Skena e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, sot (e mërkurë) do t’i bëjë nikoqirllëk yllit botëror të operave Ermona Jaho. “Kur ndjenjat marrin zë” titullohet koncerti operistik që Jaho do ta mbajë në institucionin më të lartë muzikor në Shqipëri. Midis pauzave të provave, Jaho ka mbajtur një konferencë për medie të martën.
Sopranoja, që ka interpretuar role të ndryshme operistike në të katër anët e botës, ka thënë se ky është një koncert i veçantë dhe se është e lumtur që rikthehet për të dhënë eksperiencën e saj para publikut shqiptar.
“Sa herë kthehem është sikur kthehesh në shtëpi dhe sjell diçka nga jeta jote”, ka thënë ajo. E pyetur se çfarë do të sjellë më ndryshe në skenë, ajo ka thënë se çdo ditë dallon nga paraprakja pasi njeriu maturohet në vazhdimësi.
“Kemi zgjedhur një program ndryshe duke filluar me ‘bel canton’. Është një program tepër sfidues, pjesë që nuk janë luajtur ndonjëherë në TKOB. Është një koncert tepër i veçantë”, ka thënë ajo, ka dhënë sqarime edhe për titullin e koncertit.
“Muzika është gjuhë e shpirtit dhe në çdo notë ka një buzëqeshje, lot, hidhërim, vuajtje, është shkalla e ndjenjave humane, universal. Artisti ka këtë detyrë të ndajë këto ndjenja me publikun. Unë do të jap gjithë çfarë kam, pas shumë vjetësh karrierë unë ngjitem në skenë sikur është hera e parë dhe e fundit. Të jesh artist është sfidë dhe privilegj njëkohësisht”, ka thënë Jaho. Njihet si artiste që synon edhe frymëzimin e talenteve të reja. Këtë e bën duke ndarë eksperiencën e saj e po ashtu duke treguar se besnikëria ndaj punës çon përpara.
“Është detyrim për publikun shqiptar, për brezat e rinj, për t’iu dhënë një shpresë, çdo gjë është e arritshme, do shumë punë, sakrificë të jashtëzakonshme. Sot kanë mundësi më shumë, por mungon pak pasioni. E kemi detyrim moral ndaj publikut shqiptar”, ka thënë Jaho. Ky koncert ku janë angazhuar Kori dhe Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit do të dirigjohet nga Fabrizio Maria Carminati.
Në qershorin e këtij viti ajo, nën organizimin e Operës së Kosovës, ka interpretuar edhe në Prishtinë. Në sheshin qendror të qytetit në skenë të hapur, e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, ka interpretuar disa prej arieve të njohura të operave të mjeshtërve si Puccini, Verdi dhe Cilea. Nën dirigjimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli, Jaho me lojën e saj ka sjell në skenë ndjesinë e personazheve që i interpreton gjithandej globit.
Artistja në fund ka thënë se ndaj brezit të ri shoqëria ka obligim t’iu japë dashuri dhe shumë mundësi për të qëndruar në vendin e tyre.
“Ishin 2-3 fëmijë të vegjël që po kërcenin e po vallëzonin së bashku derisa bënim prova dhe mendoj për atë brez të ri, kemi një detyrim kaq të madh që t'u japim kaq shumë dashuri dhe mundësi që të qëndrojnë në vendet e tyre”, kishte deklaruar ajo nga skena. Në konferencë për medie Jaho kishte thënë se koncerti synon edhe nxitjen e institucioneve për qasje serioze me projektin e Teatrit të Operës.
“Unë vij si artiste, por edhe me një detyrim shpirtëror, moral dhe me detyrim patriotik për të shtyrë të gjithë së bashku, të ngremë zërin që ta bëjmë të mundur që kjo shtëpi operistike të ndërtohet, sepse është e domosdoshme”, kishte thënë ajo.