Kulturë

Kryeziu: Puna e regjisorit ngjan si një pikë në det

Puna e regjisorit ngjan si një pikë në det, pasi ajo është vetëm pjesë e punës së përbashkët të një ekipi më të madh. Me këtë vlerësim, regjisori Ekrem Kryeziu ka evokuar punën e tij pesëdekadëshe në kinematografi.

Fiks 24 ditë pasi është shpallur laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, ai bashkë me regjisorin Samir Karahoda gjatë një ceremonie të organizuar të enjten në Ministrinë e Kulturës kanë pranuar çmimet vjetore në kinematografi, transmeton KOHA.

Të dy çmimet – që janë shoqëruar edhe me shpërblimet 5 mijë euro dhe 2500 euro – MKRS-ja i ka cilësuar si “mirënjohje institucionale për punën që bëjnë njerëzit që merren me kinematografi”.

Në të vërtetë, shpallja e fituesve të sivjetmë, si dhe ndarja e çmimeve – për shkak të pandemisë – janë bërë me katër muaj me vonesë. Sipas Rregullores së Ministrisë, një gjë e tillë bëhet më 1 qershor, në ditëlindjen e aktorit të njohur Bekim Fehmiu.

Në ceremoninë e organizuar, ministrja Vlora Dumoshi fillimisht ka falënderuar jurinë për punën e saj në vlerësimin e dy laureatëve.

“Çmimi jetësor dhe ai vjetor janë një gërshetim i shkëlqyeshëm për zotin Ekrem Kryeziu, që për mua është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në film gjatë kohëve të vështira”, ka thënë Dumoshi.

Edhe për çmimin e ndarë për regjisorin Samir Karahoda, atë për kinematografi, ajo ka thënë se juria ka vlerësuar edhe punën e gjeneratës së re në kinematografi.

“Këto çmime që po ndahen sot japin mesazhin se Kosova ka pasur njerëz shumë të mirë që përmes filmit kanë dhënë kontribut të madh”, ka shtuar Dumoshi.

Duke pranuar çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, regjisori dhe dramaturgu Ekrem Kryeziu ka thënë se puna e regjisorit është shumë e vështirë për shkak se është pjesë e një ekipi të madh. Suksesi si regjisor, sipas tij, është i lidhur edhe me ekipin e kameramanëve dhe ndihmësve.