Kulturë

Kosova, dritarja e hapur e letërsisë shqipe në Mal të Zi

ulqini

Festivali Poetik i Prishtinës që në hapje e ka dëshmuar sërish se Kosova është dritare e hapur për letërsinë dhe kulturën e shqiptarëve në Mal të Zi

Me temën “Letërsia shqipe në Mal të Zi”, të mërkurën është hapur edicioni i katërt i Festivalit Poetik të Prishtinës. Krijues e letrarë të lindur në Mal të Zi e edhe prej atyre që vazhdojnë të jetojnë atje, kanë folur për specifikat e historinë e letërsisë shqipe në Mal të Zi. Ajo ka histori e emra të përveçëm, i takon letërsisë shqipe në përgjithësi, gjëllin e lidhur me Kosovën, por vuan mungesën e një hapësire të unifikuar kulturore shqiptare. Kultura shqiptare në Mal të Zi zhvillohet kryesisht në nivel komunal e hapja e dyerve të Kosovës përherë ka qenë jetike për të

Letërsia shqipe e Malit të Zi është krejt natyrshëm e lidhur nyjë me letërsinë e Kosovës dhe me letërsinë shqipe në përgjithësi. Krijuesit letrarë shqiptarë të lindur në Mal të Zi, sidomos ata më në zë, kryesisht veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në Kosovë. Angazhimi i tyre në artin letrar, studimet mbi letërsinë e themelimin e platformave kulturore e institucioneve shkencore në Kosovë, janë veprimtari me kontribut përmbajtjesor. Me temën “Letërsia shqipe në Mal të Zi”, të mërkurën është hapur edicioni i katërt i Festivalit Poetik të Prishtinës. Krijues e letrarë të lindur në Mal të Zi e edhe prej atyre që vazhdojnë të jetojnë atje, kanë folur për specifikat e historinë e letërsisë shqipe në Mal të Zi. 

Mbrëmja ka nisur me homazh për poetin e studiuesin Basri Çapriqi, i cili vdiq në janarin e vitit 2018, në moshën 57-vjeçare. Studiues, profesorë universitarë e kolegë poetë të Çapriqit kanë folur në videon e përgatitur për të, duke e vlerësuar si poet që i ka sjellë shumë risi estetike poezisë shqipe në shekullin e kaluar dhe këtë të tashmin. 

I lindur në fshatin Krythë, nja 15 kilometra larg Ulqinit, Basri Çapriqi mbaroi shkollën fillore dhe atë të mesme në qytetin bregdetar. Studioi letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe diplomoi më 1983. Ndoqi studimet e magjistraturës po në këtë Universitet, të cilat i përfundoi më 1987 me temën “Format antitetike të tekstit letrar në poezinë e sotme shqipe”. Më pas u zhvendos për studime në Universitetin e Edinburgut duke ndjekur interesimet e tij për letërsinë skoceze. Më 1994 mori diplomë nga ky universitet me temën “Poezia konkretiste e Edvin Morganit”, për të doktoruar dhjetë vjet më vonë në Universitetin e Prishtinës me temën “Simboli në poezinë e sotme shqipe”. Profesori universitar në krijimtarinë poetike midis të tjerash ka botuar veprat: “Në fund të verës”, 1986, “Ma qet gjuhën”, 1989, “Frutat bizare”, 1996”, “Grass on the Window”, 1996, “Burimi nën gjuhë”, 2005 “Zbutja e gjarprit”, 2006 “Deschiderea scoicii”, 2010, “Përkryerja e shiut”, 2013. Krijimtaria e tij studimore është mjaft e gjerë.

Ka botuar shtatë vepra në kritikë letrare dhe dramën “Ora bizare”, e shfaqur në Festivalin Botëror të Teatrit Alternativ në Kajro të Egjiptit. Ka botuar qindra studime në revista e gazeta.

Si poet që spikaste me vargje të nivelit të lartë estetik e tematik, poezitë e Çapriqit janë përfshirë në antologji në polonisht, rumanisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht, anglisht, frëngjisht, arabisht e japonisht. 

“Dritaren lërë hapur”, është një prej poezive të Çapriqit që veçohet nga studiuesit e kolegët e tij krijues. Nën interpretimin e aktorit Artan Geca, kjo poezi ka sjellë pak nga krijimtaria e Çapriqit në Festivalin që sivjet ka hapur dyert në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. E kolegu i Çapriqit, profesori i letërsisë e poeti Sali Bashota, ka lexuar një poezi të tijën kushtuar Çapriqit. 

Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ka thënë se letërsia ka rol të veçantë në diplomaci. 

“Letërsia për mua është prej formateve më të qëndrueshme të diplomacisë kulturore, urë që lidh shtetet, shoqëritë, identitetet e kujtesën përtej kufijve”, ka thënë ai. Çobaj ka përmendur një numër shkrimtarësh të Malit të Zi veprimtaria e të cilëve i lidhte me Kosovën. 

“Porosia në fund mund të jetë: Dritaren lëreni hapur”, ka thënë ai duke rikthyer në skenë porosinë e Basri Çapriqit.

Kryetari i shoqatës së artistëve dhe intelektualëve “Art Club” nga Ulqini, Ismet Kallaba në fjalën e tij ka thënë se kultura që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi është e pandarë me kulturën gjithëshqiptare.

Sipas tij, kultura nuk është prioritet i asnjë pushteti në krejt rajonin e te shqiptarët në Mal të Zi zhvillohet kryesisht nga institucionet në nivel komunal. 

“Letërsia shqipe në Mal të Zi është pjesë e rëndësishme e letërsisë kombëtare”, ka thënë ai. Ka përmendur disa prej aktiviteteve që zhvillon “Art Clubi” duke vënë theksin te Kalimera Poetike, “Basri Çapriqi”

“Në kushtet e rrethanat e sotshme më të favorshme për mendimin e qarkullimin e lirë, nuk ekziston kurrfarë barriere dhe nuk kemi arritur të krijojmë një hapësirë kulturore të unifikuar shqiptare. Kush na e ka fajin? Vetë ne. Pyes: përse shqiptarët në Malin e Zi, por jo vetëm ata, nuk janë të përfshirë në Kalendarin kulturor Shqipëri-Kosovë?”, ka thënë ai. Por Kalendari i përmendur nga Kallaba s’funksionon. Nisi më 2024 për t’u nënshkruar disa vjet, por zakonisht janë mbajtur pak aktivitete dhe me njëfarë hezitimi nga ana e Shqipërisë kryesisht me arsyetime për mungesa financiare. Kurse viteve të fundit as që është nënshkruar fare. 

Studiuesi i letërsisë, Haxhi Shabani, në kumtesën “Letërsia shqipe në Mal të Zi, evidenca dhe karakterizime” ka ofruar një pasqyrë të historisë letrare shqipe në shtetin ku jeton. 

“Rrënjët e shqipes së shkruar janë në trekëndëshin Ulqin, Tivar, Shkodër. Ky është përfundim i shkencës albanologjike shqiptare që vështirë se mund ta bëjë dikush të diskutueshëm”, ka thënë ai. Si evidenca ka përmendur klerikë mesjetarë e deri te Gjon Buzuku i cili, sipas tij, duhet ta ketë shkruar “Mesharin” në njërin nga vendet që i ka përmendur si trekëndësh. 

“Nuk duhet të jetë rastësi që lutjet që kishte shkruar Buzuku në ‘Meshar’, që e kishin bazën në librin e shenjtë, do të kurorëzoheshin me shqipërimin në tërësi të Biblës nga dom Simon Filipaj, aty ku është vendi i origjinës së gjuhës shqipe të shkruar”, ka thënë ai. Në gërmim e sipër, në historinë e letërsisë së asaj ane ka përmendur Halim Riza Ulqinakun, Hysein Bushatin për të vazhduar tek Ibrahim Berjashi, Asllan Bisha e te brezat e mëvonshëm të shkrimtarëve. 

“Janë rreth 10 shkrimtarë që kanë krijuar letërsinë shqipe në Malin e Zi”, ka thënë ai. Ka veçuar pesëshen Esad Mekuli, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi e Hajro Ulqinaku. Ka folur për secilin nga pak. Krajën e ka cilësuar si shkrimtarin e shkrimtarëve në letërsinë shqipe me së paku dhjetë romane të nivelit të lartë. Ka bërë edhe një konstatim. 

“Dhe vetëm fatkeqësia se për përkthimin e romaneve të tij është vështirë të gjendet përkthyes i mirë në ndonjërën nga gjuhët e komunikimit global, e bën atë të mos jetë shkrimtar i njohur në përmasa globale”, ka thënë ai. 

Sipas studiuesit Shabani, tash ka nevojë të përdorët sintagma e kulturës ujore shkaku i letërsisë së kulturës ujore. 

“Të fillojë qasja e studimit hapësinor që në bazë kanë mjedisin bregdetar, bregliqenor... Kjo pjesë e letërsisë e ka bazën e gjerë që shtrihet mbi kulturën ujore”, ka thënë ai. 

Në këtë mbrëmje aktori Shpëtim Selmani la interpretuar poezi të Esad Mekulit, kurse aktori Naim Berisha ka lexuar një pjesë të veprës “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Rexhep Qosjes. 

Hajro Ulqinaku, Nikollë Berishaj, Mark Pashku, Ali Daci, Nevila Nikaj, Gjergj Filipaj, Flutur Mustafa e Ardita Rexha kanë lexuar nga krijimtaria e tyre. 

Festivali që ka themeluese e drejtoreshë poeten Donika Dabishevci, për pesë ditë me radhë do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate tematike, kumtesa, diskutime, homazhe poetike, dokumentarë. Sivjet marrin pjesë 55 shkrimtarë, studiues, aktorë e muzikantë. Në mbrëmjen e parë treshja Astrit Stafai, Artan Rexhepi e Denik Prizreni nëpërmjet muzikës i kanë dhënë mbrëmjes edhe ngjyra të tjera artistike.