Kulturë

“Konsulli rus” me ëndrrën për Kosovën Serbi e spastrimin e serbëve

Vetëshpallet konsull, thërret që “Rusia do të bëhet përsëri Rusi, dhe Kosova do të bëhet sërish serbe”. Është profesor historie, pacient në psikiatri. Ngjarja zhvillohet në vitin 1973 në Prizren, shqiptarët janë zullumqarë ndaj serbëve, të cilët i dëbojnë, e sipas përshkrimeve, “Ruski konzul” që është dhënë premierë në Beograd, reklamohet “një rrëfim që përshkruan fillimin e krizës në Kosovë”. Bazohet në romanin e viteve ’80 me të njëjtin titull të shkrimtarit e politikanit serb Vuk Drashkoviq. Kastës së aktorëve i janë bashkuar edhe aktorët shqiptarë: Enver Petrovci, Mensur Safqiu e Visar Vishka. Ekipi synon që “Konsullin rus” ta sjellë edhe në Kosovë

Një person i vetëshpallur si konsull rus në Prizren ëndërron se Rusia do të dominojë deri në këto anë, dhe për pasojë Kosova do të bëhet Serbi. E natyrshme: çmenduri. Edhe ëndërrimtari ka telashe të mëdha mendore e është pacient psikiatrie. Me profesion është historian. E ëndrrat dhe çmenduritë e historianëve serbë për Kosovën njohin turli parashikimi.

Një prej tyre trajtohet në filmin “Ruski konzul” (Konsulli rus) i bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit e politikanit serb Vuk Drashkoviq. Edhe shqiptarët aty nuk ia lënë mangët zullumit ndaj serbëve. Kaq mund të kuptohet prej përshkrimeve të mediave serbe e sinopsiseve të shkurtra nëpër ueb-faqe të ndryshme për “Ruski konzul”. Filmi nën regji të Miroslav Lekiqit, i dhënë premierë në kuadër të edicionit të 52-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Beograd, nxjerr në pah telashet midis Serbisë dhe Kosovës. Bëhet fjalë për vitin 1973, një vit para se Kosova të bëhej njësi konstituive në kuadër të Federatës Jugosllave.

“Një rrëfim që përshkruan fillimin e krizës në Kosovë”, është një prej përshkrimeve që i bëhet filmit ku luajnë tre aktorë shqiptarë: Enver Petrovci e Mensur Safqiu nga Kosova dhe Visar Vishka nga Maqedonia e Veriut.

Në bazë të prezantimit të Festivalit që këtë vit është hapur më 23 shkurt dhe mbyllur me ndarje çmimesh pikërisht me premierën “Konsullit rus”, të dielën mbrëma, personazhi kryesor i filmit, psikiatri serb Ilija Jugoviq, që portretizohet nga aktori Nebojsha Dugaliq, pas vdekjes së pacientit të tij në Beograd shkon në Prizren të Kosovës duke iu përmbajtur një lloj dënimi të Partisë. Atje punësohet si mjek i përgjithshëm në një spital lokal.

“Atje ai takohet me profesorin e historisë Ljubo Bozhoviq (Zharko Lausheviq), të vetëshpallurin ‘Konsull rus’, një pacient me sa duket në psikiatri, i cili pretendon se së shpejti ‘Rusia do të bëhet përsëri Rusi, dhe Kosova do të bëhet sërish serbe’”, sqarohet në faqen online të “Fest 24”. Sqarimi nxjerr në pah se kundër “konsullit” tij kthehen fuqishëm shqiptarët vendës, “separatistë të fshehur, gjithashtu anëtarë të Partisë Komuniste dhe kuadro me poste”.

“Më i fuqishmi prej tyre, Halit Berisha (Visar Vishka), që i dëbon serbët nga Kosova me presione të ndryshme mizore: ushtron dhunë ndaj fëmijëve serbë nëpër shkolla, frikëson popullatën vendëse, i pengon ata të marrin kujdesin shëndetësor, ngacmon familjet, u fut atyre pasiguri dhe ankth”, shkruhet në sqarim. “Pra, radha i ka ardhur Ljubo Bozhoviqit, të cilin Berisha po tenton ta nxjerrë nga shtëpia dhe ta largojë nga Kosova. ‘Konsulli rus’ refuzon ta shesë shtëpinë dhe përplaset me Berishën. Doktori Ilija Jugoviq qëndron nën mbrojtjen e tij”, shkruhet në sqarimin që jepet për filmin. Në njëfarë forme, duke marrë për bazë sqarimet e dhëna për filmin, periudha kur Kosova u bë njësi konstituive me të drejta të një republike brenda Federatës, por prapë Krahinë Autonome, del të jetë kohë kryengritjesh për shqiptarët e njëkohësisht periudhë kur i çon edhe në çmenduri serbët.

Të pranishëm në premierën e filmit kanë qenë edhe Enver Petrovci e Visar Vishka. Petrovci, profesor i aktrimit e personalitet i njohur në Beograd, i kontaktuar nga KOHA të martën nuk ka dashur të flasë për filmin e as për premierën. Ka preferuar se në rast se filmi do të jepet në Prishtinë më pas do të flasë për të.

Në një konferencë për media gjatë Festivalit, regjisori Miroslav Lekiq ka thënë se filmin ia kushton aktorit të ndjerë Zharko Lausheviq, i cili vdiq në nëntor të vitit të kaluar. Ka sqaruar se filmi ka një histori rreth 20-vjeçare prej kohës kur iu mbush mendja ta realizonte e deri te gjetja e mjeteve financiare. Ai ka realizuar edhe filmin “Thika” po ashtu të bazuar në romanin e Drashkoviqit, “Nož” (Thika). Lekiq ka thënë se i pëlqen të merret me reflektimet e letërsisë mbi historinë. Që të dyja veprat e Drashkoviqit janë botuar në vitet ’80. Autori ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë prej vitit 2004 deri në vitin 2007. Ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër i Serbisë prej janarit deri në prill të vitit 1999 në një qeveri më gjithëpërfshirëse në kohën kur pas negociatave për ndaljen e dhunës në Kosovë, bota perëndimore përdori forcën për të ndalur vrasjen e civilëve shqiptarë.

“‘Thika’ dhe ‘Konsulli rus’ janë shkruar në vitet '80, por ato janë ende shumë aktuale sot. Në ato romane parashikohet një kohë që do të vijë. Ajo nuk mbeti e bllokuar në kohën kur u shkrua, por ka reflektime për momentin në të cilin jetojmë. Një prej arsyeve shumë të rëndësishme është se ‘Konsulli...’ është një roman që trajton periudhën midis viteve 1973-1983. Ngjarjet vendosen në Kosovë, por në të njëjtën kohë ka një reflektim shumë të fortë në disa kohë bashkëkohore”, ka sqaruar regjisori, citohet në ueb-faqen e Festivalit. Sipas tij, në film janë përpjekur për të sugjeruar një rrugëdalje nga problemi që trajtohet e i cili është shumë aktual.

Autori i romanit “Konsulli rus”, Vuk Drashkoviq, citohet të ketë thënë se ishte shumë i kënaqur me përshtatjen e veprës së tij si film.

“Aktorët luajtën me mjeshtëri dhe Zharko Lausheviq luajti një rol të paharrueshëm. I fundit në jetën e tij, roli i konsullit të Rusisë perandorake, Ivan Stjepanoviq Jastrebov. Si filmi, ashtu edhe romani ‘Konsulli rus’ na rikthejnë dhe na kujtojnë vitet ‘70 dhe ‘80 të shekullit të kaluar, kur shpërtheu vullkani i Kosovës, llava e të cilit së shpejti do të derdhej mbi gjithë atë vend të madh që quhej Jugosllavi”, ka thënë Drashkoviq.

Siç ka thënë, ajo kohë e së keqes në vitet ‘90 nuk është as në film dhe as në roman.

“Por si në film ashtu edhe në roman dëgjohet bindshëm zhurma e tragjedisë dhe fatkeqësisë që po ndodh për të gjithë, si në Kosovë, në Serbi dhe në tërë Jugosllavinë”, ka thënë ai. Ka paralajmëruar se është duke hamendësuar diçka. “Po mendoj nëse mund të hyj në aventurën e shkrimit të vazhdimit të ‘Konsullit rus’”, citohet të ketë thënë Drashkoviq, kryetar i Partisë Rilindëse Serbe që sot kundërshtohet nga nacionalistët serbë kur bën thirrje që të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur.

“Në luftërat e viteve ’90 kemi humbur shtetin në të cilin jetonin të gjithë serbët. Në luftën kundër NATO-s e humbëm Kosovën. Në luftën e re, kjo është e qartë, do ta humbnim edhe Serbinë. Vetëm duke pranuar realitetin kosovar dhe në miqësi me popullin shqiptar, Serbia mund t’i ruajë dhe forcojë popullin serb të mbetur në Kosovë, kishat dhe manastiret serbe, pronat e tyre, tokën e tyre, territorin e tyre. Asgjë prej këtyre nuk është humbur as me kapitullimin në Kumanovë, as me Rezolutën 1244, as me dokumentin e Ahtisaarit, i cili është themeli i pavarësisë së Kosovës”, kishte shkruar ai më 2018.

Aktori shqiptar Visar Vishka në një intervistë për tabloidin serb “Kurir” i pyetur se përse ka pranuar ta luajë rolin e paragjykuar të shqiptarit negativ, ka thënë se fillimisht ka kërkuar ta lexojë skenarin. Ka treguar se ka refuzuar role sidomos në Maqedoni.

“Ky film nuk ishte aspak i njëanshëm. Unë u befasova këndshëm. Një film i mrekullueshëm njerëzor dhe më vjen mirë që isha pjesë e këtij ekipi”, citohet të ketë thënë ai.

KOHA ka marrë vesh se ekipi ka lëshuar zëra se do të provojnë ta japin filmin edhe në Kosovë. Në një rast të tillë, “Konsulli rus” do të “kthehej” në vendin ku ëndërronte për një realitet tjetër. Por tash shqiptarët nuk do ta ndjekin. Do ta legjitimojnë për të hyrë në shtetin më të ri të Evropës.

VIDEO-TRAILER: