Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova në kërkim të përfaqësuesit në Bienalen e Arkitekturës në Venecie që thërret për veprim

Bienale

Kuratorët e edicionit të ardhshëm të Bienales së Arkitekturës në Venecie kanë deklaruar se besojnë që arkitektura nuk është vetëm diçka për t’u diskutuar, por, mbi të gjitha, diçka që duhet bërë drejtpërdrejt

“Bëj arkitekturë – për mundësinë e bashkëjetesës përballë realitetit të vërtetë”, është tema e edicionit të vitit të ardhshëm të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie, e cila në thërret për përballje me ndryshimet klimatike globale, duhet menduar nëse mund të funksionojnë së bashku qasjet aktive dhe pasive ndaj dizajnit, strategjisë dhe teknologjisë. Galeria Kombëtare e Kosovës tashmë ka hapur thirrjen për përfaqësimin e vendit në këtë ngjarje madhore

Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur thirrjen për ata që pretendojnë të përfaqësojnë shtetin në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia vitin e ardhshëm. Edicioni i 20-të i një prej ngjarjeve kryesore në botë sa i përket arkitekturës fillon në maj dhe përfundon në nëntor. Thirrja e GKK-së, e cila menaxhon procesin, do të jetë e hapur deri në fund të korrikut të këtij viti. Në thirrje jepen goxha detaje.

Tema e përgjithshme e edicionit, që kurohet nga Wang Shu dhe Lu Wenyu, titullohet “Bëj arkitekturë – për mundësinë e bashkëjetesës përballë realitetit të vërtetë”. Dyshja ka sqaruar se në përballje me ndryshimet klimatike globale, duhet menduar nëse mund të funksionojnë së bashku qasjet aktive dhe pasive ndaj dizajnit, strategjisë dhe teknologjisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“A mund të bashkëjetojnë toka dhe arkitektura? A mund materialet më natyrore dhe mjeshtëria lokale t’i kapërcejnë barrierat konceptuale dhe teknike për të qëndruar krah për krah me dizajnin dhe ndërtimin modern si komponentët e tyre kryesorë? A mund të bashkëjetojnë kujtesa dhe inovacioni në mënyrë dialektike? A mund efikasiteti i dizajnit dhe ndërtimit modern të bashkëjetojë me forma më të ngadalta dhe më kuptimplota të mjeshtërisë? A mund ta zgjidhim konfliktin midis modeleve urbane dhe rurale të zhvillimit? A ka një mënyrë që ato të bashkëjetojnë duke ruajtur karakterin e brishtë të zonave rurale?”, janë disa prej pyetjeve që ka bërë dyshja derisa ka elaboruar konceptin e temës së përgjithshme.

Kuratorët kanë deklaruar se besojnë që arkitektura nuk është vetëm diçka për t’u diskutuar, por, mbi të gjitha, diçka që duhet bërë drejtpërdrejt. Sipas tyre, filozofia e arkitekturës është një filozofi e të vepruarit, një praktikë që përballet me realitetin e vërtetë, në vende reale, përmes ndërtimit real.

“Ne besojmë se arkitektura, si përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë kulturore lokale, mund të bashkëjetojë me arkitekturën si forcë avangarde për transformim shoqëror. Vetëm në këtë mënyrë arkitektura mund ta ruajë vlerën e saj në një epokë të përmbytur nga teknologjia. Vetëm në këtë mënyrë njerëzimi, përmes arkitekturës, mund të ruajë një vlerë të prekshme. Vetëm përmes përpjekjes së vazhdueshme mund të mbahet gjallë shpresa”, ka shpjeguar dyshja e kuratorëve.
Sipas thirrjes së Galerisë Kombëtare të Kosovës, mund të aplikojnë arkitektë, urbanistë, projektues, studiues, kritikë dhe artistë – individë ose grupe multidisiplinare – për realizimin e një ekspozite me narrativë kuratoriale që ndërlidhet me temën e përcaktuar për edicionin e vitit të ardhshëm. Kërkohet që aplikuesit të kenë njohuri mbi arkitekturën, si dhe mbi elementet, praktikat, kulturën, historinë dhe drejtimet e saj në Kosovë dhe në botë. Ata mund të jenë shtetas të Kosovës ose shtetas të huaj.
“Aplikuesit duhet të jenë profesionistë të dëshmuar në fushën e arkitekturës, urbanizmit dhe/apo fushave të ndërlidhura dhe duhet t’i plotësojnë kriteret e mëposhtme”, shkruhet në thirrje.

Kriteret e përgjithshme për aplikues, ndër të tjera, kërkojnë që ai ose ajo të ketë prezencë të njohur ndërkombëtare. Kjo konsiderohet përparësi.

“Të zhvillojnë një koncept origjinal dhe narrativë kuratoriale për ekspozitën që do të prezantohet në Bienalen e Arkitekturës në Venecia; të hartojnë planin e programit kulturor dhe të menaxhimit të pavijonit, në koordinim me përfaqësuesit e autorizuar të MKT-së; të bashkëpunojnë ngushtë me komisioneren në menaxhimin e ekspozitës deri në prezantim dhe pas hapjes së pavijonit; të menaxhojnë procesin e krijimit të katalogut zyrtar të pavijonit të Republikës së Kosovës deri në botim, në bashkëpunim me përfaqësuesit e autorizuar të GKK-së; të bashkëpunojnë me personin përgjegjës për komunikim për hartimin e strategjisë së promovimit, me qëllim rritjen e vizibilitetit të pavijonit përmes publikimeve, ngjarjeve dhe prezencës mediale”, shkruhet në thirrje te përshkrimi i detyrave për aplikuesit.

Kërkohet që aplikuesit të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e autorizuar të GKK-së, të mbajnë komunikim të vazhdueshëm me stafin e Bienales së Venecias lidhur me organizimin dhe përmbushjen e kërkesave logjistike për realizimin e ekspozitës dhe të angazhohen në sigurimin e burimeve shtesë financiare.

Te përmbajtja e dosjes për aplikim kërkohen dokumentet e identifikimit personal dhe të llogarisë bankare, biografia e aplikuesit ose e anëtarëve të grupit që aplikojnë, letra motivuese, projekti me të gjitha detajet teknike dhe dëshmi që aplikuesit nuk janë nën hetime.

Vjet, Kosova në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia është përfaqësuar me “Lulebora nuk çel më” të Erzë Dinaramës. Vepra doli nga hulumtimi në terren, nuk ishte thjesht një citat nga një bujk në Kosovë. Ishte gjuha e tokës. Atje u zhvendos edhe toka e Kosovës, e cila rënkon përballë çrregullimit të natyrës, kur as “lulebora nuk çel më”.

Marrëdhënia e Kosovës me Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës ka nisur më 2012, kur debutoi me “Punuesi i filigranit”, nga kuratori Përparim Rama, tash kryetar i Prishtinës në mandat të dytë. Instalacioni synonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (Imposed Modernism)”. Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Dy vjet më vonë, për shkak të problemeve procedurale në Ministrinë e Kulturës, Kosova nuk u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën dhe veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, Maksut Vezgishi me “Containporary” trajtonte pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Kurse më 2023, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, me “RKS2 Transcendent Locality”, trajtuan fenomenin e migrimit dhe ndikimin e tij në arkitekturën e qyteteve.

Ndërsa sivjet, në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, me një pikturë monumentale 17 metra, “Dhëmbë të fortë” të Brilant Milazimit, përfaqësohet shteti në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë.