Gratë nga Krusha e Madhe – rrëfimi i të cilave kur u ekranizua bëri që për herë të parë në kinematografinë kosovare një film të shpërblehet në “Sundance Film Festival” – kanë nisur një kapitull të ri. Tani do të punojnë në fabrikën e porsandërtuar e që brenda saj shpalos edhe sfidat e grave dhe ngjall përftim me skena nga filmin “Zgjoi”
Historia e Fahrije Hotit dhe e grave nga Krusha e Madhe është cilësuar si një shembull frymëzues. Puna e tyre dhe përpjekjet për pavarësi kundrejt paragjykimeve nga shoqëria u shndërruan në film. “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, bëri histori duke rrëmbyer tri çmime – Çmimin e Madh të Jurisë, atë të Audiencës dhe Çmimin për regjinë – në “Sundance Film Festival” në muajin shkurt.
Por suksesi i grave krushiane, që gati dy dekada më parë nisën punën për konservimin e ajvarit dhe turshive, nuk ka të ndalur. Ato nga e hëna kanë nisur një kapitull të ri. Punën tashmë do ta bëjnë në fabrikën e porsahapur, disa minuta larg të vjetrës, që u bë simbol i rezistencës kundër një shoqërie patriarkale që donte t’i mbante nën fre.
Themeluesja e fabrikës, Fahrije Hoti, në fjalimin e saj me rastin e përurimit, fillimisht ka falënderuar gratë, pa të cilat, sipas saj, nuk do të ishte i mundur ky rrugëtim.
“Sot nuk është një ëndërr e imja që është bërë realitet, por është një ëndërr e shumë grave dhe fëmijëve. Pas asaj që e përjetuam në vitin 1999, ato e morën një rrugë shumë të zorshme dhe më plot sfida. Edhe pse me shumë mundime, vuajtje e sfida, sot jemi këtu ku jemi falë të gjithëve që ndihmuan”, ka thënë ajo.
Tutje, Hoti ka uruar që asnjëherë të mos dorëzohen pavarësisht vështirësive. E diçka të tillë ka bërë ajo gjithë jetën. Këtë më së miri e shpërfaq edhe “Zgjoi”, filmi i parë debutues i metrazhit të gjatë nën regji të Bashollit.
Fotografitë e varura në muret e hapësirë së re të kooperativës bujqësore “Krusha” shërbejnë si ekspozitë kronologjike e hapave nëpër të cilët ka kaluar Fahrije Hoti bashkë me gratë e tjera.
Në katin e parë ndodhen kuzhina, depoja, hapësira e dedikuar për përgatitjen e ajvarit dhe dhoma për ekspozim të produkteve. Në këtë të fundit janë të vendosura disa rafte të mbushura me kavanoza me ajvar e turshi të konservuara.
Pikërisht kjo dhomë është përftimi më i mirë i filmit. Me të hyrë në këtë dhomë, kushdo që e ka shikuar filmin, do t’i kujtohet skena e ndjeshme kur gratë i gjejnë të gjitha kavanozat me ajvar të thyera. E njëjta pamje lidhet edhe me skenë kur Yllka Gashi – aktorja që e portretizon Fahrije Hotin te “Zgjoi” – nuk e fsheh krenarinë kur sheh produktet e saj të grumbulluara për herë të parë në një raft dyqani. Por këtë lloj krenarie e ndienin në hapje të fabrikës së re të gjitha gratë që ishin të pranishme në inaugurim e saj, e që ka vite që punojnë bashkë me Hotin. Biznesi që nisi me pak mbështetje nga gratë e fshatit dhe me kundërshtimin e vazhdueshëm të burrave, po vazhdon rrugëtimin e tij të suksesshëm. Suksesi i “Zgjoi” dhe tash hapja e fabrikës së re janë veçse një kurorëzim i punës së madhe që është bërë tash e disa vjet.
Regjisorja Blerta Basholli ka thënë se është e lumtur që arriti ta njohë Fahrijen bashkë me shoqet e saj që po u japin shembull vajzave, grave e madje edhe djemve e burrave se si mbijetohet, si punohet shumë për të arritur edhe atëherë kur arritja duket e pamundur. Regjisorja 38-vjeçare, e cila ishte e pranishme në hapjen e fabrikës së re, ka thënë se kjo është diçka e jashtëzakonshme, inspiruese dhe shumë kurajuese.
“Në një situatë kur janë ballafaquar me dhimbjen për humbjen e më të dashurve të tyre, ato janë ballafaquar edhe me paragjykime nga shoqëria, dhe përsëri kanë vazhduar. Kanë punuar fort dhe sot janë këtu ku janë vetëm e vetëm falë punës së zonjës Fahrije dhe të gjitha grave që punuan me të”, ka thënë Basholli për KOHËN.
E lidhshmëria e rrëfimit të Fahrije Hotit dhe “Zgjoit” shpaloset edhe përmes një vepre arti të ekspozuar në dhomën e konferencave në katin e dytë. Fahrije Hoti shihet në anën e majtë të pikturës me speca në duar e në të djathtën Yllka Gashi me mbishkrimin “Sundance Film Festival” mbi uniformën që ka veshur për t’u mbrojtur nga pickimet e bletëve në film. Ne mes i ndan fotografia e lapidarit që ka logon e UÇK-së dhe logoja e ndërmarrjes “Krusha”. Vepra është realizuar nga artisti Florent Pista.
“Zgjoi”, për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin, ishte një nga 73 filmat e metrazhit të gjatë që janë shfaqur në kuadër të Festivalit të organizuar nga “Sundance Institute”. Filmi me kohëzgjatje prej 1 orë e 24 minutash përmbledh rrëfimin e Fahrije Hotit, e cila pasi që nuk merr asnjë lajm nga burri i saj i duhet të vendoset në krye të familjes dhe të kujdeset për të.
Brenda fabrikës së re rrëfimi i grave përthekohet edhe përmes veprave të tjera të artit të ekspozuara në hapësirë. Mes tyre është edhe një pikturë ku shihen disa duar duke i punuar specat për të bërë ajvar. Është një pasqyrim i duhur i skenave të filmit, por gjithashtu edhe i përditshmërisë së grave që e mbajnë këtë biznes. Mbishkrimi në vepër tregon se është realizuar këtë vit nga artisti Florent Pista.
Mes të pranishmëve në inaugurim ishte edhe këngëtarja nga Shqipëria, Irma Libohova e cila këndoi këngën “Kënga e nënës”. E kooperativa bujqësore “Krusha” ndau mirënjohje për “Ikonë studio”, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, për kontributin e tij në ndërtimin e fabrikës së re dhe për disa ndihmues të tjerë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kujtoi fillimisht të kaluarën dhe humbjen e madhe që pati gjatë luftës së fundit në Kosovë fshati Krushë e Madhe.
“Ndonëse gjithë zonën e kaploi tmerri, terrori, u ngritën si burra gratë e kësaj zone në krye me Fahrije Hotin dhe e ndërtuan kooperativën e parë të bashkuar bujqësore në të gjithë Kosovën, duke u dhënë edhe shembuj burrave se ne nuk do të mbijetojmë, por do të jetojmë me dinjitet dhe do t’i rrisim fëmijët tanë”, ka thënë ai.
“Zgjoi” u përshkrua edhe si një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje, që përçon mesazhet e veta universale duke tejkaluar caqet e kinematografisë kosovare. E kushdo që e viziton kooperativën dhe e sheh punën e grave aty, janë një shembull i mirë i një rrëfimi që triumfon mbi fatkeqësinë.