Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kosova me mbi 20 anëtarë në Akademinë Evropiane të Filmit

Fatlume Bunjaku

Përfshirja në Akademi i jep Fatlume Bunjakut edhe rol aktiv në proceset vendimmarrëse të kinemasë evropiane. Anëtarët kanë të drejtën të votojnë për nominimet dhe fituesit e Çmimeve Evropiane të Filmit, të marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit dhe strukturave drejtuese të Akademisë, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e politikave që lidhen me promovimin e filmit evropian, siç bëhet me dije nga Akademia

Vetëm pak muaj pasi u nderua si “European Shooting Star” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, Fatlume Bunjaku është bërë anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, institucionit më të rëndësishëm që përfaqëson komunitetin e kineastëve evropianë. Emri i saj figuron në listën e 640 anëtarëve të rinj nga 50 vende të ndryshme, të cilët këtë vit i janë bashkuar Akademisë. Në mesin e emrave të rinj janë regjisorë, aktorë, producentë, kritikë filmi dhe profesionistë të tjerë të njohur të industrisë, ndërsa Kosovës atje sivjet i shtohet edhe një aktore

Ky vit ngjan si një prej kapitujve më të rëndësishëm në karrierën e aktores Fatlume Bunjaku. Vetëm pak muaj pasi u nderua si “European Shooting Star” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ajo është bërë anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, institucionit më të rëndësishëm që përfaqëson komunitetin e kineastëve evropianë.

Emri i saj figuron në listën e 640 anëtarëve të rinj nga 50 vende të ndryshme, të cilët këtë vit i janë bashkuar Akademisë. Në mesin e emrave të rinj janë regjisorë, aktorë, producentë, kritikë filmi dhe profesionistë të tjerë të njohur të industrisë, ndërsa Kosovës atje sivjet i shtohet edhe aktorja Fatlume Bunjaku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për të, ky anëtarësim është më shumë sesa njohje profesionale. Është edhe dëshmi e rrugëtimit që e ka çuar nga skena e ekrani shqiptar në “Berlinale” për të cilin festival me nam ka thënë se e ka promovuar jashtëzakonisht shumë. 

“Natyrisht, e ka rëndësinë e vet shumë të madhe dhe ajo që më ka gëzuar më së shumti është që emri im ka qenë në radhën e emrave të mëdhenj. Ndër të tjera, aty është edhe Kosova vetëm me emrin tim dhe askush nga Shqipëria. Normalisht ndihmë të madhe për këtë më ka dhënë çmimi ‘Shooting Star’ që e kam marrë në shkurt në ‘Berlinale’. Edhe ajo e ka bërë të veten. Ftesa më ka ardhur nga Akademia. Shumica e anëtarëve zakonisht aplikojnë, por ata bëjnë edhe ftesa për anëtarësim. Mua ftesa më ka ardhur në mars, menjëherë pas çmimit ‘Shooting Star’”, ka thënë Bunjaku.

Anëtarësimi i saj vjen si pjesë e zgjerimit të madh të Akademisë Evropiane të Filmit, e cila tashmë numëron rreth 5 mijë e 700 anëtarë nga 60 vende. Institucioni ka bërë me dije se po synon të zgjerojë vazhdimisht përfaqësimin e profesioneve të ndryshme të filmit, duke përfshirë jo vetëm regjisorë e aktorë, por edhe drejtorë fotografie, kompozitorë, montazherë, kostumografë, dizajnerë zëri, producentë e profesionistë të tjerë që formësojnë procesin krijues të kinemasë.

Në listën e anëtarëve të rinj të këtij viti gjenden emra të njohur të industrisë evropiane dhe botërore, si aktorja Vicky Krieps nga Luksemburgu, regjisori norvegjez Joachim Trier, i cili në edicionin e këtij viti fitoi gjashtë çmime, ndër to edhe çmimin kryesor me filmin “Sentimental Values”. Gjithashtu janë anëtarësuar aktorët palestinezë Adam Bakri, Ziad Bakri e Mahmood Bakri, autori britanik i filmave dokumentarë Mark Cousins e shumë të tjerë. Në këtë radhë emrash tashmë është edhe aktorja nga Kosova.

Përfshirja në Akademi i jep Bunjakut edhe rol aktiv në proceset vendimmarrëse të kinemasë evropiane. Anëtarët kanë të drejtën të votojnë për nominimet dhe fituesit e Çmimeve Evropiane të Filmit, të marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit dhe strukturave drejtuese të Akademisë, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e politikave që lidhen me promovimin e filmit evropian, siç bëhet me dije nga Akademia.

Pikërisht këto, aktorja Fatlume Bunjaku i konsideron si privilegjin më të madh të të qenit pjesë e Akademisë. 

“Ajo që është privilegj me këtë anëtarësim është e drejta e votës për çmimet vjetore të Akademisë. Është privilegj i madh për mua, gjithashtu ka benefite tjera pasi ka disa ngjarje për kinematografi që organizohen nëpër Evropë ku unë i kam ftesat dhe të drejtën e pjesëmarrjes, e kështu me radhë. Gjithçka që ndodh rreth kinematografisë evropiane e kam rrugën më të lehtë dhe është goxha përparësi të jesh e anëtarësuar aty”, ka thënë ajo për KOHËN. 

Përveç të drejtës së votës, anëtarët e Akademisë marrin pjesë në ceremoninë e përvitshme të Çmimeve Evropiane të Filmit, në asamblenë e përgjithshme të organizatës dhe në një sërë aktivitetesh profesionale që organizohen gjatë vitit. Ata kanë qasje në platformat e filmave të nominuar, marrin pjesë në diskutime, panele e konferenca dhe shërbejnë si ambasadorë joformalë të kinemasë evropiane.

Në praktikë, kjo nënkupton qasje më të afërt me zhvillimet kryesore të industrisë dhe rrjet të gjerë bashkëpunimesh profesionale. Për Bunjakun, kjo tashmë ka filluar të japë rezultatet e para, por nuk ka dhënë detaje. 

“Ka shumë marrëveshje të cilat nuk guxojnë të bëhen publike, prandaj nuk mund të flas për këtë pjesë. Vetëm mund të them se jam në rrugë të mirë. Kam vizibilitet në festivale, kam ftesa të ndryshme. Kontaktet janë shumë të rëndësishme për çdo profesion, por sidomos për profesionin tonë janë të domosdoshme. Në festivale jam aktive dhe kam ftesa të ndryshme. Kjo e ka pasuruar pjesën time profesionale”, është shprehur aktorja. 

Për të, rruga drejt këtij momenti u përshpejtua në shkurt, kur Bunjaku u shpall një nga fitueset e programit “European Shooting Stars”, nismë e organizatës “European Film Promotion” që konsiderohet si platforma më prestigjioze për promovimin e aktorëve të rinj evropianë. Çmimi i solli asaj vëmendje, duke e bërë një prej emrave më të përfolur të brezit të ri të aktorëve në Evropë.
Anëtarësimi i Bunjakut shënon rritje të pranisë së Kosovës në institucionin kryesor të filmit evropian. Në Akademinë Evropiane të Filmit tashmë janë të anëtarësuar regjisorët Blerta Basholli, Kaltrina Krasniqi, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, More Raça, Ismet Sijarina, Sami Mustafa, Fisnik Maxville, Edon Rizvanolli dhe Lum Çitaku.

Në radhët e producentëve janë: Besnik Krapi, Fatmir Spahiu, Yll Uka, Valon Bajgora, Trim Musliu dhe Valmira Hyseni, ndërsa Eroll Bilibani përfaqësohet në cilësinë e drejtuesit të “DokuLab” dhe Alush Gashi si programues i “Kino Armata”. Drejtoresha e fotografisë, Sevdije Kastrati, është po ashtu pjesë e Akademisë.

Me anëtarësimin e Fatlume Bunjakut, lista e aktorëve kosovarë në Akademi zgjerohet më tej. Në të figurojnë tashmë edhe Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Eshref Durmishi, Ilire Vinca dhe Benjamin Menekshe.

E themeluar më 1988 nga figura emblematike të kinemasë evropiane si Ingmar Bergman, Pedro Almodóvar, Federico Fellini, Isabelle Huppert, Krzysztof Kieśloëski, Marcello Mastroianni, Liv Ullmann dhe Wim Wenders, Akademia Evropiane e Filmit është shndërruar në organizatën më të rëndësishme të filmit në kontinent. Që nga viti 2024 ajo udhëhiqet nga aktorja franceze Juliette Binoche.
Për Fatlume Bunjakun, bileta e hyrjes në këtë komunitet është hapje e dyerve të reja në industrinë ku njohja ndërkombëtare, sipas saj, është po aq e nevojshme sa edhe talenti.