Nëpërmjet përfaqësimit nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, shteti më i ri i Evropës ka prezantuar botimet e fundit midis rreth dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende. Me mbi tre mijë e 400 pjesëmarrës, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, Panairi i Leipzigut sivjet ka hapur portat të enjten për t’i dhënë fund këtij edicioni të dielën. Është ngjarja e cila edicionin e parë e mbajti këtu e 392 vjet më parë, në vitin 1632. Më 2021 e më 2022 nuk u mbajt, për shkak të pandemisë. Sivjet bëhet thirrje për demokraci.
Kosova e ka vazhduar traditën e nisur rishtazi me pjesëmarrje në një prej panaireve të librit më të vjetra në botë. Nëpërmjet përfaqësimit nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, shteti më i ri i Evropës ka prezantuar botimet e fundit midis rreth dy mijë e 500 ekspozues nga më shumë se 40 vende. Me mbi tre mijë e 400 pjesëmarrës, mbi 3 mijë e 600 ngjarje në 550 skena, Panairi i Leipzigut sivjet ka hapur portat të enjten për t’i dhënë fund këtij edicioni të dielën. Është ngjarja e cila edicionin e parë e mbajti këtu e 392 vjet më parë, në vitin 1632. Më 2021 e më 2022 nuk u mbajt për shkak të pandemisë. Sivjet bëhet thirrje për demokraci.
Kosova është pjesë e programit promovues të “Tradukit” dhe të Panairit të Leipzigut, nëpërmjet veprave letrare dhe joletrare në gjuhën shqipe dhe atyre të përkthyera në gjuhë të tjera.
BKK-ja në bashkëpunim me “Tradukin” – rrjetin e themeluar më 2008 me synimet për komunikim nëpërmjet librit duke përkthyer vepra, e në të cilin rrjet Kosova synon të anëtarësohet, i bën vend letërsisë vendore në qytetin që shquhet për kulturë.
Në hapje të edicionit të sivjetmë, ashtu sikurse vitin e kaluar, ka folur edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Ai ka bërë thirrje për lexim e promovim të librit. Sipas tij, bota e librit i bën njerëzit më të përgjegjshëm. Në këtë rast, ka bërë edhe thirrje për ndaljen e asaj që e ka quajtur “katastrofë humanitare” në konfliktin midis Izraelit dhe Gazas. Por, sipas raportimeve mediatike, për pak momente fjala e tij është ndalur nga aktivistë izraelitë e palestinezë. Ka pasur thirrje: “Stop gjenocidit” e “Ndaloni dërgimin e armëve për Izraelin”.
Gjatë ngjarjes së librit, disa shtande janë vizituar edhe nga presidenti i Federatës Gjermane Frank-Walter Steinmeier. Ai fillimisht është ndalur në shtandin e Ukrainës, shtet i cili ka hyrë në vitin e tretë të luftës me Rusinë.
Por në 25-vjetorin e ditëve kur bota demokratike vendosi t’i jepte fund spastrimit etnik që bënte Serbia në Kosovë, shteti që e përjetoi lirinë pas ndërhyrjes së NATO-s, ka çuar pak nga kultura e vet e shkrimit në Leipzig.
Sipas Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, atje janë prezantuar botimet më të reja të Kosovës. Është bërë e ditur se shtandi i Kosovës në Panair, u vizitua nga përfaqësues të Panairit të Librit dhe drejtues të “Tradukit”. Aty qenë edhe ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ambasadorja e Shqipërisë në Berlin, Adia Sakiqi, dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Ylber Sela
“Po ashtu, shtandi i Kosovës po vazhdon të vizitohet nga autorë, studiues e lexues me interesime të veçanta për kulturën e Kosovës, duke e bërë atë një vend të rëndësishëm të debatit kulturor, politik e social”, shkruhet në komunikatën e BKK-së.
Bëhet e ditur se Panairi i Librit në Leipzig u hap me një ceremoni festive.
“Përfaqësues të shquar nga politika dhe industria botuese ishin të pranishëm në Gewandhaus. Edicioni i sivjetmë u hap me një fjalim të kancelarit Olaf Scholz, i cili me një lutje për lexim, theksoi rëndësinë e letërsisë për demokracinë dhe fuqinë e letërsisë për ta bërë botën të qasshme për t’u marrë me problemet e kohës”, shkruhet në njoftim. Shtandi i Kosovës gjendej në numrin D406 midis atij të Shqipërisë dhe atij të Maqedonisë së Veriut.
Shtetet e rajonit përfaqësohen po ashtu nga institucionet shtetërore. Sllovenia përfaqësohet nga Agjencia e Librit, Serbia e Kroacia nga Ministria e Kulturës.
Panairi, njëri prej atyre më me ndikim në Evropë, edhe sivjet ishte adresë e shumë njerëzve të botës së librit.
“Bota e botimeve po shikon nga e ardhmja dhe rrjedhimisht edhe ne në Leipzig”, ka thënë Martin Buhl-Ëagner, drejtor menaxhues i Panairit. Sipas tij, shumë botues të njohur, nga grupe të mëdha e deri te kompanitë më të vogla, janë regjistruar për këtë edicion.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja në këtë ngjarje ishte një deklaratë e fortë për demokracinë, lirinë dhe diversitetin.
“2024 është një vit vendimtar për demokracinë tonë. Vlerat themelore demokratike si dinjiteti njerëzor dhe toleranca janë gjithnjë e më shumë nën sulm. Le të bëjmë diçka kundër kësaj! Në zgjedhjet evropiane dhe në zgjedhjet shtetërore ne mund të vendosim se në cilin drejtim do të zhvillohet shoqëria jonë” shkruhet në ueb-faqen dhe rrjetet sociale të Panairit.
“Bashkohuni me ne: Bëni një foto të vetes përpara murit fotografik në Panairin e Librit në Leipzig dhe vendosni deklaratën tuaj se pse demokracia është e rëndësishme për ju. Votoni për Demokraci”, kanë bërë thirrje organizatorët.