Kulturë

Kori “Siparantum” i Pejës merr mirënjohje speciale në Belgjikë

Prishtinë, 8 tetor – Kori “Siparantum” nga Peja është shpërblyer në garën ndërkombëtare të koreve evropiane, në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders” . Ani pse nuk arriti që të zinte njërin nga tre vendet e para në garën e koreve mikse, “Siparantum” mori mirënjohje speciale nga juria e festivalit, i cili u mbajt prej 4 deri më 6 tetor në Genk të Belgjikës. Aty mori pjesë për herë të parë. “Siparantum” fillimisht performoi më 5 tetor, ku u testua me veprën “Amor io fallo” të kompozitorit flaman Jan Van Der Roost dhe më 6 tetor me një program të përzgjedhur nga vetë Kori.

Në kategorinë e koreve mikse, ku ishte në garë edhe kori “Siparantum”, vendin e parë e zuri kori “PUNKT” nga Republika Çeke, vendi i dytë i takoi korit nga Belgjika “Vocaall Ensemble Saevus”, e me korin “Waelrant Camerata” shteti nikoqir i festivalit zuri edhe vendin e tretë.

Memli Kelmendi, dirigjent i “Siparantum”, ka thënë se ky sukses nuk është vetëm sukses i korit, por siç ka thënë ai është i gjithë kombit shqiptar.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")