“Lulebora nuk çel më”, që doli prej hulumtimit në terren, nuk është thjesht një citat prej një bujku në Kosovë. Është gjuha e tokës. Asaj i shtohet edhe “Ansamble në shpërfaqje” për ta përthekuar titullin e instalacionit të Erzë Dinaramës në Pavijonin e Kosovës në edicionin e 19-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie, që u inaugurua të enjten. Atje zhvendoset dhe toka e Kosovës e cila rënkon përballë çrregullimit të natyrës, kur as “lulebora nuk çel më”. “Kjo fjali e thjeshtë, e thënë nga një fermer gjatë punës kërkimore në Kosovë, kap sfidën e leximit të një peizazhi ku shenjat mjedisore nuk janë më të besueshme, kur pranvera vjen shumë herët, kur mungesa e borës në male nuk garanton më mungesën e ngricës së vonshme”, ka thënë Dinarama
Duket ambient goxha intim dhe instalacioni vizualisht është minimal. Buron nga një hulumtim i thellë dhe parqet një temë me peshë: ndryshimet klimatike. Ato nuk paraqiten me të dhëna statistikore e definicione, por duke prekur direkt ndryshimet, nëpërmjet ndjenjave.
Titulli është tejet i drejtpërdrejtë. Vjen si alarm: “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”. Bëhet fjalë për shuarjen e një luleje shkaku i ndryshimeve klimatike në Kosovë. E kjo ndjesi i pret vizitorët e Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Zyrtarisht, Pavijoni i Kosovës është hapur pasditen e së enjtes në hapësirën ekspozuese Arsenale. Shteti më i ri i Evropës i përfaqësuar nga arkitektja Erzë Dinarama, në edicionin e sivjetmë, të 19-tin me radhë të Bienales së Arkitekturës ka çuar marrëdhënien sfiduese që është duke krijuar njeriu me natyrën. Hulumtimi bazohet në vizita të ndryshme në Kosovë e biseda me bujq. Dinarama është thelluar në marrëdhënien e bujqve me tokën dhe ndryshimet e përshkruara prej tyre, ajo i ka vizualizuar në “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”.
Alarmi me “Lulebora nuk çel më”
Mbi dyshemenë me dhé nga anë të ndryshme të Kosovës gjenden gypa që shpërfaqin aromë që plotëson mozaikun e paraqitjes së efekteve të ndryshimeve klimatike.
Arkitektja Erzë Dinarama para të pranishmëve në ceremoninë hapëse ka shpjeguar se projekti eksploron ndërprerjen dhe rikonfigurimin e marrëdhënieve ekologjike të rrënjosura thellë dhe sistemeve të mishëruara të dijes nën presionin e klimës.

“I rrënjosur në terren me fermerë të Kosovës — fermerë që punojnë me kultura që po perceptohen gjithnjë e më shumë si të papërshtatshme për klimën e Kosovës — projekti lind si një territor në tranzicion”, ka thënë ajo. Në këtë rast ka shtuar se me zhvendosjen e zonave klimatike dhe sezonet që ndryshojnë, sinjalet e njohura të mjedisit, duke përfshirë sinjalet e sistemuara natyrore, po bëhen të paqarta dhe format e mishëruara të dijes janë në rrezik.
Pasi ka përmendur titullin e pavijonit, “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”, ka sqaruar se bëhet fjalë për një lule të njohur si treguese të pranverës.
“Kjo fjali e thjeshtë, e thënë nga një fermer gjatë punës kërkimore në Kosovë, kap sfidën e leximit të një peizazhi ku shenjat mjedisore nuk janë më të besueshme, kur pranvera vjen shumë herët, kur mungesa e borës në male nuk garanton më mungesën e ngricës së vonshme”, ka thënë ajo. Sivjet Kosova e ka provuar këtë. Moti është ngrohur shumë më herët kurse ngricat e prillit në shumë rajone të Kosovës u kanë dhënë fund frutave të pemëve për sivjet.
“Edhe pse shenjat tradicionale përmes të cilave fermerët lidhen me tokën po ndërpriten nga zhvendosjet klimatike, fermerët vazhdojnë të organizojnë jetët e tyre përmes kalendarëve relacionalë dhe jo atyre fiksë — duke rikalkuluar mbjelljen dhe korrjen me reflektime se si ‘pranvera dhe vjeshta janë zhvendosur’, ose ‘kalendarët e vjetër nuk vlejnë më’”, ka thënë Dinarama. Sipas saj, gjatë dekadës së fundit, specat mbillen më herët, kamomili çel më herët, ajo që korret bëhet më shpejt, mollët lulëzojnë njëzet ditë më herët, dhe zogjtë e bardhë shtegtojnë më vonë ose fare.
Hulumtimi në terren i përkthyer vizualisht
Krejt kjo ndjesi ofrohet edhe nëpërmjet një kalendari të ndërtuar në bazë të rrëfimeve të bujqve. Në konceptin e Dinaramës, aromat vijnë nga përshkrimi i fermerit për ato momente si një mënyrë e perceptimit ekologjik të rrënjosur në afërsi trupore. Instalacioni është prej atyre që merr vëmendje. Kërkon pak thellim për t’ia kapur thelbin, por shtjellon një temë ekzistenciale: marrëdhënien e ekosistemit që dita e ditës është duke ndryshuar.

Kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës – institucion që është komisionues i Pavijonit të Kosovës – Hana Halilaj ka thënë se Pavijoni në këtë edicion vjen si rezultat i një hulumtimi të thellë e të realizuar me një ndjeshmëri të veçantë nga arkitektja dhe kuratorja, Erzë Dinarama.
“Me një qasje kritike, projekti trajton ndikimin e ndryshimeve klimatike në vend, një çështje me rëndësi globale. Gjetjet e ekipit gjatë procesit hulumtues janë përkthyer në mënyrë të shkëlqyer vizualisht, duke u mundësuar vizitorëve një përjetim ndijor të plotë të asaj që Erza ka konceptuar. Një përvojë e veçantë, mbi një tematikë thelbësore për Kosovën dhe për botën”, ka thënë Halilaj për KOHËN.
Arkitekti Bekim Ramku i cili ka qenë komisioner i Pavijonit të Kosovës më 2012 kur Kosova për herë të parë mori pjesë në këtë ngjarje ka thënë se instalacioni është minimal dhe i bukur.
“Shumë më pëlqeu vizualisht, minimal dhe i bukur. Pjesët e tjera të Arsenales dhe ekspozita e kuratorit, interesante por shumë të ngarkuara”, ka thënë ai.
Në ceremoninë e hapjes, Nita Shala, ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali ka thënë se është nder të jetë e pranishme në ngjarjen ku bëhet hapja e Pavijonit të Kosovës në një ndër platformat më të respektuara në botë për dialog kulturor dhe intelektual.
“Ky moment ka një domethënie të veçantë për ne – jo vetëm si një festë e vizionit artistik, por edhe si një pasqyrim i asaj që jemi dhe asaj që po bëhemi”, ka thënë ajo.

Bienalja si laborator për thirrje dhe aksion
Pavijoni i Kosovës sivjet është në frymën e temës së caktuar nga kuratori i përgjithshëm i këtij edicioni, arkitekti Carlo Ratti. Titulli i temës është “Inteligjencë. Natyral. Artificial. Kolektiv”.
Në konferencën e mbajtur të enjten paradite, kuratori Ratti ka thënë se në këtë edicion po provojnë që Bienalja të jetë laborator dhe thirrje për aksion në raport me ndryshimet klimatike.
Pos ekspozitës kolektive, sivjet në ngjarjen më të madhe të arkitekturës në botë përfaqësohen edhe 66 shtete nëpërmjet pavijoneve kombëtare. Kosova ndër vite ka dërguar copëza të saj në këtë ngjarje botërore.

Marrëdhënia e Kosovës me Bienale ka nisur më 2012, kur debutoi me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama, tash kryetar i Prishtinës. Instalacioni mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-ës, Maksut Vezgishi me “Containporary” zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Kurse më 2023, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, me temën “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) kishin trajtuar fenomenin e migrimit dhe ndikimin e tij në arkitekturën e qyteteve.
Sivjet Pavijoni i Kosovës prezanton një tjetër marrëdhënie të kosovarëve me vendin e tyre: atë me tokën, florën e ndryshimet klimatike që janë përcaktues të një të ardhmeje sfiduese.
Vizitorët e qytetit me 121 ishuj dhe 435 ura prej 10 majit deri me 13 nëntor do të kenë mundësi të ndiejnë transformimet në ekosistem. Ato vijnë nëpërmjet rrëfimeve të atyre që janë të lidhur me tokën e me instalacionin e Erzë Dinaramës. Midis të tjerash “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje” vjen si alarm dhe thirrje për një tjetër qasje në raport me ndryshimet klimatike. Si thirrje e sinqertë e bujqve. Ose si thirrje që vjen nga toka.