili prej nesh ka nevojë të ndiejë këto emocione, ta ndiejë veten në krahë të zotit. Pra është vepër e veçantë për moment të veçantë. Sa herë jam këtu e ndiej një energji të madhe te muzikantët dhe gjithnjë është një eksperiencë që s’duhet humbur”, ka thënë ai.

Interpretimin si ndjesi të jashtëzakonshme e ka përshkruar sopranoja Besa Llugiqi. Ka thënë se e rrethuar me kolegët nga Filharmonia është gjithmonë ndjesi e bukur dhe po ashtu kur interpretohet një vepër monumentale, jashtëzakonisht e bukur dhe që secilën herë gjatë interpretimit bëhet edhe më e bukur.

“Është një kastë e jashtëzakonshme. Maestro Sipari është i veçantë në mënyrën se si e trajton muzikën e si nxjerr në pah kualitetin e secilit prej nesh dhe kjo është një dhunti që jo të gjithë dirigjentët e kanë. Mezi pres që të interpretojmë në Vatikan pasi është një mundësi e mirë për Kosovën që të prezantohet dhe të ketë përfaqësim shumë të mirë”, ka thënë ajo.

Interpretimin si ndjesi të jashtëzakonshme e ka përshkruar sopranoja Besa Llugiqi (Foto: Arben Llapashtica)

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se paraqitja e Filharmonisë ishte ndër më të bukurat e këtij viti. Sipas tij, ky institucion e dërgon Kosovën në skenat më të njohura dhe e përfaqëson atë në mënyrën më të mirë.

“Sonte shijuam shumë një performancë të jashtëzakonshme, të veçantë. Dhe besoj se kjo orkestër, dy koret, solistët dhe një dirigjent shumë i talentuar janë mënyra më e mirë edhe e mirëmbajtjes së urave të bashkëpunimit ndërkombëtar që kanë ndërtuar institucionet tona të kulturës por edhe një vazhdimësi e paraqitjes ndërkombëtare që na e fuqizon shtetësinë dhe tregon që Republika jonë është aty për të qëndruar përjetësisht”, ka thënë ai. Sipas Çekut, në raste të tilla shpaloset talenti i një shoqërie e një popull jo i madh numerikisht por me talente të mëdhenj dhe të gatshëm gjithmonë që të performojnë në skenat më të njohura botërore të muzikës.

Vepra e Bartoluccit edhe pse thellësisht e bazuar te solemniteti liturgjik ndërton tensionin e jashtëzakonshëm muzikor dhe sjell edhe frymë bashkëkohore me tis modern. Ilustron jo veç stuhinë natyrore por edhe atë shpirtërore. Mbi të gjitha ka në thelb paqen, dhe në ditët kur bota ka nevojë për shumë mesazhe të tilla, në Vatikan këtë porosi do ta dërgojë institucioni i një vendi që numëron krejt pak më shumë se një çerekshekulli që ka dalë nga lufta dhe pamjet e civilëve të vrarë i ka krejtësisht të freskëta.