Një tablo e gjerë mbi të dhënat historike, etnografike, ndërtimore dhe natyrore që formësojnë identitetin e Krajës, ka sjellë me ligjëratën e tij arkitekti Korab Kraja. E ka shpalosur këtë trevë si një thesar të trashëgimisë kulturore duke zbërthyer edhe legjenda, ngjarje, personalitete, tipologji ndërtimi dhe morfologji vendbanimesh, duke e trajtuar Krajën për herë të parë edhe nga rrafshi i trashëgimisë arkitekturore. Ligjërata e tij në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka qenë edhe një thirrje që Kraja të vizitohet, sepse ka çfarë ofron e ftesë për studiues të tjerë që të vazhdojnë ta zbulojnë
“Peizazhi kulturor i Krajës: definimi i arkitekturës si trashëgimi identitare kulturore”, ka qenë si një udhëtim virtual në këtë trevë shqiptare, diku në mes të ligjëratës është theksuar se është një thesar i pazbuluar në plotësi dhe ka përfunduar me një thirrje: të vizitohet e të studiohet edhe më. Por, një arkitekt e studiues i zellshëm ka kohë që ka hapur disa kapituj të vendit të tij, veçmas atë arkitekturor.
Në kuadër të ciklit të leksioneve albanologjike që po zhvillohen nga Dega e Etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të enjten është mbajtur ligjërata e arkitektit dhe studiuesit të trashëgimisë kulturore, Korab Kraja. Me një përvojë të gjatë në studime, punëtori e konferenca mbi arkitekturën tradicionale shqiptare, në ligjëratën e udhëhequr nga Bubulinë Syla, Kraja ka sjellë para studiuesve një qasje të detajuar mbi trevën e Krajës dhe tipologjitë e saj arkitekturore.
Korab Kraja ka përfunduar studimet master shkencor në arkitekturë në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. Ka marrë pjesë në një sërë trajtimesh, punëtorish dhe konferencash ndërkombëtare kushtuar arkitekturës, restaurimit dhe trashëgimisë kulturore në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe vende të tjera. Autor i shumë artikujve shkencorë dhe studimeve mbi arkitekturën tradicionale shqiptare, si dhe bashkautor në revista ndërkombëtare për trashëgimi kulturore.
Në hapje të ligjëratës shefja e Degës së Etnologjisë, Angjelina Hamza-Hasanaj, ka theksuar rolin e Krajës në studimet bashkëkohore të trashëgimisë shqiptare dhe kontributin e vetë ligjëruesit.
“Korabi është autor i librit ‘Kraja: rehabilitimi dhe promovimi kulturor’, një vështrim historik, kulturor dhe arkitektonik, si dhe përkthyes i disa veprave të rëndësishme të arkitekturës bashkëkohore. Ai është gjithashtu kurator i ekspozitës ‘Kraja monumentale’, e cila është prezantuar në Shkodër dhe Prishtinë, duke sjellë në vëmendje trashëgiminë arkitekturore të kësaj treve”, ka thënë ajo.
Pjesë e ligjëratës ka qenë edhe paraqitja e kapitujve kryesorë të librit “Kraja…”, ku studiuesi ndërton një tablo të gjerë mbi të dhënat historike, etnografike, ndërtimore dhe natyrore që formësojnë identitetin e kësaj treve. Studimi merr për bazë legjenda, ngjarje, personalitete, tipologji ndërtimi dhe morfologji vendbanimesh, duke e trajtuar Krajën për herë të parë edhe nga rrafshi i trashëgimisë arkitekturore.
Libri i tij kushtuar Krajës mbështetet në një gamë të gjerë burimesh kërkimore, prej të dhënave historike, gjeografike dhe ndërtimore, tek etnosi, rrëfimet gojore, legjendat, ngjarjet dhe figurat që kanë ndikuar në formimin e kësaj treve. Përmes tyre ndërtohet një tablo e vlerave historike, shpirtërore, estetike e natyrore, që shërbejnë si pikë orientimi për përcaktimin e trashëgimisë kulturore dhe drejtimit të zhvillimit të Krajës mbi bazën e ruajtjes dhe promovimit të saj, qoftë në aspektin material, ose në atë jomaterial.
Në këtë pikë Kraja ka sqaruar shtrirjen historike dhe ndikimet që kanë përcaktuar zhvillimet hapësinore të zonës.
“Kraja është trevë e përbërë prej disa fshatrave, të cilat variojnë për nga madhësia dhe rëndësia e tyre. Me zgjerimin e Malit të Zi në drejtim të Krajës, fshatrat e saj kanë nisur të ndryshojnë në kontekstin hapësinor. Zgjerimet territoriale të Malit të Zi kanë bërë që Kraja nga hapësira etnokulturore shqiptare të kalojë nëpër shtrirjen e tij”, është shprehur ai.
Një synim i rëndësishëm i studimit është trajtimi i Krajës nga këndvështrimi i trashëgimisë arkitekturore, dimension ky që zë vend qendror në librin e tij. Si trevë etnografike, arkitekti ka theksuar se Kraja shfaq tipare të qarta identitare të peizazhit të saj kulturor, duke u bërë një fushë me potencial të veçantë për studime të mëtejshme. Ndikimi i Shkodrës, si qendër e madhe kulturore, është përmendur disa herë gjatë ligjëratës.
“Është i njohur fakti se vendbanimet rurale kanë pasur ndikime, qofshin ato të mëdha apo të vogla, nga qendrat kryesore apo marrin shkëmbime ekonomike dhe kulturore. Kraja njihet si Malësi e Mbishkodrës dhe ndikimet e Shkodrës si kryeqendër për trevën e Krajës ishin të mëdha. Një nga to ishin ndikimi dhe formimi i tipologjisë së vendbanimeve në trevën e Krajës”, ka thënë studiuesi.
Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës është përqendruar në analizën e veshjes, banesave dhe peizazhit kulturor. Kraja ka sjellë para publikut një nga dëshmitë më të hershme të veshjes së Krajës, të botuar në vitin 1880 në gazetën franceze “Le Monde illustré”.
“Te vlerat estetike bën pjesë veshja e Krajës, e cila është veshje e shumëllojshme, ndahet sipas moshave të ndryshme. Një nga faktet më interesante dhe më të dëshmuara për këtë lloj veshjeje gjendet e botuar në vitin 1880, në gazetën ‘Le Monde illustré’, ku paraqitet një grafikë, një vizatim ku përshkruhen llojet e veshjeve shqiptare dhe aty paraqitet një veshje, e cila titullohet si ‘katolike malësore nga Kraja’. Kjo lloj grafike është e bazuar në fotografinë e njohur, një ndër fotografitë e para të Marubit, i cili fotografinë e përshkruan si ‘kostum i vjetër gruaje katundare me veshje katolike nga zonat e Ljares dhe Shestanit në Krajë’, fotografuar nga Kel Marubi”, ka treguar ai.
Arkitektura e Krajës ndahet në ndërtime profane, sakrale dhe peizazhe kulturore. Për profanet, studiuesi ka sjellë shembuj të strukturave njëqelizore: shtëpitë, kasollet, ublat, lëmenjtë dhe elemente të tjera të ekonomisë tradicionale rurale. Sipas tij, tipologjia e shtëpive është e qartë dhe e qëndrueshme.
“Shtëpitë tradicionale në Krajë kanë konturë planimetrike të thjeshta, pra nuk janë me therje dhe përthyerje të ndryshme, janë katërkëndëshe, kanë planimetri funksionale të përbërë. Kanë hapje mesatare, pak më të mëdha sesa ndërtimet e tjera. Janë kryesisht dykatëshe: përdhesja është ahur, ndërsa kati i sipërm është për banim. Teknikat konstruktive janë me mure të lidhura me llaç, fasadë e gurtë ose e suvatuar me gëlqere, si dhe mbulesa me tjegulla”, ka thënë ai.
Në ndërtimet sakrale ai ka përmendur kishat, manastiret dhe xhamitë, ndërsa në peizazhet kulturore ka përfshirë komplekset e banimit dhe lagjet. Kraja ka paraqitur edhe planimetritë e ublave, disa prej xhamive, kishave e manastireve, si dhe hartat e Krajës që i ka ndërtuar vetë, të cilat shërbejnë si dokumentim i rëndësishëm i strukturës hapësinore të trevës.
Ndikimi i Shkodrës, bukuritë e peizazhit kulturor, tipologjitë tradicionale dhe arti ndërtimor popullor krijojnë një shtresim të gjerë interpretimesh, të cilat Kraja synon t’i sjellë më afër studiuesve dhe institucioneve përmes punës së tij kërkimore.
“Ndikim të rëndësishëm ka pasur Shkodra, si qendër e madhe kulturore, ku ka pasur shkëmbime edhe ekonomike, por edhe si ndikuese e formësimit apo riformësimit të arkitekturës tradicionale në zonat përreth saj”, ka shtuar ai.
Në mbyllje, ligjërata ka vënë theks te rëndësia e dokumentimit, studimit dhe promovimit të vlerave arkitekturore dhe shpirtërore të Krajës. Treva, e njohur për identitetin e saj të veçantë kulturor, sipas studiuesit, përbën një potencial të madh për hulumtim dhe orientim drejt zhvillimit të qëndrueshëm.