Në prag të zgjedhjeve parlamentare të së dielës, zotimet e premtimet në art e kulturë janë krejt periferike njësoj sikurse në programet e partive politike. Në letër tash e sa vjet “ndërtohen” alamet teatrosh, muzesh, e qendrash kulturore, “investimet” shkojnë në miliona euro. KOHA ka komunikuar me disa akterë në mjedisit kulturor në vend dhe asnjëri prej të kontaktuarve nuk i ka lexuar programet e partive për art e kulturë. “Nuk ia vlen” dhe “s’kam pasur kohë” janë dy prej arsyetimeve të shpeshta
Fushatat zgjedhore i kthejnë në podiume fjalimesh e në programe të partive politike zotimet në kulturë e art. Kësaj radhe – siç ndodh rëndom – në programet e partive politike ka zotime në art e kulturë që përsëriten tash e 20 vjet. Në disa raste janë “copy-paste”, ku i vetmi dallim është renditja. Në disa të tjera, ka zotime veç me fjalë abstrakte pa kurrfarë detajesh. Por në përgjithësi, ku më shumë e ku më pak, arti e kultura janë periferike në programet e partive politike që synojnë të fitojnë zgjedhjet e më pas të qeverisin për katër vjet me vendin.
Midis partive parlamentare, njëra prej të cilave do të fitojë mundësinë për të udhëhequr me qeverinë, janë vetëm tri që kanë kapitull të kulturës në programin e tyre.
Ndërtime muzesh, teatrosh e industri kreative bashkë me zotime për rritje të mbështetjes për artistët janë disa prej pikave që janë shkruar.
Lëvizja Vetëvendosje, që qeveris tash e gati pesë vjet në programin e saj ka edhe premtime të para gjysmë dekade. Kryeson industria kreative. VV-ja këtë sektor e konsideron si motor për zhvillim ekonomik dhe shoqëror.
“Për sektorin kreativ janë parashikuar 200 milionë euro investime, që do të shndërrojnë Kosovën në qendër rajonale të festivaleve, me produkte kreative të standardit ndërkombëtar për tregun lokal dhe ndërkombëtar. Ky investim strategjik e bën vendin prodhues konkurrues në marketing, arkitekturë, libër, art skenik dhe vizual, dizajn industrial dhe modë, film, artizanat, videolojëra dhe shërbime TIK”, shkruhet në program ku arti e kultura janë periferike. Dinjiteti e mbrojtja sociale për krijuesit figurojnë në program ashtu sikurse një sistem programor dhe institucional i qëndrueshëm për ndërtimin e kapaciteteve në ndërmarrësi kreative dhe teknologji të avancuara.
“Do të themelohet rrjeti i kinemave publike në rajonet kryesore të Kosovës, duke koordinuar dhe mbështetur gjithashtu çeljen e kinemave nga ndërmarrësia private”, është zotimi i radhës që është bartur nga programi i vitit 2021. Në program shkruhet se do të vazhdojë mbështetja e artistëve të pavarur dhe e ansambleve rezidente, duke siguruar siguri financiare, autonomi krijuese dhe hapësira dinjitoze për punë. VV-ja synon që në mandatin e dytë të qeverisjes të vazhdojë modernizimi i objekteve kulturore, duke i transformuar në hapësira bashkëkohore për artin dhe publikun. Te trashëgimia kulturore VV-ja llogarit të kalojë në tjetër stad.
“Mandati i parë fokusohej në shpëtimin e monumenteve. Në mandatin e ri, për trashëgiminë kulturore do të kalojmë nga mbrojtja fizike në funksionalizim. Monumentet do të vihen në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë, duke ruajtur historinë, fuqizuar identitetin dhe kontribuuar në mirëqenien e shoqërisë”, shkruhet në programin ku ka zotime pa detaje. Në arkeologji planet janë të ketë prioritet në gërmim, studim dhe menaxhim, ndërsa zonat arkeologjike do të vazhdojnë të jenë prona shtetërore.
“Qendrat historike do të rijetësohen në shërbim të turizmit, në bashkëpunim me banorët dhe bizneset lokale”, shkruhet në program. Sipas kësaj partie, programi për muzetë, i nisur në mandatin e parë, do të zgjerohet në shumë komuna, duke funksionalizuar muze ekzistues dhe duke themeluar muze të rinj.
“Do të nisë puna konservuese në Kullat e Rezistencës brenda Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz. Trashëgimia shpirtërore do të dokumentohet dhe promovohet, duke u integruar në planet hapësinore dhe zhvillimore të vendit. Gjatë mandatit të ri do të nisë edhe Themelimi i Muzeut të Gjenocidit, ndërsa do të përfundojë Memoriali i Fëmijëve të vrarë gjatë luftës”, shkruhet në program. Procesi për Muzeun e Gjenocidit ka nisur më 2024, por s’është bërë asnjë hap para. Për kompleksin “Adem Jashari” është kontraktuar një kompani gjermane për ta bërë masterplanin për afro 8 milionë euro.
Partia Demokratike e Kosovës, s’ka ndonjë premtim konkret sa i përket infrastrukturës kulturore. Sipas programit të kësaj partie kultura, rinia dhe sporti, janë shtylla të rëndësishme të zhvillimit shoqëror, identitetit kombëtar dhe kohezionit social.
“Një shtet që investon në këto fusha ndërton qytetarë aktivë, krijues dhe të lidhur me vendin e tyre. Këto politika nuk janë luksi i një shoqërie të pasur, por kusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet afatgjatë. Qeveria e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës do t’i trajtojë kulturën, rininë dhe sportin si politika publike me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, social dhe diplomatik, duke krijuar kushte për shprehje krijuese, përfshirje rinore dhe jetë aktive”, shkruhet në program. Sipas kësaj partie, nëse ata udhëheqin me qeverinë, mbështetja për krijimtarinë dhe trashëgiminë kulturore nuk do të mungojë.
“Qeveria e PDK-së do të forcojë politikat për mbështetjen e kulturës dhe artit, duke e trajtuar kulturën si pjesë të identitetit kombëtar dhe prezantimit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo përfshin: mbështetje për artistët dhe institucionet kulturore; financim transparent dhe konkurrues për projekte kulturore; ruajtje dhe promovim të trashëgimisë kulturore; zhvillim të diplomacisë kulturore si mjet afirmimi ndërkombëtar. Kultura do të mbështetet si sektor krijues dhe si pjesë e ekonomisë kulturore”, shkruhet në program.
Hapësirën më të madhe në programin zgjedhor për kulturë e ka Lidhja Demokratike e Kosovës. Projektet konkrete bashkë me shumë të investimit si zotime, gjenden në programin e LDK-së. Por kjo parti në program ka edhe zotime që i përsërit tash e gati 20 vjet.
Ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova” është i pari me përllogaritje për investim prej 25 milionë eurosh. Një projekt i prezantuar në shkurt të këtij viti nga arkitekti Bjarke Ingels, e që është duke u detajizuar mban kosto të implementimit rreth 50 milionë euro.
“LDK-ja do të ndërtojë objekt të ri modern për Teatrin Kombëtar, duke krijuar kushte dinjitoze për skenën teatrore të vendit. Objekti aktual do të shndërrohet në Teatrin e Qytetit të Prishtinës me investim prej 10 milionë eurosh. Ky transformim fuqizon prodhimin artistik dhe rrit qasjen e publikut në teatër”, shkruhet në program. Ndërtimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor zë vend në program dhe kostoja parashihet të jetë 10 milionë euro. Themelimi i Qendrës së Librit po ashtu është zotim i kahershëm i kësaj partie.
“Muzeu i Paqes dhe Rezistencës do të ndërtohet me investim prej 10 milionë eurosh si qendër identitare dhe historike e Kosovës. Ai do të dokumentojë rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Ky muze do të jetë referencë kombëtare dhe ndërkombëtare për historinë tonë moderne”, shkruhet në program. Aty zë vend edhe synimi për rritjen e autonomisë buxhetore dhe pavarësimin e institucioneve qendrore të kulturës.
“Programi parasheh kujdes të veçantë për trashëgiminë dardane materiale dhe shpirtërore, si dhe funksionalizimin e plotë të parqeve arkeologjike Ulpiana dhe Dresnik. Investimet synojnë ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e vlerave tona historike. Trashëgimia trajtohet si pasuri kombëtare që i përket gjeneratave të ardhshme”, shkruhet në program. LDK-ja premton se do të identifikojë objekte të braktisura me vlerë trashëgimie dhe do t’i rikthejë ato në hapësira kulturore përmes projekteve kreative me komunitetin artistik.
“Qendrat multifunksionale do të shërbejnë për ekspozita, performanca dhe aktivitete rinore. Kjo politikë rigjallëron hapësirat urbane dhe nxit pjesëmarrjen kulturore”, shkruhet në program.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka kapitull për art e kulturë në programin e saj.
KOHA ka komunikuar me disa akterë në mjedisit kulturor në vend dhe asnjëri prej të kontaktuarve nuk ka lexuar programet e partive për art e kulturë. “Nuk ia vlen” dhe “s’kam pasur kohë” janë dy prej arsyetimeve të shpeshta.
Dramaturgu e udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj ka thënë se nuk i ka lexuar programet pasi nuk pret kurrfarë befasish.
“Si zakonisht, janë disa fjali të thata për kulturën dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të saj, disa premtime në hava për projekte që nuk realizohen, si dhe disa banalitete për këtë apo atë projekt ‘kapital’ në fushën e kulturës… Pra, asgjë substanciale”, ka thënë ai.
Muzikantja dhe profesoresha universitare, Besa Luzha, ka thënë se në përgjithësi, partitë politike më pak i kushtojnë vëmendje kulturës dhe kryesisht fokusohen në trashëgiminë kulturore, përkrahjen e skenës kulturore dhe infrastrukturën kulturore “Lëvizja VV, posaçërisht z. Hajrulla Çeku po prezanton punët që ka bërë dhe vazhdimësinë e tyre, kurse subjektet e tjera po ashtu premtimet i kanë në këto korniza”, ka thënë ajo. Por sipas saj, ka çështje që nuk janë përfunduar”, ka thënë Luzha duke i renditur ato. “Si do të funksionalizohet trupa e operës, Ligji i ri i Kulturës, Këshilli Kombëtar Artistik, kur do të përfundohen objektet në renovim dhe ato që do të ndërtohen të reja”, ka thënë ajo. Luzha ka përmendur edhe ato që nuk përmenden fare.
“Statusi i artistëve të pavarur, çështjet lidhur me vetëpunësimin, sigurimet shëndetësore e shoqërore, kuadrot deficitare, hulumtimi artistik e tema të ngjashme, fare nuk përfshihen”, ka thënë ajo.